Rudi Hizmo i është përgjigjur deklaratave të Heidi Bacit, e cila reagoi pas përmendjes që iu bë në emisionin X Press, ku ish-partneri i saj, Romeo Veshaj foli për ndarjen mes tyre.
Në një moment, teksa Romeo tregonte mbi kohëzgjatjen e marrëdhënies, moderatorët hodhën një batutë, duke pyetur nëse lidhje kishte zgjatur “2 orë apo 2 muaj”.
Humori, dukshëm, nuk u prit mirë nga Heidi, e cila reagoi në Wake Up, duke thënë se lidhja e saj ishte trajtuar në mënyrë sipërfaqësore, gjë e cila e kishte lënduar, ndërsa shtoi se as nuk i njihte aspak dy moderatorët, Rudi Hizmon dhe Mateo Çelën.
“Kjo është një lloj talljeje,” tha Heidi. “Unë nuk e di pse dy gazetarë që nuk i njihja më parë, dhe nuk kisha dëgjuar kurrë për ta, ndihen të autorizuar të komentojnë një histori kaq personale me një lehtësi të tillë. Nuk më pëlqeu dhe më duket fyese. Nuk jam unë ajo vajza, dhe nuk ka qenë kjo marrëdhënia ime.”
Pas kësaj deklarate, Rudi nuk i kurseu ironitë, madje duke përmendur dhe eksperiencën që ka prej vitesh në media.
“Është mirë që kolegët t’i njohësh. E kam nisur në radio kur ti mbase ke qenë e vogël. Sot që ti, Heidi, s’më njeh, drejtoj një podcast që mund të ketë një shikueshmëri më të lartë se emisioni që bën ti,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se përvoja e tij në media flet vetë.
Po ashtu, ai sqaroi dhe batutën që solli të gjithë dramën.
“Batuta që unë bëra, ishte një batutë që tregon mungesën e kohëzgjatjes të marrëdhënieve që lindin në ‘reality show’ dhe asgjë më shumë. Sigurisht, me sa kuptova, Heidi, ose një pjesë tjetër e komunitet kanë menduar se unë kam nënkuptuar se marrëdhënia e Heidit ishte thjesht një marrëdhënie seksuale 2 orëshe, gjë që është shumë e pështirë të mendohet, përdoret e thuhet.
Por, një gjë e di, që ajo marrëdhënie ka pasur respekt dhe vijmësi edhe përtej “BBVA”, ku nga Romeo janë dëgjuar fjalët më të mira.”
Nga ana tjetër, Romeo Veshaj në një intervistë për X Press deklaroi:
“Lidhja ime me Heidin përfundoi me respekt. U njohëm brenda, qëndruam tre muaj jashtë dhe nuk funksionoi. Kishim mendime të ndryshme për jetën. E respektoj.”
Lidhja mes Romeos dhe Heidit nisi gjatë “Big Brother VIP Albania 3” dhe u kthye në një nga historitë më të komentuara të edicionit dhe ende pas ndarjes, reagimet dhe diskutimet për marrëdhënien e tyre vazhdojnë të tërheqin vëmendje.



