Një debat i ri mbi lirinë akademike në Shtetet e Bashkuara ka shpërthyer pas një vendimi të universitetit publik Texas A&M, ku një profesor filozofie është urdhëruar të heqë nga programi i kursit disa lexime të Platonit, duke shkaktuar kritika të ashpra nga akademikë dhe ekspertë të arsimit.
Sipas rregullave të reja të miratuara nga Bordi i Rregjenteve të sistemit të Texas A&M, profesorët duhet të marrin miratim të mëparshëm zyrtar për çdo mësim që trajton ose mund të interpretohet si promovues i “ideologjive të racës, gjinisë apo orientimit seksual” në lëndët kryesore të curriculës.
Këto rregulla erdhën pas një polemike të mëparshme në universitet që lidhej me një video virale për diskutimin mbi identitetin gjinor në një kurs literaturë për fëmijë – shkruan The Texas Tribune.
Profesor Martin Peterson, i cili ligjëronte një kurs mbi çështjet morale bashkëkohore, u urdhërua të heqë nga programi pjesë të veprës së Platonit — përfshirë fragmente nga Symposium — të cilat trajtonin tema të lidhura me gjininë dhe seksualitetin, ose rrezikonte të pushohej nga puna.
Ai e ka cilësuar vendimin si politizim dhe cënim të lirisë akademike, duke theksuar se Platoni është themeluesi i filozofisë perëndimore dhe se universitetet duhet të jenë vende të debatit të lirë dhe të mendimit kritik, jo të censurës.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra jo vetëm brenda kampusit, por edhe nga organizata kombëtare të mbrojtjes së të drejtave akademike, të cilat e konsiderojnë këtë lëvizje shkelje të lirive themelore në arsim dhe një precedent të rrezikshëm për auto-censurë.
Autoritetet e Universitetit argumentojnë se politika synon të sigurojë që instruktorët të mos promovojnë ideologji të caktuara si pjesë të kurseve bazë pa një shqyrtim të posaçëm.
Përkrahësit e kësaj qasjeje e shohin këtë si një mënyrë për të kufizuar përdorimin e shkollave ai “avokati të ideologjive”, ndërsa kritikët paralajmërojnë se kjo do të çojë në ngushtimin e debatit intelektual dhe humbjen e rolit të universitetit si institucion i mendimit të lirë.
Ngjarja është bërë simbol i një debati më të gjerë në SHBA se sa larg duhet të shkojnë institucionet e arsimit të lartë në kufizimin apo qeverisjen e përmbajtjes akademike, veçanërisht kur ajo lidhet me tema komplekse dhe të ndjeshme sociale – shkruan Houston Chronicle.



