7.5 C
Tirana
E enjte, 13 Nëntor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    E quajnë veten dibranë – Historia e Donaldit dhe Daudës, dy shokëve nga Afrika që jetojnë në Shqipëri

    Donald nga Kameruni dhe Dauda nga Nigeria janë dy shokë që jetojnë në Shqipëri ndërsa thonë se e kanë dashur vendin tonë që nga dita e parë dhe tashmë e quajnë veten dibranë. 

    Ata na tregojnë historinë e tyre të veçantë, për jetën në Tiranë, miqësitë e reja dhe dashurinë që kanë për kulturën shqiptare ndërsa Dauda na shpjegon se pse vendosi të vijë në vendin tonë për studime. 

    “Kam ardhur në Shqipëri sepse profesori im në Nigeri më sugjeroi ta bëja këtë, pasi ka shkolla shumë të mira. Kam ardhur për studime – për bachelor dhe master. Gjuha shqipe më duket shumë e vështirë, por me kohë dhe durim do ta mësoj. Kam shumë miq këtu – shqiptarë, nigerianë dhe afrikanë nga vende të ndryshme. Njerëzit në Shqipëri janë shumë socialë dhe miqësorë, dhe të bëjnë të ndihesh si në shtëpi. Qytetet që më pëlqejnë më shumë janë Berati, Shkodra, Korça, Dardha dhe Tirana. Secili ka diçka të bukur dhe të veçantë”, thotë Dauda . 

    Ai thotë se ushqimi shqiptar i pëlqen shumë. 

    “Më të preferuarit janë pilafi, byreku me mish dhe ai me patate, po ashtu trileçja dhe qoftet. Shqipëria ka ushqim shumë të shijshëm, dhe më pëlqen që gjithçka gatuhet me kujdes dhe me shije shtëpie”, thotë ai. 

    Dauda ka mësuar edhe disa valle tradicionale. 

    “Kam parë miqtë e mi shqiptarë duke kërcyer dhe kam mësuar disa valle tradicionale. Më pëlqejnë shumë vallja kosovare, ajo shqiptare dhe ajo e Tropojës. Muzika është plot energji dhe më bën të ndjej atmosferën shqiptare”, shprehet Dauda. 

    Donaldi ka rreth një dekadë që jeton në Shqipëri dhe tashmë ndihet kaq i lidhur me vendin sa e quajnë veten dibran. 

    “Shoku im është nga Kameruni, quhet Donaldi. Unë kam rreth një dekadë që jetoj në Shqipëri. Tani e quaj veten ‘shqiptar i veriut’, madje ‘dibran dem baba dem’, sepse kam shumë shoqëri nga Dibra dhe kam qenë atje disa herë. Fjalët që kam mësuar nga dibranët janë: ‘Malet tona janë më të larta’. Nga ushqimet shqiptare më pëlqen shumë fërgesa. Shqiptarët na kanë pritur shumë mirë që në fillim. Ata janë një popull luftarak dhe shumë patriotik, gjë që më bën t’i respektoj edhe më shumë”, thotë Donaldi. 

    Donald shton se ata janë miq shumë të mirë me Daudan dhe bashkëpunojnë në disa fusha. 

    “Unë e njoh pak më mirë gjuhën shqipe, ndaj shpesh e ndihmoj edhe atë për të mësuar dhe për t’u përshtatur më shpejt. Na pëlqen të ndajmë përvojat tona dhe të tregojmë historinë tonë si dy miq afrikanë që tashmë e quajnë veten shqiptarë. Më kanë pritur shumë mirë këtu në Shqipëri. Në kohën e lirë luajmë futboll me disa shokë shqiptarë. Ti e di, unë jam ‘malok’ nga Dibra – por malok që është rritur në fushë!”, thotë Donaldi. 

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit