Erald Sina, Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë dhe Artan Pullazi, Team Leader pranë kompanisë telefonike “ONE Albania”, janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të një operacioni të madh antidrogë që u zhvillua dy netë më parë.
Nga hetimet, veç Erald Sinës dhe Artan Pullazit, janë identifikuar edhe 31 shtetas të tjerë të të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për 22 shtetas, 5 të tjerë janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.
Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.
Personat e arrestuar janë: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela, Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në:
Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit. Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.
Erald Sina, Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë pranë kompanisë “ONE Albania”, është marrë nën hetim disa muaj më parë për fshehjen e një incidenti të ndodhur në ambientet e kompanisë.
Më 25 dhjetor, rreth orës 02:30, dy shtetas të maskuar hynë në pikën e ONE Albania në zonën e Laprakës dhe dëmtuan drynin e derës së pasme. Ngjarja u konstatua nga punonjësi i sigurisë Gentian Koçi, i cili ka deklaruar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Incidenti nuk u njoftua menjëherë tek organet e ligjit, por vetëm tek drejtuesit teknikë dhe grupi privat i sigurisë së kompanisë.



