Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, ka folur për media pas takimit me strukturat e partisë në Korçë.
Gjatë deklaratës së tij ai u shpreh se PL dhe PD janë bashkë për të rrëzuar qeverinë me protesta. Ndër të tjera ai tha se shtatori do të jetë i “kuq flakë” në politikë.
“Sapo kemi zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Korçë, për të ndezur motorët për tu bërë gati për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme. Për të nisur nga këtu betejën për shembjen e shpejtë të Edi Ramës. Pashë struktura të motivuara dhe ju garantoj që do ti japim një përgjigje shembullore Ramës dhe bandave të tij që kanë marr peng këtë qark.
Shtatori nuk do të jetë fillimi i vjeshtës, por nisja e pranverës e një revolucioni të vërtetë anti-korrupsion që do të shporrë këtë bandë sa më parë nga pushteti. Po bëhemi gati për një aksion, jemi në koordinim të plotë me Partinë Demokratike, për të filluar sa më parë aksionin politik në të gjithë Shqipërinë, për largimin e kësaj qeverie.
Nuk ka opozitë që fle gjumë, sot PL dhe PD janë bllok, janë bashkë për të rrëzuar këtë bankë me protesta e zgjedhje. Rrëzimi do të kryhet me protesta dhe me zgjedhje.
Koha e opozitës me kryetarë të emëruar nga Edi Rama ka marrë fund. Koha e opozitës së kapur ka marrë fund, opozita është e bashkuar, PD, PL bashkë me Aleancën për Qytetarët dhe forca e tjera që duan largimin e kësaj qeverie janë bashkë. Aksioni sapo ka nisur, do të jetë një shtator i kuq flakë”, tha Blushi