4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    E kam me ty o gazetar…

    Nga Bardhyl Ermini (Bejo)

    E kam me ty o gazetar/e televiziv/e që u ndryshke në ekran dhe bëje sikur lotoje kur jepje të enjten që kaloi përmbledhjen e vrasjes të atij vogëlushit 14 vjeçar e që nuk i shpëtoi dot vdekjes të zezë.

    Biles na dhe edhe intervistën e dy prindërve të mjerë, për ta paraqitur emisjonin, misjonin tënd të qelbur si një lloj përshpirtje, në të vërtetë një lloj kuverte për të mbuluar poshtërsinë tënde me lotët e shpirtit të nënës e babës të atij ëngjëllushi 14 vjeçar.

    Çfarë hipokrizie e tmerrshme kur ju kërkoje opinionistëve të tu të budallallepsur arsyet e vrasjes makabre e ata flisnin ezber sikur i dinin, i kishin paralajmëruar me kohë, por shteti dhe shoqëria jonë nuk i kishin vlerësuar ato, pikërisht injorancën dhe poshtërsinë që nxirnin nga goja, në emër të të ardhmes të fëmijëve. Diku shkolla, mësuesit, prindërit, policia, shteti, ministria e diku tik toku, rrjetet sociale, modelet, frymëzimet…

    Çfarë palaçollëku! E pastaj u mbyll programi, secili në punë të vet, ti më tej jargaviteshe e jam i sigurtë që do të kujtohesh për fëmijën që iku, vetëm nëse do të ta kujtojë axhenda e programit tënd idiot.

    Shumë i çuditur je se pse ndodhin këto okubete te ne! Nuk e vura në thonjëza fjalën i çuditur se të besoj që je i tillë. E si mos të jesh i çuditur ti ore kokë gdhë? Ti që je një karagjoz dhe një manipulator i trashë i atij realiteti që mendon se po jep, aq sa ç’mund ta japë atë, një derr i përlyer në llucën e ndyrë të ushqimit tonë social dhe ekonomik.

    Pse ndodhin këto ngjarje këtu te ne? Por nuk ndodhin vetëm këtu te ne o të kripsha trutë e kalbura nga dhjami. Ndodhin në krejt botën këto tmerre, biles shumë më keq se te ne. Shtatëdhjetë e shtatë fëmijë adoleshentë u vranë nga po një i tillë në Norvegji aty e disa vite më parë, apo nëntëmbëdhjetë fëmijë bashkë me dy mësuese dy vite më parë në Teksas. Rreth 36 herë më i lartë është numuri i fëmijëve që vriten nga armët në SHBA se në Austri apo në Angli. Për disa arsye.

    Por këtu te ne, edhe pse nuk jemi në këto nivele të llahtarshme, ka një karakteristikë që e bën të frikshëm këtë tmerr që dëgjojmë e shohim. Sepse këtu, nuk ka falimentuar vetëm shteti, ashtu siç thua ti, që edhe nga vdekja kërkon të rrjepësh e të vjedhësh. Këtu kemi falimentuar të gjithë, ka falimentuar krejt shoqëria. Këtë ti nuk e kupton. Le që ti nuk e pranon edhe sikur ta kuptosh. Sepse je në rradhët e para të maskarenjve që e kanë përgatitur dhe realizuar këtë falimentim. Ndryshe nuk do të mund të jetoje në lluksin e fandaksur ku je zhytur, në pasurinë krejtësisht të pamerituar e kriminale.

    Rrezikojnë të bien përfundimisht mësuesi dhe familja or ti zotni/zonjë, themeli ku një shoqëri e caktuar ndërton jetën për të rritur vehten e për të formësuar të ardhmen. Mësuesi nuk është më ai i pari, ai që mëson, por është kthyer në një punëtor me mëditje, i cili flet me disa fëmijë që ja quajnë nxënësa e ju lexon atyre një tekst thjesht për të fituar rrogën. Kaq! Ai nuk ka më autoritet. Autoriteti i tij është tretur tani brenda atyre parave që shpërblehet. Pak, por “bereqavers”, mendon mësuesi i gjorë, sepse mund të ishte edhe pa bukë.

    Paraja nuk është mjet edukimi, është një nga format e paraqitjes të fitimit, i cili kur përdoret si kriter aftësie, rri në proporcion të drejtë me injorancën. Sa më i ditur fëmija që mëson aq më keq për atë që qeveris, për atë që vjedh duke qeverisur, për atë që komploton për të qeverisur.

    Mbi 50 përqind e fëmijëve më të vegjël se 15 vjeç janë analfabet funksional, pra nuk kuptojnë se çfarë lexojnë, nuk dinë të lexojnë. Kaq është e mjaftueshme për të kuptuar se sot te ne në shumicën e shkollave tona nuk kemi mësues. Dhe shkolla pa mësues është si ai imitacioni në ekrane i zjarrit të oxhaqeve dekorativ.

    Prindi nuk pyetet më. Por edhe sikur të pyetet, nuk di se çfarë kërkon. Kërkon një fëmijë të ditur e të zotë? Nuk i intereson kjo. Kërkon thjeshtë një dëftesë shkollore, sepse është i vetmi kusht që shoqëria “kërkon” prej tij. Çdo gjë tjetër përgjithësisht është një “zero me xhufkë” që kërkon vetëm paraqitje, është servil, shërbëtor, i shkathët, gënjeshtar, matrapaz.

    Kur dikush i dërgoi CV e djalit një miku të njohuri për ta futur në një punë të thjeshtë, të nesërmen miku ja preu me të parën. “Ç’më duhen mua njohuritë dhe gjuhët që ai di? Ti kërkon punë për djalin apo kërkon të më konkurojë mua? Jo, nuk kam punë për djalin tënd!”

    E si të bëj prindi i shkretë në këto kushte? Si të veprojë ai kur djalin e Nocit e sjellin në shkollë me “Jaguar” kurse Rroku i tij ndrron dy kamjonë dhe kilometrin e fundit e bën ne vrap? Si të bëj? Siç të gjithë: “lutu zotit” çdo ditë për të, çoje e merre në e nga shkolla me dorën tënde, bleji ato pak libra që i kërkojnë, pyete nëse e ka ngacmuar ndokush dhe porosite çdo minutë të ruhet nga e keqja, nga “shoku” apo “shoqja” që e ftojnë të pij hashash. Nuk ka se çfarë të bëjë tjetër!

    Ja kjo është pamja në përgjithësi e shkollës të fëmijëve për të cilët ti derdh lotë krokodili o gazetar i mykur. Se si mund të rregullohet kjo situatë kur ata që drejtojnë dhe qeverisin hahen si qentë çdo orë të ditës politike dhe ti i nxjer nëpër ekrane e ua bën më të thjeshtë gënjeshtrën e mashtrimin?

    Por si mund të ketë një shtet që të drejtojë arsimin, kur ende edhe sot ti i lëpin bythën atij që e futi këtë arsim në gropë qysh në fillimet e veta, qysh kur mori porositë e para “antikomuniste” për të djegur shkollat e Enver Hoxhës?
    Ti sillesh si një zagar, thjesht se ke vjedhur në periudhën kur ai bënte sikur drejtonte, ke hapur studjo televizive me paratë e piramidave dhe ke mësuar mirë që për të jetuar siç jeton sot me vila e me pasuri duhet vetëm të gënjesh e të nxitësh urrejtjen ndaj të vërtetës.

    Asaj që ja ke frikën ti dhe pronari i TV tënd, ti dhe “opozita” jote e molotovëve, ti dhe llumi i gjoja intelektualëve, ti dhe lumpeni i rrugëve, ti dhe produkti yt i qelbur i komunizmit parazitar të viteve 80-90 të, kur mësoje gazetarinë e Leninit e të Makarenkos, kur mësoje se në këtë botë nuk ka të vërteta përveçëse atyre që të pasurojnë ty e kalamajtë e tu, ato që kthehen në gënjeshtra, në prona e troje, ato që shërbejnë për të sunduar e për të shkatërruar gjithçka që i del përpara pasurimit kriminal.

    Mos fol më me atë tonin e zërit tënd të këputur nga dhimbja, sepse ti atë dhimbje nuk e mer vesh fare, nuk e ndjen aspak çfarë është. Kurrë nuk ke provuar as të qintën e saj. Ti je thjeshtë një hajdut i të vërtetës.

    Sa keq që më vjen që u mora kaq gjatë me ty gazetar/e i/e tredhur nga trutë, i/e mangët nga kultura por kuçedër nga oreksi për përfitime, për trajtime të veçanta, për vila e biznese. Po pse, si mendon ti se nuk e kuptojmë ne se çfarë përfaqëson pozicioni yt?

    Je jo vetëm hajdut i së vërtetës, por edhe i taksave të qytetarëve. Ndaj ka filluar e nuk të mban vendi, deklaron se do ta detyrosh fëmijën tënd të largohet nga ky vend, se elitat duhet të qarkullojnë, se demokracija kërkon ndryshim etj. Në fakt ti i je trembur drejtësisë që ka filluar të marrë frymë dhe që ka filluar të afrohet edhe te gardhi yt.

    Kaq kam me ty o palaço i/e pafytyrë, thjesht një lloj revolte njerëzore që më lindi në zemrën time të thyer e copëtuar kur pashë të bëje si gore rrugësh përpara asaj vdekje të tmerrshme, para lotëve prej gjaku të kristaltë të prindërve të tij.

    “Të pakësohet numri i të sterrosurve, të shtohet numri i të ndriturve, ja ky është qëllimi. Ja sepse ne thërrasim: Arsim! Shkencë! Të nxësh shkrim e këndim, është të ndezësh një zjarr, çdo rrokje e shqiptuar, është një shkëndijë”. Sa gjigand, kush e ka thënë këtë postulat! E kush tjetër përveç Viktor Hygoit të madh 160 vite më parë?

    Çfarë mund të shkruash e të rekomandosh tjetër për zotin Kryeministër që kërkon tani në të katër cepat e botës mandatin e katërt? Si t’ja heqësh nga mendja atë punën e turizmit dhe ato rritjet e pagave, të cilit i duken si reforma të papara? Jo more zotni! Lere turizmin dhe shih zhvillimin tërësor. Turizmit çoi rrugët e të tjerat lerua “kamarierëve”, pse ata i dinë 100 herë më mirë këtë punë.

    Pagat nuk bëjnë gjë tjetër përveçëse nxisin rritjen e çmimeve, të cilat të kthejnë brenda një viti aty ku ishe 10 vite më parë. Paga nuk rritet e pastaj të lindë, por fillimisht lind nga zhvillimi, nga prodhimi, nga burimet dhe emetimi i çdo lloj forme të energjisë, i pasurive nëntokësore, nga udhëheqja e bujqësisë, blegtorisë, nga përtëritja e qindra mijra hektarëve toke bujqësore, pyjeve, frutikultura, etj etj.

    Merre arsimin në angazhim personal “vëlla i dashur” e mos e lerë në dorë debilash por në dorë të dijetarëve, mbështet shkencën duke sakrifikuar gjithçka dhe lere demagogjinë e teorizimet pa bukë.

    Sepse sot, në mos më tepër, të paktën janë me dhjetra mijëra që e dinë këtë punë njësoj si ju. Çështja është të realizosh e jo të deklarosh, të përparosh e jo të recitosh!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit