29.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Djalli vishet me pushtet

    Nga Bedri Islami

    Nuk besoj se në Shqipëri mund të ketë njeri që nuk e ka ditur se familja Berisha, që nga kreu i saj, pinjollët, dhëndrin apo nusen, nuk janë ndër më të pasurit në këtë vend. Edhe pse nuk ka pasur informacion të njohur , se ku shtrihen pronat e tyre, çfarë përbëjnë ato, pas cilëve janë fshehur emrat e zotërinjve dhe kush ia bën argatin, të gjithë kanë parë aty një familje oktopod, i shtrirë në çdo qelizë të vendit, sidomos në bregdet, të cilët, sidomos në kohën e pushtetit të kreut të tyre, kanë ngritur një perandori të së keqes, ku oligarkia politike sundon mbi atë financiare, ku një sërë takëmi politikanësh, që premtuan Shqipërinë si gjithë Evropa, në fund ishin varrmihësit e saj, për të qenë sundues të pa mëshirshëm.

    Rasti i bërë publik , me tokat në Porto Romano, ku do të ngrihet porti i ri i Durrësit, me bekimin e shefit të qeverisë, do u sjellë atyre, si familje, më shumë se 20 milion euro të ardhura, përmes blerjeve fiktive, shitjeve, po ashtu fiktive, mashtrimeve me çmimet, lojën financiare me Fazlliqin, transfertat e dyshimta në parajsat ofshore, lëvizjet me miliona euro në duar, si rasti i skandalit të pa gjykuar ende të CEZ -DIA, deri te vrasjet për të mbajtur pushtetin me çdo dhunë.

    Për më pak se tri dekada familja Berisha, e jo vetëm ajo, u bënë sheikët e këtij vendi, shtypën çdo lloj revolte dhe krijuan mendësinë e forcës së politikës për të qenë të pasur, jashtëzakonisht të pasur; dualitetin  e rremë qeveri – opozitë, ku asnjëra palë e as tjetra nuk ia heqin as vetullat shoqi – shoqit, ku është krijuar piramida përmbyteshe e shtetit, dhe në të cilën, si askund tjetër, ajo që ndodh haptas, pra, përleshjet në parlament, sharjet, kërcënimet, gjëmimet, mallkimet nuk e mbyllin dot perden e marrëveshjeve të fshehta dhe synimet agresive të shembjes së çdo iluzioni se Shqipëria mund të bëhet.

    Një turmë e tillë, amorfe, pa dinjitet dhe me shumë pak persona të përgjegjshëm, synon ende edhe sot të përmbysë shtetin , për të marrë pushtetin, me të njëjtën klasë politike, që është përtej atrofizimit, me disa rioshë që nuk kanë asnjë bindje politike dhe që, ashtu si i shërbejnë të djathtës sot, për hir të pushtetit mund të i shërbejnë edhe më besnikërisht të majtës, dhe, mbi të gjitha, e shndërruar përgjithësisht në turmë pa ide dhe pa mendim racional.

    Opozitë zhurmëmadhe, e cila pas fjalëve fsheh mashtrimin. Opozitë që nuk të ngjall besim, dhe që, në secilën ditë që mund të afrohet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, mund të sjellë fakte drithëruese për mashtrimet e mëdha që janë bërë, zhveshjen e shtetit nga e vërteta dhe, mbi të gjitha, humbjen e besimit se mund të ketë një rotacion, që , pas kaq viteve, mund të ishte i dobishëm.

    Në mes të këqija që shfaqen, njerëzit besojnë më të voglën prej tyre. Opozitë që forcën pushtetin, kjo ndodh vetëm në Shqipëri.

    U bënë disa vite radhazi që gazeta DITA ka marrë mbi vete atë që mund të quhet opozita brenda vetes . Mendoj kështu pasi, duan apo nuk duan pushtetarët e sotëm, DITA është ndër ato media plotësisht të besueshme që , duke mbështetur ndryshimin e qeverisjes 11 vite më parë, u bë njëra ndër shtysat e fuqishme të ardhjes në pushtet në vitin 2013 të së majtës dhe, katër vite më vonë, të afirmimit të saj si forcë e vetme qeverisëse. Duke mbetur opozita më e besueshme e njerëzve. E hapur, por edhe e bindur se kjo është rruga e duhur.

    Pa qenë pjesë e pushtetit dhe pa synuar të jetë e tillë, gjithnjë nën pritjen se , si secila qeveri edhe kjo do të ketë një opozitë normale përballë vetes, gjë që nuk ndodhi dhe as që ka ndër mend të ndodhë, duke e ditur se pushteti mund të jetë i mëritur,  ajo mori përsipër dhe po vazhdon një mision që , më shumë se gjithçka , ka të bëjë me dhimbjen e njerëzve në pritjen e tyre dhe që, kjo pritje të mos kthehet në zhgënjim.

    Pushteti është tundues. Drejt tij sulen të gjithë dhe pak e arrijnë. Është ndër ato rastet e veçanta që mund t’i jepen njerëzve të veçantë, të cilët, duke shfrytëzuar rrethanat, qasjet, përplasjet, mendësitë, shtytjet, lidhjet dhe kohën e duhur, kanë rastin të dëshmojnë se, ajo e gjitha që kanë paraqitur, nuk ka qenë farsë dhe as dëshira e verbër e pushtetit.

    Edi Rama erdhi në pushtet dhe vazhdon të jetë pasi, në një moment të caktuar, u bë pjesë e rrjedhave të një kohe që kërkonte ndryshimin dhe më së pari tek kreaturat politike që kishin marrë autorësinë e pushtetit dhe që, si mashtroshkat ruse, ishin të njëllojta deri në imtësi.

    Ai e mori pushtetin në një kohë kur qeveria Berisha ishte në rënie të lirë dhe se, litari i saj po këputej nga zullumi i paparë i katër viteve të fundit , të cilat kishin qenë vazhdë e një jete të tërë politike, që kur ai vetë, në dy sisteme të ndryshme, kishte vendosur të ishte në majën e piramidës, qoftë me zvarritjet, qoftë me grusht shteti.

    Rama u ndodh para dy dukurive, të cilat është e vështirë, në mos e pamundur të përsëriten më: mllefit që kishin njerëzit për qeverisjen e mëhershme dhe kjo krijonte mundësinë që të mbyllej njëri sy ndaj qeverisë që po vinte dhe, më e rënda, para një humnere financiare, të përgatitur me kujdes dhe me dashje nge qeveritarët Berisha e Bode, si rrugë për të ri ardhur marrëzisht shpejt në pushtet.

    E para, mllefi , i grumbulluar në tetë vite dhe i shprehur në një milion vota, ishte një rrugë qetësimi dhe i jepte gjithë kohën e duhur Ramës për të përgatitur atë që kishte premtuar: ndëshkimin e së keqes. Edhe nëse në këtë ndëshkim mund të kishte rrëshqitje të ngadalta, njerëzit , të cilët, kishin kohë që e prisnin, do e mirëkuptonin, me gjithë pezmin që u kishte marrë frymën. Ndëshkimi i së keqes mbetet , si gjithnjë, fakti i pa realizuar, pas së cilit shfaqen pasuri të tilla, shumë milionëshe, që turbullojnë njeriun e zakonshëm, nxitin mërgimin, krijojnë disfatën në bindjen se Shqipëria mund të bëhet.

    E dyta, humnera financiare, që ishte edhe më e rrezikshme në jetëgjatësinë qeverisëse, duke hequr një pjesë të madhe të vëmendjes nga ndëshkimi, kishte kohën e saj të mbushej, por kjo kërkonte, si një domosdoshmëri, jo vetëm mendjen e shefit të qeverisë, por të një elite financiarësh dhe ekonomistësh, nga të gjithë brezat, me aftësi të duhura shtet formuese dhe ekonomi ngritëse, të cilët , më shumë se sa të shikonin zemërimin apo qetësinë e shefit të qeverisë, do të kishin mendjen tek ri ngritja e ekonomisë.

    Edhe pse mendohej se shefi i qeverisë mund të ishte më mendje hapur se sa paraardhësit e tij, përsëri skemat e krijuara, me zgjidhje të papritura, shpesh herë amatore dhe pa asnjë kthesë vendimtare, u bënë pjesë e qeverisjes së gjatë dhe, që do të vazhdojë të paktën edhe katër vitet e ardhshme. Në vend të tyre u thirrën gjithfarë “ specialistësh”, të cilët e çuan korrupsionin në art në vete, krijuan një bandë politike që u shtri në shumë qeliza të vendit, dhe , jo rastësisht, në të u përfshinë edhe njerëz të afet me pushtetin e shefit të qeverisë. Sado i pa faj të jetë Edi Rama, vetë zgjedhja që ka bërë në vite në drejtimin e shtetit, nuk e lë atë jashtë përgjegjësisë dhe nuk mund të lajë duart si ai romaku i vjetër, Pons Pilati.

    Cilido lider politik kur vjen në pushtet do të përballet me fillesën e një zhgënjimi. Ky është një postulat politik, të cilit nuk i ka shpëtuar dot as Edi Rama.

    Pritja e gjatë e ndryshimeve përkon me padurimin. Ritmet e qeverisjes Rama ishin e vazhdojnë të jenë, edhe pas 11 viteve,  nën mendimin dhe pritjen. Deri tani , njerëzit më shumë  kanë ndjerë arritjet hipotetike se sa kanë prekur me dorë ndryshimet konkrete. Nëse në fillimin e qeverisjes projektet tredimensionale ishin interesante dhe tërheqëse, si shenjë e pritjes dhe e ndryshimit, tani ato janë bërë të mërzitshme dhe herë pas here, bajate. Dhe mbi të gjitha , shumë të shtrenjta. Ndërtimi i shumë pritur i rrugëve, urave, tuneleve, po bëhet me koston më të lartë të menduar, dhe , ditët e fundit, vetëm në tre projekte të miratuara pesë muaj më parë, qeveria mund ndryshimet duke shtuar kostot me 260 milionë euro. Justifikimi , sipas të cilit, kostot janë rritur dhe planifikimi është bërë shumë kohë më parë, është naiv, jo serioz, i dyshimtë dhe korruptiv. Si është e mundur që projekte të miratuar pak muaj më parë dyfishojnë koston, dhe askush nuk mban përgjegjësi? Kush i ka paraqitur ato në Këshillin e Ministrave? Kaq lehtësisht këto ministra e ngritin dorën për të fundosur qindra milionë euro?

    Në fakt qeveria e së majtës e ktheu kokën djathtas dhe u bë si një forcë politike konservatore, më shumë e ngjashme me vendet e Amerikës së Jugut se sa me konservatorizmin evropian. Ata, që e sollën në pushtet, përmes përkrahjes, heshtjes dhe padurimit, tani, në shumicën e rasteve, janë jashtë përkrahjes, janë lënë në heshtje dhe po humbasin durimin.

    Eksperimentet e hopshme, herë aty e herë këtu; konceptimi se vendosja e shtetit ligjor bëhet përmes pagesës së energjisë elektrike dhe ujërave; mos dialogu mes shtresës në  nevojë dhe qeverisë së tyre, e cila u bë befas e huaj për to; rritja e taksave për shtresën e varfër dhe gjysmë të mesme, trajtimi i biznesit të vogël si një gangrenë e paketës fiskale dhe bashkëqeverisja me biznesin e madh, i cili kaloi lehtësisht nga prehri i qeverisë Berisha në gjunjët e qeverisë Rama, të gjithë këto e jo vetëm këto, e kanë shpënë besimin në cepin e rënies dhe tani është koha që, ose të kemi zhgënjimin e madh , ose të nisë kthesa e së mbarës, që, me gjithë shenjat e dhëna, me gjithë ndryshimet konceptuale dhe besimin e fillesës ndryshe, ende nuk janë të mjaftueshme për të arritur në besimin e një viti të mëhershëm.

    Djalli vishet gjithnjë me rrobën e pushtetit. Mjaft nga pushtetarët e sotëm janë tashmë pjesë e lojës së djallit. E djallit të së keqes. Sikur gjysma e fjalëve të tyre të ishin të vërteta, ky vend do të ishte krejt ndryshe. Më shumë se sa për opinionin, ata japin shifra për shefin e tyre, i cili, megjithëse njihet si një pushtetar që kërkon të vërtetën deri në një rrënjë peme, si duket po priti kongresin të saktësojë se si do të vazhdojë kjo lloj qeverisje.

    Ne kemi një klasë para politike, shpesh herë meskine, të varfër në ide dhe shumë shpejt e konvertueshme. Me të cilën, në çdo kohë, pushtetarët mund të marrin vendime të paarsyeshme, të cilat më pas do të justifikohen nga e drejta e votës parlamentare, të cilën nuk e kap dot ligji. Pra, me një klasë të tillë mund të vendosësh veten mbi ligjin, si po ndodh me të famshmet PPP, Partneritet-publik-privat, që janë një lloj tjetër humnere financiare, e shpërndarë në vite dhe breza, apo me të famshmin Ligj për Investitorët Strategjikë.

    E megjithatë, unë futem tek ato njerëz, të cilët, pa pasur asnjë pritje nga kjo qeveri, asnjë përfitim, asnjë benific, asnjë lloj pagese financiare apo kërkesë punësimi, përsëri besoj tek qeverisja e Edi Ramës dhe, do i kisha besuar më shumë në drejtimin e bashkësive vendore dhe rishtas një pushtet të tretë.

    Nuk besoj nga shkaku  se Rama në këto 11 vite ka bërë mrekulli. Përkundrazi, ka bërë më pak nga sa, në rastin më pesimist, kam pritur. Si shumë të tjerë, ndërsa njërën këmbë të shpresës kam filluar ta nder drejt zhgënjimit, vazhdoj të qëndroj me besimin se kjo është njëra ndër mundësitë më të mira që paraqiten.

    Nuk kam ndër mend të krahasoj Ramën me rivalët e tij në postin qeverisës, pra, me Berishën, Ilir Metën apo, mos më keq, me Bardhin. Kjo do të ishte alegori e së keqes.. Do të ishte një krahasim amorf, që askush nuk do e bënte dhe që të gjithë do e merrnin me mend se nga do të kishte rënduar kandari politik i kohës.

    E di, po ashtu, se besimi tek njeriu është më i paktë se besimi tek lideri… Ndoshta me shefin e tanishëm të qeverisë ndodh e njëjta gjë. Edhe pse litari i qeverisjes së tij është këputur herë pas here, ai ka mbajtur primarin e do të vazhdojë ta mbajë.

    Unë bëj pjesë tek njerëzit që vazhdoj t’i besoj, natyrisht jo si 11 vite më parë, nga vizioni që ai paraqet herë pas here dhe nga dëshira e tij për të bërë një histori ndryshe.

    Por, koha po ecën. Ky ritëm do e lërë në gjysmë punën e tij dhe koha nuk e di se cilin vlerësim do të bëjë.

    Që të shpejtojë kohën dhe të ketë një kohë edhe për vete Ai duhet domosdo të kthejë kokën nga ata që e votuan: shtresën e poshtme të jetesës, nga  vegjëlia, të varfrit, të ata që e kanë dashur ndryshimin dhe që ende besojnë se koha mund të jetë e ndryshimit.

    Rama nuk ka pse ëndërron djathtas, duke mbajtur nga dora të majtën.  Ai duhet që pjesën e dytë të mendësisë, në aktin e katërt të qeverisjes të ndjellë idenë e rëndësishme,  që të tjerët, të varfrit, të jetojnë pushtetin si pjesë të tyre, pra të ndjehen jo vetëm objekt i qeverisjes, por edhe subjekt i saj, ta përjetojnë realisht.

    Nëse i zbon ata nga qeverisja, ata të zbojnë nga pushteti.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit