7.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Dy rrugët e Andit

    Nga Viktor Malaj

    Zoti Andi Bushati shfaqet prej kohësh si njëri prej kritikëve më të rreptë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Një fakt i tillë e nderon z. Bushati për dy arsye: Së pari, është shërbim ndaj popullit dhe vendit qëndrimi kritik kundrejt qeverisësve të çdo kohe dhe, së dyti, qeverisja e sotme dhe drejtuesi i saj kanë lënë vend për shumë kritika dhe akuza.

    Mirëpo, kur njeriu shfaqet dhe lufton kundër një gjëje të keqe, do të ishte mirë të ofronte mendimet dhe propozimet e tij edhe rreth të mirës dhe të dobishmes me të cilën ai beson se duhet zëvendësuar ajo që nuk na pëlqen. Në skenën politike shqiptare kemi prej mbi tridhjetë vjetësh që sundohemi, joshemi, mashtrohemi dhe zhgënjehemi prej thuajse të njëjtave figura politike.

    Më saktë, kemi dy grupime laramane politike, të përbëra nga parti dhe partiçka tashmë të provuara disa herë, në pushtet dhe opozitë, disa prej të cilave kanë kaluar herë në njërin krah dhe herë në tjetrin, duke dëshmuar se tërhiqen nga jargë – instinkti i vërtetuar prej Pavllovit – dhe jo nga idealet e Sokratit.

    Duke u përpjekur t’i shmangemi dëshpërimit dhe nihilizmit, duhet pohuar se rezultati përfundimtar ka qenë zhgënjimi i pjesës më të madhe të popullsisë, ku fus dhe veten time.

    Në këto kushte shfaqen vrik pyetjet: Çfarë duhet bërë? A është e vërtetë që vetëm partitë politike dhe drejtuesit e tyre janë të padenjë e me vese, apo edhe ne që i kemi krijuar, mbështetur, votuar e frymëzuar, nuk jemi më të mirë se ata?

    Arsyeja e shëndoshë të çon në konkluzionin se, sikur shumica e popullsisë shqiptare të kishte ideale dhe virtyte të qëndrueshme këto parti dhe, veçanërisht drejtuesit e tyre, do të ishin mënjanuar nga drejtimi i punëve tona dhe me ta do të kishte ndodhur ashtu siç ndodh në natyrë me bimët që iu mungojnë uji, ajri, drita dhe lëndët ushqyese që thahen e zhduken.

    Përderisa këto forca politike dhe drejtuesit e tyre vazhdojnë të kenë “ushqimin” e kërkuar, domethënë një sasi njerëzish që i ndjekin, i votojnë dhe i miratojnë sjelljet e tyre, ata do të vazhdojnë të jenë pengesa nëpër këmbët e shoqërisë tonë dhe do ta ndikojnë jetën e saj.

    E mira qytetare dhe kombëtare do të ishte që të mundësohej krijimi dhe rritja e forcave të reja politike, me moral krejt të ndryshëm nga ekzistueset. Mirëpo, edhe këtu lindin pyetje të tjera: Ku t’i gjejmë aq shumë njerëz idealistë dhe të virtytshëm që të bëhen bashkë dhe të tërheqin shumicën e popullit në veprimtari shtetërore e kombëtare ripërtëritëse?

    E, nëse do të gjendeshin këta njerëz, a do të mund të sfidonin ata këto forca dhe grupime politike të rrënjosura thellë, tashmë me shumë njohje e lidhje njerëzore dhe me po aq shumë bazë ekonomike e financiare që buron nga nderet e privilegjet që iu kanë krijuar të tjerëve nëpërmjet pushtetit tridhjetëvjeçar dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të të privilegjuarve në strukturat e tyre politike? Si shumë e vështirë dhe, andaj, duket fare pak e mundur.

    Tani, kur qeverisja aktuale po i afrohet dhjetëvjeçarit, përballë saj kemi po të njëjtat struktura politike, të provuara dhe të diskredituara disa herë, të njëjtët politikanë që e kanë provuar veten si administratorë të dështuar dhe qeverisës të pavirtytshëm.

    Të kritikosh dhe akuzosh qeverisjet, edhe aktualen, është shërbim publik, por të kërkosh zëvendësimin e tyre me vjetërsira të ndryshkura, me kadavra politike që mbajnë erën e qelbur të korrupsionit, paligjshmërisë e  harbutërisë dhe që e shkuara e tyre shpërfaq dhimbjen e veprave kriminale që kanë kryer, kjo përbën regres dhe dëm publik.

    I zhgënjyer nga faza më e fundit e “revolucionit” berishist, z. Bushati shkruante se:

    “Në klimën e terrorit të patronazhistëve dhe aktivistëve, qytetarët e punësuar kanë frikë të shfaqen në krah të opozitës… Një rrugë më me risk, por më afatshkurtër, është ajo e sjelljes si një pakicë radikale… Ajo mund të prodhojë efektin psikologjik të një pushteti që nuk është i pasfidueshëm. Rruga tjetër është më afatgjatë dhe kërkon më tepër sakrificë dhe moral. Opozita do të duhej të bëhej streha e njerëzve të virtytshëm e të besueshëm… Ky projekt duket tepër idealist”.

    Sipas pohimeve, shumë herë të përsëritura prej disa vitesh, z. Bushati nuk e vë në dyshim zëvendësimin e pushtetit aktual me establishmentin krejt të diskredituar dhe po aq të inkriminuar të kësaj opozite politike, por thjesht ka vetëm mëdyshjen që lidhet me rrugët e zëvendësimit. Megjithëse mund të pajtohem me të rreth nevojës së zëvendësimit të qeverisjes aktuale, më duhet të shpreh bindjen time se nuk pajtohem me rrugët e propozuara prej tij, pasi njëra është e gabuar, antidemokratike dhe e paligjshme, ndërsa tjetra tingëllon e pamundur aktualisht.

    Për rrugën e parë të “pakicës radikale”, z. Bushati ka edhe bashkëmendimtarë dhe veprimtarë të tjerë, si një farë A. Lumezi që pohonte se “Qëllimi i një proteste është ta vendosë në vështirësi qeverisjen. Për ta bërë këtë duhet mosbindje civile, të bllokohen institucionet nga funksionet”, apo një tropojan i quajtur A. Biberaj i cili ka dashuri dhe dhimbje vetëm për tropojanin Sali dhe aspak për popullin e Tropojës, dhe shprehej se “Rama ka cenuar sigurinë kombëtare të SHBA-së (ata që cenojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së ajo i shpall non-grata – V. Malaj). Sot nuk duhej të ktheheshim në shtëpi por të rrethonim Kryeministrinë dhe Bashkinë e Tiranës. Duhen bllokuar rrugët, portet, aeroportet… Të vijë një person tjetër, të jetë socialist, të bëhet një qeveri e përbashkët”.

    Kjo rruga radikale e propozuar prej “të paduruarve” ka aspektet e saj antidemokratike dhe antiligjore. Është antidemokratike sepse, siç e pohon z. Bushati, një “pakicë radikale” kërkon t’i imponohet shumicës së popullit, jo nëpërmjet bindjes, alternativave dhe përmirësimit të vetes deri sa të bëhet e besueshme, por nëpërmjet shtrëngimit imponues.

    Të kërkosh të bëhesh shumicë duke ushtruar dhunë apo bllokuar veprimtarinë qytetare e publike do të thotë se ke shkelur rregullin numër një të pluralizmit dhe demokracisë, atë të ardhjes në pushtet me vullnetin e shumicës së popullit të shprehur në kutitë e votimit dhe jo imponimit të rrugës.

    Nga ana tjetër, “bllokimet” me dhunë të rrugëve, porteve, aeroporteve apo institucioneve shtetërore, janë jo vetëm veprime antidemokratike, por edhe antiligjore dhe antikushtetuese, dhe legjislacioni shqiptar i dënon mjaft rëndë.

    Sali Berisha dhe banda e tij nuk i lënë pa përdorur këto mjete pse pengohen nga skrupujt moralë apo se udhëhiqen nga parime demokratike, por sepse i kanë provuar më se një herë, sidomos në shtator 1998, dhe iu kanë dështuar për shkak të rrethanave të brendshme dhe, sidomos, atyre të jashtme.

    Nëse atëherë nuk u dënuan penalisht kryesisht për shkak të rrethanave të jashtme, sot ekzistojnë të gjitha mundësitë të përfundojnë në qeli, vend i vështirë, sidomos për pleq dhe për njerëz të mësuar me luks.

    E di se z. Bushati, dhe jo vetëm, do të thoshin se Rama nuk e lejon opozitën të fitojë zgjedhjet sepse i blen ato etj.etj. Fatkeqësisht dhe fatmirësisht kjo nuk është e vërtetë. Po të ishte ashtu, sondazhet e brendshme dhe të jashtme do të jepnin panoramë të ndryshme sot dhe përpara zgjedhjeve por, për shkak të shkallës së lartë të degradimit dhe diskreditimit të kupolës drejtuese të opozitës, ende një shumicë relative e shqiptarëve preferon vazhdimin e këtij pushteti përpara rikthimit të një të keqeje më të madhe.

    Nga ana tjetër, ka ikur koha e “qeverisjeve të përbashkëta”. Zoti Biberaj pulit sytë nga drita e diellit dhe shikon ëndrra duke kujtuar se sot jemi në vitin 1991 kur gjendja e brendshme ishte krejt ndryshe dhe, si populli ashtu edhe faktori ndërkombëtar nuk e njihnin çetën e re politike shumëpremtuese e zhurmuese, por që rezultoi e rreme, e paaftë, mashtruese, harbute dhe e korruptuar.

    Në 2017 partia e tij e provoi sërish “bashkëqeverisjen” përpara zgjedhjeve si mjet për evitimin e parregullsisë zgjedhore, duke drejtuar vetë edhe ministritë: të brendshmen, të drejtësisë, të financave etj. dhe humbja qe dramatike, por soji i tyre nuk duan ta lexojnë mesazhin që jep fjala e mençur e popullit: “O Balo të hëngërt tenja, e ke të keqen nga brenda!”.

    Opozita e sotme, dhe z. Biberaj bashkë me të, ndërsa akuzojnë L. Bashën se ishte peng i pushtetit aktual, nga ana tjetër kërkojnë t’i imponojnë pushtetit aktual se kush duhet të jetë kryeministër. Janë “të squt për besë”, apo jo?!

    Sali Berisha dhe shumica e satelitëve që i sillen përreth janë të padenjë për të riqeverisur jo vetëm pse i ka shpallur qeveria amerikane non-grata, por sepse veprimet, sjelljet dhe morali që ata kanë demonstruar prej mbi tri dekada nuk lënë kurrfarë dyshimi për dëmet që do t’i sillnin vendit e popullit.

    Për mendjet e kthjellëta, njerëzit që duhej të ishin në burg për shkak të veprave penale të kryera në të kaluarën e tyre të afërt nuk mund dhe nuk duhet të jenë ofertë për të ardhmen e popullit shqiptar. Është kjo e shkuar e tyre që nuk i bën dot shumicë dhe që e pakëson numrin e ndjekësve dhe jo përrallat me patronazhistë dhe aktivistë.

    Cili shqiptar është “terrorizuar” deri tani ngaqë dikush, i quajtur “patronazhist”, i paska mësuar emrin e mbiemrin, vendbanimin, vendin e punës etj. (a thua se këto janë sekrete) dhe i paska kërkuar të votojë për një parti të caktuar?! Shkoni në Perëndim dhe do të shihni se si, përpara zgjedhjeve, do ju vijnë tek dera dhjetëra “patronazhistë” për t’ju bindur për cilin të votoni, apo sa telefonata do të merrni duke ju pyetur për kë do të votoni, a mund ta llogarisim votën tuaj etj.

    Terror është të miratosh ligje specifike, si neni 24/1 i të ndjerit politik Sali Berisha dikur dhe të heqësh njerëzit nga puna me lista pambarimisht të gjata, të bastisësh shtëpitë e veteranëve të luftës dhe punës pa mandat ligjor vetëm pse beson se nuk janë votuesit e tu.

    Tani, këtë moral dhe model politik, dhunuesin e zgjedhjeve të 1996, 2009 dhe 2011, burgosësin, rrahësin dhe vrasësin e opozitarëve kërkojnë të na e sjellin si “ofertë” politike dhe alternativë të qeverisjes aktuale e cila paska bërë “krim” pse ka hapur një website ku secili, lirisht, mund të shprehë pëlqimin apo mospëlqimin për qeverisjen.

    Rruga e dytë e propozuar nga z. Bushati është e drejtë, por e pamundur, sepse, siç e pohon edhe ai vetë, ajo “kërkon moral dhe opozita do të duhej të bëhej streha e njerëzve të virtytshëm”. Pra, z. Bushati kërkon që një “bordello politike” ta shndërrojë në tempull të moralit duke ruajtur pronarin dhe punonjëset e bordellos si administratorë të tij. Kjo është e pamundur.

    Madje, e ardhmja e Shqipërisë nuk do të jetë më e mirë nëse, së bashku me “menaxherët” politikë të këtyre tridhjetë viteve nuk largohet edhe morali i tyre. Është ky moral dominues që ka çuar në zhgënjim dhe humbje shprese.

    Prandaj, me të drejtë, z. Mustafa Nano pohonte se fakti që në protestën e fundit Sali Berishës nuk iu mblodhën as dhjetë mijë vetë nuk përbën lajm të mirë, por shumë të keq, sepse e mira do të ishte që numri të ishte shumë herë më i vogël, gjë që do të fliste për shëndoshje morale të shoqërisë. Dhe, pa shëndoshje morale të shoqërisë nuk do të ketë as establishment të shëndoshë e të denjë politik.

    Rruga e vetme dhe e dobishme shoqërore për ardhjen e opozitës në pushtet është largimi i atyre figurave dominuese të këtyre tri dekadave që, pasi janë tallur me shqiptarët dhe me parimet e vetëpropaganduara, pasi janë pasuruar vetë pakufishëm e paturpësisht dhe kanë zhgënjyer e dëshpëruar shumicën e shqiptarëve, tani na thonë se do të qëndrojnë në politikë, në Parlament dhe në sundim edhe tridhjetë vjet të tjera.

    Bashkë me ta duhet të largohet edhe morali i tyre dhe bartësit e këtij morali që shfaqen përditë si shqytarë të mllefosur në mbrojtje të tyre. Këtë e shprehte mjaft mirë njëra prej mendjeve më të kthjellëta të opozitës, z. Agron Gjekmarkaj, i cili pohonte se ” Opozita e ka jetike jo vetëm të bashkohet, por të purifikohet. Shoqëria po kërkon një opozitë për ta udhëhequr drejt ndryshimit e shpresës. Por, ajo ulë sytë përdhe kur sheh karikaturat e ndryshimit”.

    Ata që duan dominimin e së mirës dhe të mirën e Shqipërisë nuk mund të kërkojnë riciklimin e të keqes si mjet për arritjen e saj. Duke i ricikluar të këqijat ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse zgjasim apo përjetësojmë sundimin e përgjithshëm të tyre, ngaqë na mbetet t’i krahasojmë përherë me njëra-tjetrën.

    Duhet “asgjësuar” njëra, mundësisht e keqja më e madhe, dhe pastaj e keqja tjetër bije vetvetiu sapo të vihet përballë së mirës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit