5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Duke ndjekur shembullin e japonezëve; Pse bota po kursen më shumë para?

    Në vitin 2005, Ben Bernanke, asokohe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, u çudit nga një valë e madhe parash në brigjet amerikane dhe ishte i shqetësuar për pasojat e saj. Në një fjalim ku përshkruante këtë dukuri, ai shpiku një frazë të re.

    “Gjatë dekadës së fundit, – vuri në dukje ai, – një kombinim i forcave të ndryshme ka krijuar një rritje të konsiderueshme në ofertën globale të kursimeve – një mani globale për të kursyer”.

    Kursimtarët e të gjitha llojeve, nga amerikanët e moshuar që përgatiteshin për pension, e deri te vendet eksportuese të naftës që grumbullonin fonde, po investonin më shumë para në aksione dhe bono, sesa mund të viheshin në përdorim nga ata që kërkonin të investonin në impiante dhe pajisje.

     

     

    Në vitin 1999, zoti Bernanke qortoi Bankën e Japonisë, duke e akuzuar se ajo kishte dështuar të gjallëronte rritjen ekonomike japoneze pas shpërthimit të një “flluske ekonomike”, pavarësisht uljes së normave të interesit në zero.

    Megjithatë, 15 vjet pasi ai krijoi shprehjen “mania e kursimit”, ministritë e financave dhe bankierët qendrorë në mbarë botën, u përballën me luftën për të ruajtur një rritje ekonomike të qëndrueshme, në epokën e kursimeve të zellshme.

    Që nga viti 2000, vlera e pasurisë globale të mbajtur nga familjet, firmat dhe qeveritë, është trefishuar, nga 160 trilionë dollarë në 510 trilionë dollarë, ose nga rreth 460% e PBB-së globale, në 610%, sipas institutit kërkimor McKinsey Global Institute.

    Shumë prej tyre kanë marrë hua nga njëri-tjetri për të blerë asete, duke i çuar borxhet në nivele të larta mjaft shqetësuese. Rritja e kursimeve ndihmoi në nxitjen e çmimeve të aseteve dhe uljen e normave të interesit, duke krijuar shqetësime makroekonomike në mbarë botën.

    Tani pandemia ka tronditur shtyllat e ekonomisë globale në mënyra që mund të ndryshojnë rrënjësisht modelet e kursimit. Tregjet e shtrënguara të punës po i zhvendosin paratë te punëtorët që janë të etur për të shpenzuar, duke kontribuar në inflacionin tepër të lartë.

    Bankat qendrore, të cilat ishin të paafta të ulnin mjaftueshëm normat e interesit, për të mos lejuar që inflacioni të ulej nën objektivat e tyre, tashmë kanë filluar t’i rrisin normat për të frenuar rritjen e inflacionit.

    Megjithatë, ndërsa entuziazmi i ri për huamarrjen qeveritare ose skepticizmi ndaj globalizmit mund të ndihmojnë në tharjen e kursimeve dhe vendosjen e një normaliteti të ri, duket më e mundshme që “mania e kursimit” do të vazhdojë, falë zakoneve të vjetra dhe njerëzve më të moshuar, të cilët janë një pjesë në rritje e popullsisë së botës.

    Rezervat në rritje të kursimeve globale, shumica e të cilave mbahen në depozita bankare, obligacione, kapitale korporatash dhe prona, janë ushqyer nga tri degë kryesore: qeveritë e uritura për rezerva valutore, familjet dhe firmat që vuajnë nga mungesa e parave dhe punëtorët që po i afrohen moshës së pensionit.

    Zotin Bernanke e shqetësonte më tepër fluksi i parë, pra kursimet nga qeveritë. Akumulimi i rezervave valutore nga ana e qeverive shton kursimet në dy mënyra. Ekonomitë që eksportojnë burime, kursejnë një pjesë të të ardhurave shtesë të fituara nga eksportet e tyre dhe e kalojnë atë në aksione dhe bono. Një pjesë mbahen si rezerva zyrtare.

    Qeveria ruse ka rezerva, të cilat duke përjashtuar arin, arrijnë në rreth 460 miliardë dollarë, ndërsa ato të Arabisë Saudite arrijnë në 440 miliardë dollarë. Të ardhurat shtesë zhvendosen gjithashtu në fonde të pasurisë sovrane; ato të Abu Dhabit vlejnë pothuajse 700 miliardë dollarë, ndërsa ato të Norvegjisë, më shumë se 1.3 trilionë dollarë.

    Ekonomitë e tjera grumbullojnë rezerva valutore, ndërsa ndërhyjnë në tregje për të ulur vlerën e monedhave të tyre, për të rritur eksportet ose për të krijuar një grumbull asetesh të sigurta, që mund të shfrytëzohen në kohë stresi financiar.

    Në fakt, këto ndërhyrje ulin konsumin në ekonomitë e tyre vendase, duke reduktuar shpenzimet në raport me prodhimin dhe duke kontribuar në teprica të llogarisë korente, të cilat duhet të absorbohen nga pjesa tjetër e ekonomisë globale.

    Rezervat e mbajtura nga Koreja e Jugut, Singapori, Tajvani dhe India, janë rritur në qindra miliarda. Asnjë vend nuk është përfshirë në praktika të tilla me efekt më shkatërrues global sesa Kina, e cila mban rreth 3.2 trilionë dollarë në rezerva valutore.

     

    Kontributi i rritjes së rezervave në kursime ishte më i theksuar në kohën kur zoti Bernanke dha paralajmërimin e tij. Nga viti 1998 deri në vitin 2008, rezervat zyrtare valutore u rritën nga 5.2% e PBB-së globale, në 11.5%, mbështetur nga një rritje e qëndrueshme e çmimeve të naftës dhe akumulimi i rezervave nga Kina.

    Gjatë kësaj periudhe, rritja e rezervës valutore mund të ketë dominuar mbi burimet e tjera të kursimit. Hulumtimi nga Francis Warnock dhe Veronica Cacdac Warnock nga Universiteti i Virxhinias, tregon se vetëm akumulimi i rezervave nga janari deri në maj 2005, uli yield-in e bonove dhjetëvjeçare të thesarit me 0.8 pikë përqindje.

    Rritja e rezervës valutore u ndal gjatë krizës financiare globale, më pas rifilloi në vitet pasuese, duke arritur një kulm prej 15.2% të PBB-së globale në vitin 2013.

    Rezervat u ulën më pas (dhe ranë paksa si pjesë e PBB-së) dhe një rënie në vitet në vijim nuk mund të përjashtohet. Një periudhë e zgjatur e stresit financiar pas pandemisë, mund t’i detyrojë disa ekonomi në zhvillim që të shterojnë rezervat e tyre. Nëse tensionet ekonomike dhe gjeopolitike e detyrojnë Rusinë dhe Kinën të zvogëlojnë rezervat e tyre, kjo mund të ushtrojë presion mbi normat e interesit.

    Megjithatë, është gjithashtu e mundur që pandemia të çojë në një rritje të re të rezervave. Megjithëse një zhvendosje në energjinë me karbon zero, mund të shkatërrojë përfundimisht të ardhurat nga karburantet fosile, ky tranzicion mund të çojë në çmime të larta për naftën dhe gazin, pasi prodhimi i ri ka të ngjarë të ngecë.

    Ndërkohë, pandemia dhe pasojat e saj ndoshta do të nxisin tërheqjen e rezervave valutore. Gjatë panikut financiar të marsit 2020 dhe përsëri në muajt e fundit, ndërsa kushtet e vështira globale penguan tregjet në zhvillim, ekonomitë që i përballuan më mirë streset, ishin ato me rezerva të mjaftueshme valutore.

    Ky mësim tashmë është vënë në përdorim. Deri në vjeshtën e vitit 2021, rezervat ishin afërsisht 1 trilion dollarë më të larta se sa para Covid-19.

    Efektet e akumulimit të rezervës mund të kompensohen nga rritja e huamarrjes së qeverive. Ngarkesat e borxhit të qeverive, tepër të larta që para pandemisë, kanë shpërthyer gjatë dy viteve të fundit, dhe vetëm në vitin 2020, borxhi publik si pjesë e PBB-së u rrit me gati 20 pikë përqindje në ekonomitë e zhvilluara, duke arritur në 123%, dhe me gati dhjetë pikë përqindje në të gjithë ekonomitë në zhvillim, duke arritur në 63%.

    Studimi i kryer nga Lukasz Rachel, nga London School of Economics, dhe Larry Summers nga Universiteti i Harvardit, llogarit se gjatë gjysmëshekullit të fundit, rritja e borxhit qeveritar në ekonomitë e pasura, i rriti normat e interesit me rreth 1.5 pikë përqindje. Ky efekt u baraspeshua nga faktorë të tjerë në të kaluarën, por mund të mos ndodhë kështu në dekadat e ardhshme.

    Një problem i shtresës së pasur

    Një rrjedhë e dytë e kursimeve ka ardhur nga familjet dhe kompanitë që kanë gëzuar një gjendje më të mirë financiare gjatë dekadave të fundit. Që nga vitet 1970, pabarazia është rritur në shumë ekonomi.

    Familjet më të pasura kanë një prirje më të lartë për të kursyer, kështu që ky ndryshim në shpërndarjen e të ardhurave kontribuoi në maninë e kursimit, sipas studimit nga Atif Mian nga Universiteti Princeton, Ludwig Straub nga Universiteti i Harvardit dhe Amir Sufi nga Universiteti i Çikagos.

    Nga viti 1983 deri në 2019, pjesa e të ardhurave amerikane që shkon për 10% e popullsisë me të ardhura më të larta, u rrit me 15 pikë përqindje. Për shkak të kësaj “manie kursimi nga të pasurit”, kursimi mesatar vjetor nga 1% i rrogëtarëve më të mëdhenj në Amerikë, ka tejkaluar mesataren vjetore të investimeve të brendshme neto që nga viti 2000. Rritja e pabarazisë përbën rreth 0.6 pikë përqindje të rënies së normave të interesit në botën e pasur që nga vitet 1970, sipas Rachel dhe Summers.

    Familjet me të ardhura të larta nuk kanë qenë të vetme në grumbullimin e kursimeve. Për dekada, korporatat kanë grumbulluar gjithashtu para, duke mbajtur një pjesë të madhe të fitimeve të tyre të majme neto.

    Sipas Peter Chen nga Analysis Group, një konsulencë ekonomike, dhe Brent Neiman nga Universiteti i Çikagos si dhe Loukas Karabarbounis nga Universiteti i Minesotës, kursimet vjetore globale të korporatave, u rritën nga më pak se 10% e PBB-së botërore, në gati 15% midis viteve 1980 dhe 2015. Sektori i korporatave ka vepruar si një huadhënës neto për ekonominë globale, në vend të një huamarrësi neto.

    Ashtu si me akumulimin e rezervës, rëndësia relative e faktorëve të tillë është rritur dhe zbehur. Pabarazia e të ardhurave u rrit ndjeshëm nga viti 1980 deri në vitin 2000. Në vitet që pasuan, ajo është ulur në disa ekonomi, si ajo e Britanisë, dhe është rritur me një ritëm më të ngadaltë në të tjera, si ajo e Amerikës.

    Kursimet e korporatave, në të kundërt, u rritën relativisht ngadalë përpara vitit 2000, më pas shumë më shpejt pas kësaj periudhe, pasi kompanitë grumbulluan para nga rritja e fitimeve. Në Amerikë, për shembull, fitimet e korporatave kanë qëndruar në nivelin mbi 10% të PBB-së për pjesën më të madhe të periudhës që nga viti 2006, në një kohë kur nuk ishin rritur kurrë mbi nivelin 8% në tremujorin e shekullit të kaluar.

    Pabarazia e të ardhurave dhe përfitimi i korporatave nuk mund të parashikohen me siguri. Të dyja pasqyrojnë ndërveprimin e forcave të panumërta, nga baraspesha e fuqisë së korporatave dhe fuqisë punëtore, gjendja e progresit teknologjik dhe rritjes së produktivitetit, e deri tek taksat dhe politikat rregullatore të qeverisë.

    Është e mundur që tendencat e gjysmëshekullit të kaluar mund të përmbysen nga pandemia dhe pasojat e saj. Gjatë 18 muajve të fundit, tregjet e shtrënguara të punës ndihmuan në rritjen e pagave dhe forcuan ndikimin e punëtorëve te punëdhënësit e tyre.

    Rritja më e ngadaltë e fuqisë punëtore të shoqërive në plakje, mund të ndihmojë në ruajtjen e këtyre përfitimeve. Kompanitë – veçanërisht ato të mëdha dhe fitimprurëse të teknologjisë – janë nën mbikëqyrjen e rreptë të rregullatorëve që kërkojnë të nxisin konkurrencën. Kushtet më të mira për punëtorët, përveçse reduktojnë pabarazinë, gjithashtu duhet të ulin fitimet e firmave.

    Një tërheqje nga globalizimi mund t’i përforcojë këto tendenca. Nga ana tjetër, ndryshimet thelbësore në pabarazi janë relativisht të rralla në ekonominë moderne. Kompresimi i madh i të ardhurave që ndodhi nga vitet 1910 deri në dekadat e pasluftës, erdhi si shkak i Depresionit dhe likuidimit të pasurive për të financuar luftërat, pasi taksat mbi të pasurit u rritën shumë më tepër se nivelet aktuale. Për momentin, trazira të tilla duken të pamundura.

    Për më tepër, siç shkruajnë zoti Mian dhe bashkautorët, efektet e pabarazisë në kursime mund të theksohen. Ndërsa kursimet e larta nga të pasurit nxisin rritjen e normave të interesit, ata argumentojnë se familjet më të varfra rrisin huamarrjen për të mbështetur konsumin e vet.

    Por ndërsa borxhi grumbullohet, ata janë të detyruar të reduktojnë shpenzimet për të shlyer kreditë. Për më tepër, pagesat e tyre të borxhit, çojnë në transferimin e më shumë parave për familjet e pasura, blerjet e aseteve të të cilave, më pas financojnë efektivisht huamarrjen e jo të pasurve.

    Kurthi që rezulton nga kjo, pra një pabarazi e lartë, norma të ulëta interesi dhe borxhi i lartë mes familjeve më të varfra, mund të jetë i vështirë për t’u shmangur, duke mbështetur kursimet e të pasurve, si një forcë e fuqishme makroekonomike.

    Shumë më i rëndësishëm është faktori i tretë që nxit kursimet, i cili lidhet me plakjen e popullsisë dhe mund të nxisë ndryshime të tjera post-pandemike në sjellje. Bota po plaket gjithnjë e më tepër dhe në dekadat e ardhshme, kursimet e të moshuarve do të ushtrojnë presion të pamëshirshëm mbi makroekonominë.

    Në të gjitha vendet, kursimet e familjeve po ndjekin një model të besueshëm. Kur punëtorët janë të rinj, ata kursejnë pak, madje marrin edhe borxhe. Kursimet e tyre rriten në të 30-at dhe të 40-at, dhe arrijnë kulmin një dekadë apo më shumë para daljes në pension.

    Ndërsa popullsia është plakur në gjysmëshekullin e fundit, veçanërisht në botën e pasur, pjesa e punëtorëve në vitet e kursimit, është rritur gjithashtu, duke çuar në grumbullimin e më shumë parave rezervë.

     

    Në një studim të fundit që shqyrtonte efektet e ndryshimit demografik në kursime, Etienne Gagnon, Benjamin Johannsen dhe David López-Salido nga Bordi i Rezervës Federale tregojnë se plakja në Amerikë mund të përbëjë rreth një pikë përqindje të rënies së normave të interesit, që nga vitet 1980. (Studime të tjera të fundit kanë konstatuar efekte më të mëdha, deri në tre pikë përqindjeje.)

    Duke marrë si shembull të kaluarën, normat duket se do të mbeten të ulëta. Duke përjashtuar një rritje të prodhimit, ose përqafimin e një qasjeje distopike “Logan’s Run” ndaj të moshuarve, popullsia e botës do të vazhdojë të plaket.

    Përqindja e popullsisë globale mbi moshën 50 vjeç, u rrit nga 15% në vitet 1950, në 25% sot, thonë Adrien Auclert dhe Frédéric Martenet nga Universiteti Stanford, Hannes Malmberg nga Universiteti i Minesotës dhe Matthew Rognlie nga Universiteti Northwestern. Ajo pritet të rritet në 40% deri në vitin 2100.

    Kjo mund të rezultojë të jetë një nënvlerësim, nëse marrim parasysh tendencat e fundit të fertilitetit. Në vitin 2021, shkalla e lindjeve në Indi ra në vetëm 2.0 fëmijë për grua — nën shkallën ku lindjet dhe vdekjet janë në ekuilibër të përafërt.

    Në të vërtetë, një numër në rritje i tregjeve në zhvillim po përjetojnë një rritje të ngadaltë të popullsisë, që është e zakonshme në vendet e pasura. Hulumtimi i fundit nga Matthew Delventhal në Kolegjin Claremont McKenna, Jesús Fernández-Villaverde në Universitetin e Pensilvanisë dhe Nezih Guner në Universitat Autònoma de Barcelona, arriti në përfundimin se tranzicione të tilla – kalimi nga nivelet e larta të vdekshmërisë dhe lindshmërisë në ato të ulëta – që shoqërojnë zhvillimin ekonomik, ndodh më shpejt me kalimin e kohës.

    Njëqind vjet më parë, ky tranzicion zgjati një gjysmëshekulli ose edhe më shumë, por tani ka tendencën të përmbushet në vetëm dy ose tre dekada. Rreth 80 vende e kanë përfunduar këtë tranzicion dhe pothuajse në të gjitha vendet e tjera është në proces.

    Për më tepër, pandemia uli edhe më tej normat e lindjeve në shumë vende. Shkalla e lindjeve në Kinë arriti një rekord të ulët në vitin 2021, duke sjellë epokën e rënies së popullsisë kineze. Amerika përjetoi gjithashtu një rënie të numrit të foshnjave, e cila, e kombinuar me emigracionin në rënie, uli normën e rritjes së popullsisë në vetëm 0,1% në vitin 2021 – rritja më e vogël vjetore që nga viti 1900.

    Fundi i pandemisë mund të sjellë një rritje të normave të lindjeve. Por prirja e përgjithshme është e dukshme: bota po thinjet, me shpejtësi.

    Nuanca të panumërta gri

    A do të mbetet efekti i plakjes tek kursimet, i njëjtë si gjatë gjysmëshekullit të kaluar? Në një studim, Charles Goodhart nga London School of Economics dhe Manoj Pradhan nga shoqëria kërkimore Talking Heads Macroeconomics, argumentojnë se plakja e popullsisë do të ulë normat e interesit vetëm deri në një pikë të caktuar, pas së cilës do të ndodhë një “ndryshim i madh demografik”.

    Pikëpamja e tyre mbështetet pjesërisht në vëzhgimin se, megjithëse punëtorët në prag të daljes në pension kursejnë më shumë, ata që janë tashmë në pension fillojnë të shpenzojnë rezervat e tyre të aksioneve dhe bonove. Pra, rritja e përqindjes së popullsisë mbi moshën e pensionit, mund të nënkuptojë se përqindja e punëtorëve që kursejnë shumë, do të arrijë kulmin dhe më pas do të ulet, duke ulur kursimet dhe duke rritur normat e interesit.

    Një ndryshim i madh demografik duket i mundshëm, veçanërisht në vende si Amerika, ku një grup i madh i brezit të ashtuquajtur “baby boomers” po del në pension.

    Por ekonomistë të tjerë thonë se ka arsye për të menduar se plakja do të vazhdojë të ulë normat e interesit. Për shembull, ata vërejnë se është profili i moshës së një popullsie në tërësi ajo që ka rëndësi. Me të vërtetë ka shumë persona që i përkasin brezit “baby boomers”, por mosha mesatare në Amerikë është ende vetëm 38 vjeç.

    Një arsye tjetër është se, në botën në zhvillim, një pjesë më e madhe e punëtorëve nuk e kanë arritur ende moshën kur mbahen kursime më të mëdha. Për shembull, mosha mesatare në Indi është vetëm 28 vjeç. Për sa kohë që tregjet financiare mbeten të integruara në mënyrë të arsyeshme në mbarë botën, kursimet më të larta do të ndihmojnë në uljen e normave të interesit.

    Ndoshta më e rëndësishmja, njerëzit në pension nuk shpenzojnë shumë. Përkundrazi, për një sërë motivesh, për të shmangur shterimin e kursimeve të tyre ose për të siguruar pasuri për trashëgimtarët, ata mbajnë stoqe të mëdha pasurie. Në Britani, për shembull, që nga viti 2018, njerëzit mbi 80 vjeç, kishin më shumë pasuri se ata të moshës 45 deri në 49 vjeç.

    Studimi i fundit nga Noëmie Lisack nga Banque du France, Rana Sajedi nga Banka e Anglisë dhe Gregory Thwaites nga Universiteti Nottingham, vlerëson se ky zakon i ruajtjes së kursimeve do të ulë normat e interesit nga mesi i shekullit me gati gjysmë pikë përqindjeje në krahasim me nivelet aktuale. Ndërkohë që pabarazia dhe niveli i rezervave nuk tregojnë shenja rënieje, forca e pashmangshme e demografisë duhet të vazhdojë të nxisë rritjen e kursimeve.

    Me fjalë të tjera, bota në të ardhmen mund të duket gjithnjë e më shumë si Japonia. Atje, mosha mesatare është 48 vjeç, më shumë se një e katërta e popullsisë është mbi 65 vjeç dhe yield-i i një bonoje qeveritare 30-vjeçare është 0.8%, pavarësisht nga ngarkesa e borxhit të qeverisë prej plot 259% të PBB-së.

    Një brez më parë, zoti Bernanke llogariti se rritja e dobët e Japonisë dhe normat tepër të ulëta të inflacionit dhe interesit, ishin pasojë e “paralizës së vetëshkaktuar” nga banka qendrore. Sot, një realitet i tillë duket më shumë si fati i pashmangshëm i një bote më kursimtare.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit