Socialistët kanë mundësinë për të zgjedhur një president nga radhët e tyre. Procedura e cila nis në mesin e këtij muaji duket se favorizon edhe më shumë mazhorancën, pasi jo vetëm që ka votat për të miratuar e vetme presidentin, por edhe përçarja brenda kampit opozitar, politikisht i jep pikë PS-së të shkojë drejt miratimit të një kandidature pa pasur nevojë të negociojë.
Gazeta ka mësuar se dy emra të tjerë që po përfliten më shumë për të marrë postin e kryetarit të Shtetit janë: Veton Surroi dhe Majlinda Bregu. Gjithashtu, në media këto ditë kanë qarkulluar dhe emra që kanë shkaktuar shumë debat, si Princ Leka Zogu dhe Ramush Haradinaj. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e përjashtoi mundësinë që të jetë një nga kandidatët e mundshëm për t’u zgjedhur presidenti i Shqipërisë. Ndërsa për Leka Zogun si president, nuk mund të pritet asnjë reagim, pasi Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë.
Leka II ka mbajtur që nga lindja pasaportë të Afrikës së Jugut me të cilën ka udhëtuar në Evropë dhe Australi tek njerëzit e nënës së tij. Bazuar në Kushtetutë dhe në ligjin e kohës për shtetësinë, Leka II nuk plotëson kriterin që të jetë shqiptar që nga lindja për t’u bërë president i Republikës.
Veton Surroi si president
Veton Surroi është publicist i njohur shqiptar dhe një nga emrat që mund të zëvendësojë Ilir Metën në Presidencë. Një personalitet me karrierë të gjatë politike. Veton Surroi vjen nga një familje e njohur shqiptare dhe i ati i tij, Rexhai Surroi, ishte ambasador i ish-RSF Jugosllavisë në Spanjë dhe në një numër të vendeve amerikano-latine. Si rrjedhojë, Surroi e kaloi një pjesë të jetës së tij në botën spanjisht-folëse dhe u shkollua atje.
Po ashtu analisti Surroi është pyetur në një studio televizive nëse do të ishte i gatshëm të bëhej President i Shqipërisë. Surroi nuk e përjashtoi veten duke thënë se çdo qytetar i cili e ka të drejtën i jepet rasti dhe bëhet ftesa kalon përmes disa procedurave. “Kalon procedurën juridike kushtetuese, duhet të jetë i nderuar me një propozim”, tha Surroi.
Rasti i Majlinda Bregut
Tre herë deputete në Kuvend, ministre e Integrimit dhe zëdhënëse e Qeverisë “Berisha”, Majlinda Bregu që prej tre vjetësh me detyrën sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, është shfaqur ditët e fundit në Tiranë si emër i përfolur për të qenë presidente e Republikës e përzgjedhur si emër nga socialistët. Por a është e mundur që Majlinda Bregu të jetë seriozisht një kandidate për presidente e Republikës?
Opozita e Sali Berishës nuk do të thirret në bisedime ndërsa pjesës tjetër të saj nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt do ti kërkohen disa kandidatura ku një ndërmjet tyre duhet të jetë patjetër zonja Bregu. Majlinda Bregu është e vetmja politikane e djathtë shqiptare me njohje dhe lidhje të hershme në Bruksel e Uashington e cila vazhdon karrierën e saj tashmë si diplomate në institucionet rajonale ty Bashkimit Evropian.