‘Saranda Tower‘, një projekt që përfshin një strukturë me 32 kate mbi tokë, 9 kate shtesë dhe 4 kate nëntokë në zemër të qytetit bregdetar ka ndezur pakënaqësi jo vetëm për banorët por edhe për tk huajt që janë interesuar të blejnë një apartament në Sarandë.
Ndërtesa 32 katëshe do të ngrihet në zemër të qytetit, duke bllokuar pamjen e qindra banorëve dhe turistëve, të cilët nuk do të shohin më detin, por vetëm hijen e godinës.
Nisur nga ky fakt, ‘Saranda Expats‘ një grup emigrantësh që jetojnë në ose afër Sarandës, përfshirë ata të cilët mendojnë të zhvendosen në qytetin bregdetar, kanë bërë thirrje për protestë kundër ndërtimit të kësaj kulle.
Të huajt shprehen se ndërtesat duhet të jenë deri në 4 kate dhe shprehin nevojën për pemë dhe rtugë të gjera në qytetin bregdetar.
“Nuk e di nëse keni lexuar lajmet, por pritet të ndërtohet një ndërtesë shumë e madhe në qendër të Sarandës. Një ndërtese me 32 kate! Kush do të ishte i interesuar të marrë pjesë në një protestë dhe të mos lejojë më ndërtimin e ndërtesave të mëdha në Sarandë? Të paktën deri në 4 kate! Ne kemi nevojë urgjente për pemë, rrugë të gjera dhe parkingje në vend!”, shprehen të huajt në postim.
Kush qëndron pas kullës 32-katëshe
Vendimi për lejen iu dha në maj 2025, kompanisë “G&P” sh.p.k. Vendimi thotë se është një “kompleks banimi dhe shërbimesh me 9 dhe 32 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë, i vendosur në Bashkinë e Sarandës”.
Pas saj qëndron një emër i njohur për publikun dhe për prokuroritë: Shefki Karamuça, ish-kryetar i Bashkisë së Vorës dhe figurë e vjetër politike e LSI-së.
Karamuça ka mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë së Vorës në vitet 1999-2003 dhe më vonë është rikthyer sërish në pushtet.
Në vitin 2015 ai shfaqet përsëri si këshilltar i LSI-së deri në vitin 2019.
Befasisht më 25 Gusht të 2020, pas dorëheqjes së nënkryetares Vorë, Laureta Omeri, Karamuça merr postin e nënkryetarit.
Pas disa ditësh jep dorëheqjen edhe Hekuran Brahimaj dhe Karamuça vetëshpallet kryetar bashkie pa kaluar në Këshillin Bashkiak.
Kryetari i tretë brenda vitit i Vorës, Shefki Karamuça, sapo mori postin, nisi të ndërtojë objektin e tij privat ngjitur me Bashkinë, objekte këto pa leje.
Asakohe emisioni investigativ “Stop” dokumentoi dy raste abuzimi gjatë menaxhimit të pasojave të tërmetit në Vorë, që lidhen drejtpërdrejt me emrin e Shefki Karamuçës:
-Rasti i pallatit nr. 8 në lagjen “Demokracia”, që u shpall i dëmtuar pa qenë i tillë.
-Rasti i gllabërimit të 250 m² truall ndaj biznesmenit Hamid Mema, i cili kishte të gjithë dokumentacionin ligjor./Zëri