Një familje shqiptare në Itali, në Porcari, Piana di Lucca, është shuar tragjikisht. Arti Kola 48 vjeç, Jonida 42 vjeç dhe dy fëmijët, Hajdar 22 dhe vajza Xhesika 15 vjeç humbën jetën pas një rrjedhjeje të gazit të dioksidit të karbonit brenda shtëpisë së tyre.
Eshtë gjallë, por në kushte kritike për jetën një person i pestë: vëllai i kryefamiljarit që mbërriti në vendngjarje pasi i vëllai dhe të tjerët nuk po i përgjigjeshin në telefon. Sipas Corriere, edhe karabinierët që mbërritën në vendngjarje janë intoksikuar por nuk kanë rrezik për jetën.
Karabinierëve u është dashur të hapin me forcë derën pasi askush nuk po përgjigjej. Ata kanë gjetur të shtruar tryezën ku familja do të konsumonte darkën.
Xhaxhai, për shkak të gazit të karbonit ka humbur ndjenjat nën sytë e karabinierëve që dolën nga shtëpia përpara se të kishin të njëjtin fat, duke dhënë alarmin dhe duke dërguar shqiptarin në spitalin e Cisanello.
Prokuroria ka filluar hetimet nëse kaldaja ka qenë e regjistruar, nëse ishte instaluar në mënyrë korrekte apo nëse i ishin kryer kontrollet e herë pas hershme sipas ligjit.
Arti Kola e kishte blerë shtëpinë tre vite më parë, por vetëm muajt e fundit ishin vendosur aty për të jetuar. Shtëpia ishte restauruar pjesërisht nga i zoti, së bashku me disa miq.



