Seanca gjyqësore të enjten ndaj dy ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla e Mariglen Qato të akuzuar për krijimin e skemës korruptive me kompaninë 5D Konstruksion u zhvillua mes tensioneve si pasojë e një serie pyetjesh të avokatëve të të pandehurve në drejtim të Belind Këlliçit, që sipas trupit gjykues nuk kishin lidhje me objektin e çështjes.
Në seancë u paraqitën 5 dëshmitarë të thirrur nga prokurori Klodian Braho, mes të cilëve edhe deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Këlliçi shpjegoi në funksion të pyetjeve se kishte marrë informacion për aferën 5D përmes shënimeve të gjendura brenda një zarfi anonim të lënë në sekretarinë e Partisë Demokratike, kur ai po zhvillonte fushatën elektorale në cilësinë e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës në vitin 2023. Këlliçi tha se nuk e dinte kush e kishte lënë zarfin që ishte adresuar në emër të tij.
Ai shtoi se pasi kishte verifikuar të dhënat nga burime të hapura dhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kishte krijuar bindjen se bëhej fjalë për një skemë korruptive që duhej të bëhej publike dhe kështu kishte bërë. Këlliçi deklaroi se më vonë kishte hartuar kallëzimin penal dhe e kiste depozituar në SPAK.
Përfaqësuesi ligjor i Mariglen Qatos, avokati Ardian Leka dhe ai i të pandehurit, Redi Molla, avokati Denion Bogdani kërkuan nga Këlliçi që të tregonte emrin që kishte dhënë informacionin. Po ashtu, Këlliçi u pyet nëse e kishte fituar garën për Bashkinë e Tiranës pas denoncimeve dhe pyetje të tjera, që gjykata i vlerësoi si jashtë objektit të çështjes. Gjykata u tërhoqi disa herë vëmendjen avokatëve dhe i kërkoi dëshmitarit Këlliçi të mos përgjigjet për disa prej pyetjeve.
Edhe prokurori Klodian Braho vërejti se avokatët nuk mund t’i kërkojnë dëshmitarit se ku ka gjetur informacionin. Braho solli në vëmendje se Prokuroria ka ardhur në gjykatë me prova të reja që janë administruar gjatë procesit penal.
Këlliçi tha se nuk intimidohej dhe se kishte ardhur për të dëshmuar. Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Flora Hajredinaj u tërhoqi vëmendje në mënyrë të përsëritur avokatëve Ardian Leka, Denion Bogdani dhe Henrik Ligori, duke u bërë me dije se sjellja e tyre ishte fyerje e autoritetit të gjykatës. Avokati Ligori nuk vijoji me pyetje pas tërheqjes së vëmendjes, ndërkohë që gjykata penalizoi me 20 mijë lekë gjobë avokatin Denion Bogdani, i cili vijoi t’i drejtonte Këlliçit pyetje që u çmuan prej trupit gjykues se nuk kanë lidhje me procesin. Kryesuesja Hajredinaj i tha Bogdanit se nësi ai do vijonte me këtë sjellje, do të nxirrej jashtë sallës.
Tensioni u përcoll edhe tek të pranishmit në seancë mes familjarëve të të pandehurve, ku punonjësi i gjykatës u detyrua të nxjerrë jashtë sallës së gjyqit një burrë trupmadh për shkak të mosrespektimit të rregullave të qëndrimit në sallë.
Gjykata listoi dëshmitarët e tjerë që duhet të pyeten, shumica e të cilëve nuk ishin njoftuar nga posta, me argumentin se adresat nuk ishin të plota ose nuk ekzistonin. Si dëshmitar është thirrur edhe ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, për të cilin posta kishte njoftuar se adresa nuk ishte e plotë.
Në një komunikim me policinë gjyqësore, Mazniku kishte shpjeguar se e kishte marrë thirrjen mëngjesin e së enjtes dhe nuk mund të paraqitej për shkak të një angazhimi tjetër të parashikuar. Gjykata ripërsëriti njoftimet e dëshmitarëve dhe shtyu seancën për më datë 2 tetor, në orën 09:00.
Çështja penale në ngarkim të Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe pesë të pandehurve të tjerë është regjistruar për veprat penale të korrupsionit aktiv e pasiv, mosdeklarime, deklarime të rreme apo fshehje të pasurive, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.
Gjykata vendosi që gjykimi tyre të zhvillohet me procedurë të zakonshme. Ndërkohë, u veçuan hetimet për të tjera afera korruptive që dyshohet se janë kryer nga funksionarët e Bashkisë Tiranë.



