11.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Do t’ju hamë të gjallë” – Për cilët do të votojnë shqiptarët?

    Nga Bedri Islami

    Pas pak ditësh, shqiptarët, kësaj here edhe jashtë kufijve , do të votojnë për atë që do të mund të quhej elita e kombit, parlamentin e tyre. Normalisht , duhej të ishte një përzgjedhje vlerash dhe vizionesh,  jo vetëm nga dy kampet e mëdha, që tani e kanë kthyer gjithçka në fushë beteje, por edhe nga ata që , si të vogla, kanë shpallur synime të mëdha, tej mbushur me premtime, të cilat, edhe një buxhet dhjetë herë më i madh se i tanishmi dhe , një qeveri dhjetë herë më e ndershme se e tashmja, do e kishin parë si njëra nga utopitë e pa zakonta që sjell në delirin e saj mendja e njeriut.

    Njëri nga deputetët e opozitës, i cili në dukje është i paqët dhe vjen nga ata që quhen familje tradicionale të kohës së tyre, i hyri me vrull betejës dhe premtoi se do të hajë të gjallë socialistët.

    Një tjetër, tashmë nga e majta, solli kobet e së shkuarës, duke fataksur të nesërmen. Shqipëria ndryshe, ajo që supozohej se do të vinte një ditë, në pragun e zgjedhjeve largohet së tepërmi dhe askush nuk e di, nëse këto që do të vijnë në parlament, qofshin në listat e mbyllura, apo ku do të “ përleshen” brenda llojit, e meritojnë të jenë në atë salllë. Të pakët do të jenë ata që kanë mendje dhe vizion, edhe më të pakët ata që do të kenë dinjitetin e tyre qytetar, e, shumë të rrallë do të ketë prej atyre që do të ruajnë mendjen e tyre.

    Opozita, pasi ka thirrur në ndihmë figura të njohura përtej Atllantikut, shpërblimi i të cilëve nuk dihet ende në vlerën reale, pasi ka shpallur Shqipërinë si vatra e më të keqes në të gjithë botën, anatemuar dhe mallkuar, synon , që, më në fund, të jetë në pushtet. Kushdo në opozitë e ka një synim të tillë. Rruga e ndjekur është e njëjtë me atë që ka filluar në marsin e vitit 1992, britmat janë të njëjta, metoda, po ashtu e njëjtë, dhe, njeriu që i prin, është i njëjti.

    Lejtmotivi i saj i përnatshëm është rrëzimi i qeverisë së tashme, ndërtimi i një tjetre, në fakt konglomerat i harbutshëm, ku mund të bëhen bashkë gjithë kundërshtarët e djeshëm, deri te partiza e tashme që quhet e Lirisë,  e cila do të ketë deputet pa pasur pasues. Pushtetin e kërkojnë me kërcënime deri në ato më të çmendurat , si përgatitja e akuzës për gjenocid, tërheqje zvarrë, linçim , e deri tek ajo që është e padëgjuar më herët në këto përmasa: sulme ndaj atyre përfaqësuesve  diplomatikë të shteteve më të fuqishme, ose Bashkimit Evropian, si njerëz që po përgatitin sketerrën në këtë vend.

    “Shqipëria madhështore” , deri më tani, nuk ka asgjë të madhërishme në përshfaqjen e saj, në idetë që bart, në vizionin që përcakton, dhe, mbi të gjitha, në shumësinë e njerëzve që ka paraqitur.

    Shumica qeverisëse bëri 12 vite në pushtet, zëri i saj , edhe nëse do të kishte qenë i vetmi i pranueshëm, është lodhur nga çfarë i ka ndodhur, ose, më saktë, çfarë vetë ka bërë, në rrëmujën e këtyre 12 viteve. Nëse një qeveri qëndron kaq gjatë në pushtet ajo ka dy mënyra: ose ka punuar përmes reformimit dhe shtetndërtimit real, ose, kundërshtari i saj përballë ka qenë i shkalafatur.

    Më shumë ka ndodhur kjo e dyta. Përballë opozitës që çjerrur brenda vetes, ndarjes, mallkimeve dhe dëbimeve, rikthimit të njëjtit drejtues, shpalljes “ non grata” të gjithë familjes ish kryeministrore, luftës në vete dhe përballë vetes, skenave të çmendura me sulme si në klështjella mesjetare, lobimet e pa zakonta, rritjen e rolit të familjes në gjithë piramidën politike, animi ka sjellë pranimin e së keqes më të vogël, vazhdimit të pushtetit nga e njëta forcë dhe i njëjti drejtues.

    Opozita, duke ndjekur një sllogan që i shkonte për stat një shteti të madh si SHBA, huazoi gjysmën e tij dhe është futur me kredon e saj “ Shqipëria madhështore”.

    Kush do e bëjë këtë Shqipëri?

    Për të bërë një Shqipëri madhështore, qoftë edhe të re, duhen disa premisa: njerëzit që e bëjnë dhe besimi ndaj tyre, vizioni që kanë dhe themeli që kanë hedhur, përkushtimi dhe ndershmëria deri në skajin e vetmohimit; duhet shembulli që zgjon mendimin dhe mendimi që sillet përmes shembullit; duhen njerëz që nuk pranojnë të konformohen, që kërkojnë gjithçka në ndërgjegjen e tyre,  të cilët janë mësuar që përmes vizionit të tyre të jenë edhe pakicë, por që, kur e kanë zgjedhur rrugën e tyre, i qëndrojnë besnik asaj, qoftë edhe duke rrezikuar jetën.

    Deri më tani, përveç mallkimeve, asgjë nuk është dëgjuar. Enigma e “Shqipërisë madhështore”, e cila mund të jetë më shumë se sa një ëndërr halucionante, jeton vetëm brenda selisë që pushtuar, që herë kthehet në qebaptore dhe herë në imitimin e sallës së parlamentit.

    Si do të jetë “ Shqipëria madhështore “”, kush do e përbëjë atë, çfarë vizioni kanë ata për ekonominë, liritë dhe të drejtat njerëzore, për fqinjët dhe të shkuarën, si dhe nga kush do të ndërtohet ajo. Do të ngrihet ajo vetvetiu, për më tepër nga njeriu i provuar tri herë, apo gabimet e së shkuarës  janë bërë mësimi i të sotmes? Pak nga ata që ka në vendet e sigurta të deputetëve të tij përbëjnë diçka nga elita e kombit. Brenda së njëjtës strukturë gjysma është kundër gjysmës tjetër, të rinj të etur për pushtetin, që duan të lënë “ plakun në mjerimin e tij” , janë gati të ia shkulin të gjitha pushtetet,, të cilat i kishin në pak kohë dhe i ëndërrojnë përsëri. Disa prej tyre, me të njëjtin vrull që janë në forcën e tashme politike, ndoshta edhe me më shumë do të ishin në forcën tjetër, nëse do i kishin afruar poste e favore. Ata, më shumë se të tjerët, urrejnë ata që drejtojnë sot opozitën. . Për të qenë vetë liderët e ardhshëm, të një force politike që e gjetën të gatshme dhe mund ta shembin edhe më tej, ashtu si edhe e shemben.

    Janë ditët e fundit për të bërë të qartë disa ide:

    ” Shqipëria madhështore”, vërtet e tillë , nëse për një çudi të papritur, opozita do të kishte të drejtën e qeverisjes, do të ketë në përbërjen e saj edhe Sali Berishën? Gjithka e deri tanishme lidhet me emrin e tij: politikbërja e opozitës, slloganet, trafiqet e ideve, synimet, dr5ejtimi, lobimi, përshtatja e mendimit, deri në skajimin e fjalëve. Disa nga ndihmësit e tij, edhe fjalitë i ndërtojnë me të njëjti n rend të fjalëve.

    Për të ndërtuar një Shqipëri madhështore të re duhet shembur republika e vjetër. Normalisht, ata që ndërtuan republikën e vjetër,  atë që mund të quhet ” Shqipëria jo madhështore”, të kaosit, krimit, korrupsionit dhe plaçkitjes, nuk mund të jetë pjesë e kupolës së republikës së re. Me miell të vjetër nuk gatuhet bukë e re.

    Në vitet e tranzicionit shumë gjëra janë ndërruar. Socialistët kanë pasur liderë Nanon, pas burgosjes së tij Pëllumbin, Mejdanin e Ruçin, më pas Majkon, Metën, dhe tani, Ramën. Nëse kanë faj atë e ndajnë mes vetes. Për secilin prej tyre është derdhur i njëjti fjalor si ky ndaj Ramës, Të gjithë kanë qenë vrasës, të lidhur me krimin, hajdutë. Njërin prej tyre e ka burgosur, të parin, këtë të fundin e ka paralajmëruar se do e vrasë dhe do i bëjë proçesionin funeral më madhështor, sëbashku me një fjalim prekës. Asnjëri nga socialistët liderë nuk ka lënë pas vetes vrasje dhe viktima.

    Në vitet e tranzicionit shumë gjëra nuk kanë ndryshuar tek PD-ja, sidomos lideri i saj i përjetshëm. Berisha, kur u bë kryetari i dytë i PD-së, sanksionoi në Statutin e partisë ku ishte pjesëthemeluese se, “asnjë kryetar nuk mund të rrijë më shumë se një mandat 2 vjeçar”. Tani u bënë 35 vite dhe është po ai. Sado dashamirës dhe i përkushtuar ndaja tij të jesh duhet një çast të mendosh se vetë koha e bën të domosdoshme ndërrimin e liderit, që, në kaq vite, fitoret i ka pasur tejet të pakta, por humbjet tejet të shumta.

    Do të bëhet “Shqipëria madhështore”  me Berishën?

    Në bindjen time është e pamundur. Në përvojën historike të një vendi si i yni , edhe më tej së pamundurës.  Opozita mund të fitojë zgjedhjet, megjithëse  është një mision i pamundur, por , përmes figurës dhe përceptimit politik të tij nuk mund të ndërtojë Shqipërinë madhështore.

    Mbi të gjitha mungon vizioni. Shqipëria madhështore nuk bëhet përmes uljes së taksave apo ngritjes së tavanit, por vizionit të ri, ngritjes së gjërave në ideal, që e vërteta të mos ndahet prej nesh. Jo zemërimi, por forca konstruktive, jo hakmarrja, por mendimi progresiv, jo çmenduria e shenjtë, por rendi i guximit, jo plakja e ideve dhe rigjenerimi i tyre , këto ebë[jnë një vend të madhërishëm, edhe kur sipërfaqja e saj është e copëzuar.

    Nganjëherë përksuhtimi ndaj liderit të opozitës, e më tej, ndaj liderit të shumicës shkon deri në përversitet. Më kujtojnë një thënie të filozofit të njohur, Niçe, se “ Për sa kohë të lavdërojnë, beso gjithnjë se nuk je ende mbi rrugën tënde por mbi atë të një tjetri”.

    A mund të bëhet Shqipëria madhështore, apo, edhe më tej, të jetë ky vend pjesë e BE, me këtë gardë të vjetër që partitë e mëdha kanë pranë vetes?

    Është një gardë krejtësisht e vjetër, e dalë boje, ku gjurmët e krimit dhe të korrupsionit janë në fytyrën e shumë prej tyre.

    Në të gjitha këto vite shfaqen emrat e tyre. Janë të pranishëm në çdo krim e paskrim. Me heshtjen e besnikërinë e tyre ndaj shefit kanë mbuluar pisllëqet më të mëdha që kanë ndodhur e më pas janë shpërblyer përsëri. Janë bërë rishtas ministra, shefa, sekretar të përgjithshëm.

    Ata, vite më parë, ishin si ne, njerëz të varfër. Nuk u morën me ekonomi, por përmes politikës, u bënë të pasur. Nga brekët e grisura u bënë super milionerë. Nga njerëz që na përrallnin për demokracinë u bënë varmihësit e saj. Nga “demokratë” u bënë ndihmës në vrasje. Pas emërave të tyre fshihen enigmat e zeza të Gërdecit, lidhjet me shërbimin e fshehtë serb, pasuritë marramendëse, krijimi i lobeve mafioze politike e financiare. Nga socialidstë progreesivë u bënë m jeshtër të korrupsionit. Nga idealistë të së majtës u kthyen në të djathtë ekstremë. Asnjëri prej tyre nuk e beson këtë Shqipëri. E duan vetëm kur e presin, dhe , më pas, e shesin.

    Shqipëria madhështore apo Shqipëria në Be në vitin 2030 nuk mund të bëhet me garda të tilla. Që, më shumë se gjithçka tjetër janë pjesë e bandës pretoriane të shefave politik, që lirisht mund të kthehen në plaçkitës.

    Më 3 janar 1642, parlamenti anglez, kundër dëshirës së Karlit I, vendosi që “ pakica duhet t’i nënshtrohet shumicës e t’i japë kësaj mundësinë për të qeverisur”.

    Ky është njëri ndër parimet më demokratike në botë. Parimi i shumicës që qeveris. I opozitës që bën opozicionin e qeverisjes dhe hedh vizionin e saj për një qeverisje ndryshe.

    Mbi bazën e cilit parim do të ngrihet Shqipëria madështore apo Shqipëria në BE?

    Shqiptarët janë thirrur në 11 maj të votjnë për strukturën më të lartë legjislative të vendit.

    Çuditërisht, por jo rastësisht, janë thirrur nga të njëjtët që i bëjnë zë tash 35 vite.

    Nuk duhet ta lëmë veten të tiranizohemi as edhe nga e drejta jonë më e bukur, ajo e të ngriturit të gjërave në ideal për ndryshe, një ditë të bukur e vërteta do të ndahet prej nesh me këto fjalë të hidhura, “ mashtrues, përse ju besuam kaq shumë dhe përse po zgjohemi kaq vonë”?

    Jemi tejngopur me të njëjtët njerëz të heshtur në sallën e parlamentit, që qeverisen me një gisht nga liderët e partive.

    Këto do na qeverisin edhe nesër. Në mos e majta, e cila sheh fort djathtas, e djathta, që ka nostalgji për të majtën.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit