Gazetarja Ola Xama debatoi me analistin Andi Bushati në “Të Paekspozuarit”, për publikimin e bisedave të përgjuara të Erion Veliajt në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej gati dy muajsh. Xama u shpreh se SPAK u detyrua t’i nxirrte përgjimet për të treguar se lajmet për denigrimin e SPAK-ut janë porositur nga Veliaj dhe janë shpifje. Ndërsa Bushati e kundërshtoi duke u shprehur se SPAK-u nuk duhej që përballë makinerisë shtetërore, të ngrejë makinerinë e vet gebelsiane të propagandës.
Xama: Personi më i interesuar për të patur një gjyq publik ishte Erion Veliaj, jo Prokuroria e Posaçme. Madje, Veliaj fliste në telefon me vëllain dhe gruan ku jepte urdhra që mediat ta mbanin ndezur.
Bushati: Këtu jemi 5 vetë që nuk kemi kontradikta se si është sjellë Veliaj dhe besoj biem të gjithë dakord. Është tmerr.
Xama: Ju ngritët një shqetësim shumë të drejtë: e është e mundur që një gjykatë të marrë një vendim të paanshëm, kur opinioni publik është nën presion sepse ti e shpall këtë person të korruptuar dhe gjyqtari edhe pse nuk e vërteton provën se është i korruptuar, zoti Veliaj të dënohet për korrupsion dhe ky është një shqetësim legjitim se kjo nuk është bërë vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Tani kush ka qenë i interesuar për të bërë gjyqin publik?
Bushati: Veliaj.
Xama: Veliaj. Atëherë SPAK për t’u distancuar nga lajmet e rreme që janë prodhuar për ta dëmtuar në këtë çështje, në këtë rast ka mbrojtur veten, duke nxjerrë përgjime se këto lajme janë porositur nga Veliaj dhe janë shpifje. Shpifja është vepër penale. Këto përgjime vërtetojnë edhe kapjen e medias nga pushteti dhe interesa ekonomike.
Bushati: Nuk ka lidhje.
Xama: Pra dikush ka fuqinë e parasë, ka fuqinë mediatike dhe SPAK gjen një gazetar që jep një lajm ekskluziv dhe tani hajde t’i biem SPAK-ut. Të gjithë jemi të gabueshëm dhe nuk duhet të kemi kompleksin se jam kundër SPAK-ut, jam kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës se ka edhe vendime të mira që ka marrë SPAK-u, Edi Rama, Sali Berisha.
Bushati: Faleminderit për rolin e psikologut që do të më shërojë nga kompleksi.
Xama: A është vepër penale shantazhi dhe denigrimi i personit?
Bushati: Po.
Xama: Çfarë është bërë me prokurorin dhe gjykatësin e shkallës së parë? Denigrim, lajme shpifëse.
Bushati: Të njëjtën gjë që i bëri Ilir Meta, Dumanit, i bëri Sali Berisha, Irena Gjokës.
Xama: Jo, në të gjitha rastet nuk i kanë hyrë personalisht.
Bushati: Pra SPAK-u përballë makinerisë shtetërore duhet të ngrejë makinerinë e vet gebelsiane të propagandës?
Xama: Ne të gjithë ia kemi bërë propagandën gëbelsiane SPAK-ut. Rrimë te dera dhe del te Lapsi hyri ky, doli ky. Çfarë lajmi ka se kush hyri dhe kush doli? Ne e bëjmë dhe ne e kemi ngritur në këtë piedestal dhe i themi pse tani bën lajm.