Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij, pas urdhërit të kryeministrit Rama.
Sipas Report TV, për këtë ai ka patur dhe debat me kryeministrin Rama.
Dule është shprehur se “drejtorët janë të rinj dhe të aftë në punë”.
Nga ana tjetër, kryeministri i është përgjigjur duke thënë “jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon”.
Ndërsa kryebashkiaku i Finiqit, Romeo Çakuli, vëllai i Filip Çakulit, i është përgjigjur me humor kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën për shkarkimin e drejtuesve të institucioneve në varësi.
Gjatë një takimi mes kryeministrit Rama dhe kryetarëve të bashkive, Çakuli është shprehur: “Do i shkarkoj të gjithë drejtorët dhe do i marr përsëri në punë pas një jave.”
Deklarata, ndonëse e thënë me një ton që është interpretuar si ironik nga disa, është parë si një qëndrim reflektues mbi vlerësimin e performancës së stafit dhe vazhdimësinë në administratë.
Nga ana tjetër, deklarata nuk është shoqëruar me një qëndrim zyrtar të bashkisë apo ndonjë dokument konkret mbi veprimet që do të ndërmerren.
Rama ka kërkuar dorëheqjen kolektive të të gjithë drejtorëve vendorë si pjesë e një nisme për rritjen e standardeve dhe përgjegjshmërisë në administratë.
Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Lushnje etj.