E ftuar në Fiks Fare, ish-banorja e Big Brother Albania, Greta, ka habitur me rrëfime të drejtpërdrejta dhe pa filtra për eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Ajo pranoi se rikthimi në jetën reale nuk ka qenë aspak i lehtë, duke treguar se i është dashur rreth një javë për t’u ambientuar me ritmin e përditshëm. Ndërkohë, nuk munguan as kritikat nga prindërit, të cilët i kanë vënë në dukje se në disa raste ka reaguar më shumë seç duhej për njerëz që nuk e meritonin.
Deklarata që mori më shumë vëmendje ishte ajo për jetën sentimentale. Greta zbuloi se nëse nuk do të ishte në një lidhje jashtë, loja e saj do të kishte marrë një tjetër drejtim madje, nuk përjashtoi mundësinë e një romance brenda shtëpisë.
Për përjashtimin e papritur, ajo u shpreh se ishte totalisht e papërgatitur, por me humor theksoi se do të mbahet mend gjatë, pasi ndodhi në mes të spektaklit “Prime”.
Sa i përket marrëdhënieve me ish-banorët, Greta tha se me Juelën pret një sqarim të qetë dhe një raport korrekt, ndërsa lidhjen me Selinën e cilësoi të komplikuar, duke theksuar dallimet e forta në karakter.
Në fund, pavarësisht gjithçkaje, Greta shprehu mirënjohje për eksperiencën në Big Brother, duke e konsideruar një kapitull të rëndësishëm në jetën e saj.



