7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    ‘E nis me dashni, kaloi në nekrofili’, shkrimtari krahason Ramën me Enver Hoxhën: Dashnor i gjanave të vdekta

    Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës festuan këtë javë 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të nëntorit 1972, që shërbeu si themel i një gjuhe standarde shqipe. Në ceremoni nuk mungoi prania e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se Kongresi i Drejtëshkrimit nuk mund të vijojë të ketë si mëkat faktin se që u mbajt në Tiranë, kryeqytetin e një vendi komunist.

    “Një gjithëpërfshirje nga trevat shqipfolëse deri në viset arbëreshe. Dhe vijmë tek delegatët, e thashë dhe po e përsëris, emrat e të cilëve janë marramendës, kur kujton kontributet e tyre, punën e tyre shkencore. Kontributet dhe puna shkencore e bërë në vitet e jetës se delegatëve të kongresit të drejtshkrimit, më falni, nuk më takon ta them  mbase formalisht sepse jam dhe kryeministër i këtij vendi.

    Është një volum që sikur të mblidhen sot të gjithë doktorët dhe profesorët e të gjitha llojeve të shkencave të pas rënies së komunizmit, nuk e bëjnë dot jo në gjithë volumet e veta, po as në 1 të 100 e volumeve të veta. Ky është fakt. Kështu që, përtej të gjitha këtyre mbi kryet e Kongresit vazhdon rëndon gjithë kohës si mëkat fakti që u mbajt dhe përfundoi punimet në Tiranën që ishte kryeqyteti i Shqipërisë komuniste. Po pastaj?!”, tha ndër të tjera Rama.

    Nisur nga fjalimi i kryeministrit para gjuhëtarëve, ka reaguar gazetari dhe shkrimtari nga Kosova Migjen Kelmendi, i cili shkruan nën gegnisht. Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Kelmendi thekson se reagimi i Ramës ndaj drejtshkrimit të gjuhës shqipe, nuk ishte dashuri, por nekrofili. Mes të tjerash shkrimtari e krahason Ramën me diktatorin Enver Hoxha.

    REAGIMI i KELMENDIT

    KJO S’ASHT DASHNI, KJO ASHT – NEKROFILI

    (Reagim)

    Kaluen 5 dekada nga nji tubim që u mbajt në kulmin e diktaturës komuniste në Tiranë, që e quejtën Kongresi i drejtshkrimit. Dy dekada u festue ky Kongres në diktaturë, dhe plot tri dekada po i njajti Kongres u festue e celebrue në kohë lirie.

    Ky grup i vogël i njerëzve, kjo sektë e tubueme rreth disa vendimeve që i prezenton si shkencore, për këto pesë dekada, në asnji rast, në asnji punim shkencor, në asnji hulumtim emipirik e analizë shkencore, nuk lejoi e as lejon me e prekë, as me u afrue te ajo esencë, te ai libër, te ai sandek, ku ata janë të bindun se po e ruejnë dhe mbrojnë – të vërtetën gjuhësore të shqiptarëve.

    Pesë dekada kjo sektë u bunkerizue rreth diçkaje që as lejon të shihet, as të preket, as të debatohet, as të analizohet, as të ndryshojë.

    Dhe pesë dekada ma vonë, edhe mizanskena asht e njajtë: nji kryesi pune, do parolla, do njerëz tubue, njisoj si në vitin 72, dhe nuk mungoi as AY – Enveri i estetizuem – që i dha masë e gjatësi projekcionit që shqiptarët patën për te, Edi Rama.

    Pse u desht që kryeministri aktual i Shqipnisë, Edi Rama, me qenë prezent dhe me prezencë me legjitimue ketë tubim?

    Sepse, sa herë këta shqiptarë të sektarizuem flasin për gjuhën shqipe, duhet me qenë prezent medoemos edhe nji Enver!

    Kryeministri Rama, ky Enver i estetizuem, me nji ton solemn, me nji të folme të kadaltë a thue se po flet në mort, e prezentoi veten si “dashnor” të gjuhës shqipe, por nisi me folë për do njerëz të vdekun, për disa arritje te vdekuna, për nji periudhe qe s’asht ma, asht e vdekun. Ai nisi me fjalimin e tij me i puthë te vdektit, me i arsyetue dhe me i gjetë spjegim atyne vendimeve të vdekuna, qe e pranonte edhe vet, se u morën ne kulmin e nji diktature dhe në mungesë totale të lirisë së mendimit dhe të fjalës, por te cilat ai i sheh dhe përjeton si nji arritje. Njisoj si Enveri.

    U nis kryeministri Rama me folë për dashni, e përfundoi në – nekrofili. Dashnori i madh i gjuhës shqipe na u prezentue me fjalën e tij në këtë tubim vetëm si nji “dashnor i gjanave të vdekta”.

    Dhe nekrofilija i falet, njashtu siç i falet edhe ai ekzibicionizëm i tij me veshjet e me patikat, me qeverinë e qëndisun prej tij me gra, me megallomaninë e tij me e prezentue vendin ma të varfun n’Europë si nji “Las Vegas” personal, me aero-floten lasgushiano-asdreniane, me satelitat edvino-musk’ian, me portet dubaiane, me 40’katshat oligarkian…por, ajo që s’i falet asht përpjekja e tij me arsyetue dhunën, me i gjetë spjegim dhunës dhe mungesës së lirive në Shqipninë diktatoriale të Kongresit të drejtshkrimit, të viti 1972.

    Politikani i shekullit 21, që e prezenton veten si politikan i proviniencës europiane, e kishte nji hall në fjalën e tij: qysh me arsyetue diktaturën enveriane dhe me “martue” dhunën me arritjet gjuhësore (sic!).

    Dhe, a don ti, njeriu që e ka gojën plot “Europë”, që flet për të drejta e për ligje, për demokraci e zhvillim, për me arsyetue diktaturën, prezencën e Enver Hoxhës në sallën e Kongresit të drejtshkrimit (njashtu siç i duhej me e arsyetue edhe prezencen e vet në tubimin e kësaj sekte 50 vjet ma vonë), gjen shembull në kohën e Sulltan Abdyl Hamitit të Dytë (OMG????

    Njeriu që e huton dhe distrakton qytetarin e varfun të Shqipnisë së sotme me aviona e satelita, me porta dubaiane e lungomare a la italiane, ikë në shekullin 18 me i gjetë arsye e spjegim dhunës e diktatorit.

    Përmend, për fatkeqësi të tij, shembullin e situatës linguale në Greqi, tue u mundue me i gjetë përgjasim vendimeve të dhunshme gjuhësore të vitit 1972, e tue mos e kuptue se shembulli grek dëshmon rrafsh të kundërtën: produkti artificial i gjuhëtarëve megallomanë grekë, Katharevousa, dështon. Ju vdes ne duer. Por ata nuk bunkerizohen si këta sektarianët shqiptarë, por heqin dorë nga ato vendime dhe i kthehen gjuhës së popullit – Dimotikes. Janë me dheta raste në kohën e sotme, ku shoqnitë e avansueme dhe të emancipueme, problemeve të veta gjuhësore nuk ju qasen me dhunë e bunkerizim, po me studime, analiza, debate e shkencë.

    Çohet kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë, nji Enver i paestetizuem, krudo, që krejt Shqipnia e din se qysh e ka ble ate post prej Edi Ramës, në përpjekje me i gjetë arsye shkencore dhunës, citon nji autor të paqenë e bahet prrallë, si e vërteton gazetari investigues Gjergj Erebara (shih: “Akademiku Gjinushi plagjiarizon shkrimin sarkastik si autoritet shkencor”).

    Pra, kush ishin ata njerëz tubue, të cilët i legjitimoi me prezencën e vet kryeministri aktual i Shqipnisë? Pse janë mbyll e bunkerizu njashtu? Pse nuk janë gati për pyetje, për ballafaqime me mendime të kundërta? Pse po i tuten analizës, hulumtimeve, empirisë, hapjes?

    Çka po mbajnë ashtu të msheftë në ate sandek, në ate tabut?

    Pse nuk dukej ai tubim si festë, po si e pame, si mort?

    Pse toni i Ramës ishte si në kryeshnosh? Pse ishin të veshun me të zeza?

    Kush ka vdekë?

    Përgjegja asht e thjeshtë:

    Në atë tabut që e kanë vendos ne mes të atij bunkeri metaforik, nuk asht as gjuha, as arritjet, as e vërteta.

    Njisoj si dikur në Bashkimin Sovjetik, sot në Shqipninë europiane te Edi Ramës, në tabutin e mbrojtun nga gjuhëtarët sovjetik, Tirana zyrtare e mban larg syve të qytetarëve, larg pyetjeve dhe kontestimeve shkencore, larg realitetit lingual të hapsinës shqiptare, jo gjuhën shqipe – po trupin e balsamosun si të Leninit e Stalinit – Enver Hoxhën.

    Dhe secili prej tyne, metaforikisht, e puthë të vdektin!

    Kjo s’asht punë dashnie për gjuhën shqipe, i dashtun kryeministër, kjo asht punë nekrofilie dhe dashnie për Enverin!”, thuhet në reagimin e shkrimtarit, i cili ka publikuar dhe një video nga punimet e Kongresit të vitit 1972, ku të pranishëm në sallë ishin  Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

    Pjesë nga fjala e Ramës

    Njësimi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe standardizimi i saj është një nga ato procese historike që për fatin më të madh të shqiptareve është përvijuar ngjashmërisht me proceset e njësimit të gjuhëve europiane. Por e para, siç e preka më lart, ka kaluar gjithsesi më butë sesa proceset e tjera njësimi gjuhësh të tjera dhe e dyta, është nga të paktët procese që në historinë tonë na njëson për nga struktura dhe për nga metoda me vende të tjera europiane.

    Dhe edhe në Kongresin e Drejtshkrimit nuk është se s’ka pasur debate, të paktën nga sa mund t’i thonë një njeriu si unë që s’jam as i zanatit, as i përkas tamam asaj kohe, leximet sporadike me thënë të drejtën, jo shumë sistematike, por një gjë është sot e gjithë ditën një pikë referimi për këdo që do të logjikojë e do të shohë me arsye në të gjitha dilemat natyrale që shfaqen mbi gjuhën në rezolutën e kongresit.

    Kongresi porosit që duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen në të ardhmen që kur të jetë e nevojshme përmirësime dhe plotësimet e duhura. Dhe vazhdon, pikërisht këtu qëndron rëndësia themelore e drejtshkrimit, si në aspektin thjesht  gjuhësor, ashtu edhe në aspektin kulturor dhe shoqëror. Kjo kërkon që drejtshkrimi i gjuhës shqipe të ketë parasysh, jo vetëm gjendjen e gjuhës sotme letrare, por edhe prirjet kryesore të zhvillimit të saj të mëtejshëm dhe faktikisht mua më vjen të qesh si “dashnor” i paepur i gjuhës shqipe, në këtë status kryesor  po flas sot këtu dhe prandaj erdha me kaq dëshirë sot këtu, se as mund dhe as dua dhe as kam pse të qaj kur ndjek këtë debatin fantastik ku Kongresi i Drejtshkrimit i qortohet si një mëkat i pashlyeshëm që vë në diskutim dhe vetë kongresin, fakti që u zhvillua nën patronazhin e një pushteti absolut.

    Përkundrazi Kongresi i Drejtshkrimit ka të veçantë dhe madje edhe te paarritshme, provoni ta bëni sot një kongres, provoni ta bëni se është e vetmja shpresë që Eqrem Çabej të ngrihet nga varri bashkë më gjithë këta nënshkruesit që kanë ikur në botën e përtejme, mbasi i kanë lënë kësaj bote një thesar që është një pasuri kombëtare me te cilën nuk mund të lejojmë dot të luhet hajgare që është gjuha e njehsuar. E para, një punë përgatitore shkencore gjithëpërfshirëse 20 vjet, për Kongresin e Drejtshkrimit. Imagjinoni sot një punë përgatitore shkencore 20 vjet. Gjë që e bëri Kongresi i Drejtshkrimit dhe nuk e kanë bërë ato të tjerët që përmenda. Një nismë e ardhur nga shqiptarët e Kosovës, në një atmosferë entuziazmi që më mirë se kushdo tjetër e ka përshkruar, gjejeni, Rexhep Ismajli, një gjuhëtar që nuk mund të thuash se është tërësisht në sintoni me Kongresin e Drejtshkrimit.

    Një gjithëpërfshirje nga trevat shqipfolëse deri në viset arbëreshe. Dhe vijmë tek delegatët, e thashë dhe po e përsëris, emrat e të cilëve janë marramendës, kur kujton kontributet e tyre, punën e tyre shkencore. Kontributet dhe puna shkencore e bërë në vitet e jetës se delegatëve të kongresit të drejtshkrimit, më falni, nuk më takon ta them  mbase formalisht sepse jam dhe kryeministër i këtij vendi. Është një volum që sikur të mblidhen sot të gjithë doktorët dhe profesorët e të gjitha llojeve të shkencave të pas rënies së komunizmit, nuk e bëjnë dot jo në gjithë volumet e veta, po as në 1 të 100 e volumeve të veta. Ky është fakt. Kështu që, përtej të gjitha këtyre mbi kryet e Kongresit vazhdon rëndon gjithë kohës si mëkat fakti që u mbajt dhe përfundoi punimet në Tiranën që ishte kryeqyteti i Shqipërisë komuniste. Po pastaj?!

    Nëse kongresit do t’i çlegjitimohej puna vetëm e vetëm se u zhvillua në një regjim absolut, atëherë duhet të çlegjitimohet puna e gjitha atyre më parë që nga Kongresi i Manastirit apo nga Komisia letrare, sepse nën pushtet tërësisht absolute janë zhvilluar të gjitha dhe kundërshtarët e rrezikshëm të Kongresit të Drejtshkrimit janë shumë të rrezikshëm se janë dhe injorantë të mëdhenj që fokusohen në këtë pikë. Në fakt, janë ksenomanë që kanë fiksimet e tyre më shumë sesa meraqet e mirëfillta gjuhësore që për hir të së vërtetës nuk kanë kulturën që t’i kenë, që të jemi shumë të qartë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit