10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Durrsaku 95- vjeçar, që sfidon moshën

    Nga Bujar Qesja

    Teksa qendroja me një grup shokësh, më tërheq vëmëndjen silueta e një të njohuri.

    Kam shkruar për të si notar dhe besoj të mos gaboj, për ta trajtuar si të vetmin notar me frymë, për nga mosha 95 vjeçare që është.

    Por në mesditën e 26 qershorit 2024, nuk i besova syve kur pashë Zyhdi Marën me dyrrotaken e tij. Biçikleta edhe ajo shumë e vjetër. Bëra gabim që nuk e pyeta, se çfarë moshe kishte. Sa e vura re, u ngrita menjëherë dhe i fola:

    – Zyhdi ndalo pak! Kam dy vite pa të parë, por po vë re, që mbetesh shumë i fortë, duke vazhduar të mos besosh se po plakesh.

    – Duhet me punu i nderuar dyrrsaku im. Gruaja Refo, është rrëzuar dhe i kanë vendosur pllakë metalike në fund të kolonës. Jemi njerëz të gjallë dhe do të punojmë sa të kemi frymë.

    Një thes i madh me peshë 20 kilogram, ishte vendosur tek portopagali i biçikletës dhe një ngarkesë jo të vogël tek koshi i timonit, sapo e kishte shkarkuar diku.

    Vura re staturën fizike shumë të brishtë, por kocka dhe zemra, ia kalojnë fortësisë së shkëmbit. Mësova se në biçikletë kishte vendosur ushqimin e pulave. Përballon jetë të ngarkuar, aq sa vetë pesha e vënë tek dyrrotakëshi i tij.

    Besnik Biduli po më tregonte, se Diu (Zyhdiu), ishte nga saldatorët më fantastikë të Kantjerit Detar. Mjeshtër kaluar mjeshtërit. Punëtor i madh. Ky Zyhdi Mara nuk i takon vetëm vetes, por edhe ne të tjerëve.

    Pse gjykoj kështu? Ai përfaqëson shembullin më argumentues, që durrsakët kanë qenë dhe mbeten, punëtorë të mëdhenj, të qetë, të urtë, hokatar, seriozë, të gjindshëm, kavaljerë dhe korrektë.

    – Sa të më lëvizë këmba dhe dora, sa të më rrahë zemra, sa të mos më lëkundet vullneti dhe dëshira, sa të më ketë mbetur qoftë edhe një gram fuqi, do të më shikosh rrugëve të Durrësit, ja kështu duke ” vozitur”.

    Kështu më foli urtë e butë, Zyhdiu i Marave.

    Vështroni foton dhe e bëni vetë komentin. Ky burrë është 95 vjeç. Dhe pesë 12 mujorë, arrin shekullin.

    E shikoni pra miqtë e mi, se kë kam takuar sot dhe për kë po hedh mendime, që siç shkruajta më lart vijnë nga truri im.

    I shtrëngova dorën e rreshkët. E ofrova pranë vetes dhe i vendosa krahun, në brinjët e forta si hekuri të kurrizit. Punëtor i madh, qendrestar i madh, mënçuri pikante popullore ky Zyhdi Mara i Durrësit.

    Çfarë shembulli! Koha ia nxorri më shumë në pah cilësitë. Dhe ai nuk ka ndërmënd të ndryshoj rrugë.

    Çfarë shkrimi do të më dalë, në 100 vjetorin e lindjes tënde Zyhdi Mara!

    Mrekullia e pangjarë, do të ndodhë atë ditë.

    Të kemi durim dhe le ta presim!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit