9.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Durrësi “shpëton” turizmin, Jugu gropë

    Operatorët turistikë të bregdetit të Durrësit-Golemit janë të vetmit që nuk po ankohen për ecurinë e aktivitetet këtë sezon.

    Në sportelin e hotel “Elba”, pranë Shkëmbit të Kavajës, një çift i ri po bën ‘check-in’. Punonjësja i shpjegon se janë të përfshira të gjitha vaktet dhe pije pa limit. Kur e pyesim nëse ka dhoma bosh, sipërmarrësja pohon se edhe mund të gjejnë, po përgjithësisht hoteli është i zënë.

    Çmimi për një person është 65 euro në ditë, me të gjitha vaktet e përfshira (all inclusive) dhe pije pa limit gjatë gjithë ditës, parkim e çadra. “Jemi biznes familjar”, thotë ajo, nëse i rri punës në kokë dhe mban çmime të mira, nuk ka pse ankohesh.

    Më tutje,  në Hotel “Arbëria”, kamarieri të thotë që nuk ka asnjë dhomë të lirë. Edhe te hotel “Andi”, ku dhoma për dy persona kushton 65 euro, me mëngjes, nuk ka asnjë vend të lirë.

    Çmimet gjatë restoranteve të shëtitores nuk kanë ndryshuar shumë në krahasim me vitin e kaluar, ose kanë shënuar rritje të lehtë me 30-50 lekë për pjatë. Një picë kushton nga 300-700 lekë, sallata nga 250 lekë, pjatat me mish e peshk fillojnë nga 800-900 lekë, risotto nga 500 lekë.

    Edhe në hotelet më luksoze sërish nuk gjen vende. Sporteli i “Dolce Vita” është i mbushur me turistë që prsin radhën për ‘check in’. Punonjësi në sportel thotë se nuk ka asnjë dhomë të lirë për momentin. Çmimi është 80 euro nata dhoma për dy persona, me mëngjes të përfshirë.

    Është ora e darkës dhe salla e Hotel “Bonitës”, që vitet e fundit ka zgjeruar ndjeshëm kapacitet është plot me turistë, që kryejnë vetëshëbim. Në sportel të thonë se për momentin nuk ka asnjë dhomë bosh, por mund të lirohen pas disa ditësh. Çmimi është 80 euro për person/ditë, me katër vakte të përfshira dhe pije pa limit. Në oborr ka makina nga e gjithë Europa, por mbizotërojnë targat nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ka dhe shumë polakë, të thonë në sportel, që vijnë me charter-a.

    Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, thotë se nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar. “Si kapacitet i shfrytëzimit të hoteleve dhe plazheve, përveç Durrësit, të tjerët janë më keq se vitin e kaluar”.

    Ai thotë se Bregdeti Durrës- Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%.

    Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%.

    Bregdeti i Sarandes është mbi 70%; Bregdeti i Vlores 75-80%

    Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%.

    Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70-75%.

    Modeli i ri i zhvillimit të turizmit në qytetin bregdetar të Durrësit, që në fakt ishte i pari që u godit nga betonizimi masiv, tashmë duket se e ka gjetur rrugën e suksesit.

    Vitet e fundit, ndërtimi i hoteleve me standard dhe kapacitete, që futën shërbimin të gjitha të përfshira (pas rritjes së kërkesës dhe parablerjeve nga agjencitë e huaja turistike), shndërrimi i pallateve të vijës së parë kryesisht në hotele apo apartamente të menaxhuara, çmimet konkurruese, hapësira bregdetare dhe shëtitorja, kanë sjellë vlerë të shtuar për zonën dhe kanë ndikuar në rritjen e punësimit.

    Në kontrast, qeveria nuk ka arritur të mbështesë këtë zhvillim as me ndërtimin e një infrastrukturë minimale, që ende pas shumë vitesh nuk ka përfunduar.

    Të huajt po mbajnë në këmbë turizmin këtë vit

    Deri në qershor, të dhënat e fundit të disponueshme të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj ishin 16% më shumë për 6 mujorin se e njëjta periudhë e 2019-s dhe 40% më shumë vetëm në qershor.

    Duket se janë të huajt që po e mbajnë në këmbë turizmin këtë vit dhe kryesisht në bregdetin e Durrësit e atë të Vlorës e Sarandës, ndërsa pushuesit vendas janë në rënie. Kjo për disa arsye:

    -Së pari, vitin e kaluar shumë vende kishin kufizime për të udhëtuara, çka bëri që shumë pushues të zgjidhnin Shqipërinë. Tashmë shumë prej tyre kanë ikur jashtë, të nxitur dhe nga biletat ajrore më të lira. Turqia mbetet një vend i preferuar, por edhe shtete të Europës si Portugalia, Spanja, apo edhe Greqia e Italia që janë destinacione të përvitshme.

    -Së dyti, emigracioni po ndikon çdo aspekt të ekonomisë së vendit, teksa ikja e të rinjve ka ulur dhe fluksin e turistëve në zonën e Jugut, që ishte e preferuar për këtë grupmoshë. Operatorët thonë se dhe jeta e natës është e dobët këtë vit.

    -Së treti, çmimet e larta dhe perceptimi për raportin cilësi -çmim kanë bërë që shumë pushues të refuzojnë në heshtje bregdetin e zonës së Himarës dhe Dhërmiut, që po rezulton këtë sezon me zënien më të ulët të kapaciteteve hoteliere. Në këto zona çmimet maksimale arrijnë deri në 350 euro dhoma/natë, nga 280 euro vitin e kaluar.

    -Rritja e çmimeve është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht. Në korrik inflacioni arriti në 7.5% më i larti në 20 vjet, ku ndikim kryesor e dha shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve.

    Operatorët turistë pohojnë se është shkurtuar koha e pushimeve në 4-5 ditë, nga një javë që ishte normalja më parë, ndërsa janë reduktuar dhe udhëtimet e fundjavave. Kjo konfirmohet indirekt dhe nga konsumi i karburanteve, që në korrik dhe gusht po rezulton më i ulët se vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Shoqata e Hidrokarbureve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit