Belind Këlliçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai thotë se sot, Edi Rama është më i fuqishëm edhe se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia dhe komandon gjithë Shqipërinë.
Sipas Këlliçit, shqiptarët janë dorëzuar para sa keqes.
“Rama u është lëshuar në kurriz qytetarëve shqiptarë. Pasi vodhi zgjedhjet me 83 mandate, me atë ndjesinë e të plotfuqishmit, u është lëshuar tregtarëve të vegjël, që merren me bimë medicinale, erëza, që mbajnë familjet me bizneset e tyre dhe presin sezonin verës, kur është sezoni turistik, punojnë gjithë vitin për 3 muajt e verës, dhe Edi Rama vendos të godasë këtë shtresë, që punon e ndihmon më shumë ekonominë familjare.
Urrejtje për biznesin familjar. Për të njëjtin biznes, në veri për Thethin, çmenduria e madhe u vendos të rrafshoheshin bizneset që inkurajoi Rama para zgjedhjeve, dhe do t’i legalizonte pas 11 majit. Pasi i vodhi zgjedhjet, u është lëshuar qytetarëve me mjete nga më të ndryshme.
Një kryeministër sot i shkëputur nga realiteti. Rama s’preferon të udhëtojë me makinë por lëviz me helikopter.
Shqipëria sot ka dalë të prodhojë një kryeministër, që para se të merrte detyrën deklaronte 3 mijë euro kursime të jetës së tij. Ai ia doli të jetë kryeministri më i varfër që udhëton me charter privat dhe falimentoi Air Albanian, hap ekspozitë të shtrenjta në botë dhe që s’i deklaron, një që ka ndërtuar vilën më të shtrenjtë në Shqipëri, një kryeministër që deklaron me qindra mijëra euro fitime nga libra.
Rama është kryetar i bashkisë së Shqipërisë. Nuk flitet më për autonomi vendore, që ke një kryeministër që jep urdhër të shkarkohen drejtorët e bashkive, i padëgjuar në vendet e Evropës. Ia tejkalon autokratëve më të mëdhenj, si Lukashenko e Putin.
E kemi lejuar si shoqëri të ndodhë para syve tanë e duke u mësuar me të keqen. E kemi kërkuar fajin te opozita, nga ana tjetër duke mos vënë gishtin në plagë për problemet e vendit dhe shkaktarët e këtyre problemeve.
Me këtë kontroll të jashtëzakonshëm të pushteteve që Rama ka sot, zyrtarisht më 2023 e në vijim ia ka tejkaluar Enver Hoxhës e Ramiz Alisë. Rama sot drejton Shqipërinë a thua së është një bashki e vetme, UKT, Akademinë e Shkencave, ministritë, qeverinë, SPAK, GJK, drejton e dirigjon çdo gjë që ndodh në këtë vend.
E keqja e madhe që ka kapur këtë vend është ky individ, dhe ne s’mund të arrijmë të ndryshojmë asgjë.
Ndërkombëtarët ‘kanë mbyllur sytë’ për hir të stabilitetit politik, dhe kanë toleruar një autokrat si Rama që të çimentoi pushtetin e tij vit pas viti.
Shqipëria sot është kthyer në portën kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës, Porti i Durrësit ka vënë rekord botëror, është nën kontrollin e klanit të Troplinëve të Durrësit, që s’është kapur asnjë kilogram drogë në këtë port, ndërsa autoritetet e huaja flasin për tonelata drogë e kokainë që kalojnë nga Porti i Durrësit”, tha ai.