Një lajm me burime të paverifikuara, sipas të cilit drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kishte dhënë dorëheqjen u përhap me shpejtësi këtë të hënë nëpër portale, aq sa vetë Policia e Shtetit u detyrua që të dalë me një reagim përgënjeshtrues.
Në fakt, Gledis Nano e ka përmendur dorëheqjen këtë të hënë, por e ka thënë atë më shumë në kontekstin e përplasjes me ministrin Bledi Çuçi, duke argumentuar se më mirë “dorëhiqej se sa të ishte kukull në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.
Për këtë, Gledis Nano ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama, duke i komunikuar se ‘ose ministri të qëndronte larg emërimeve, lëvizjeve dhe vendimmarrjeve të tjera që janë kompetencë dhe e drejtë ekskluzive e drejtorit të Policisë së Shtetit, ose ai jepte dorëheqjen’.
Kryeministri Edi Rama, që ndodhet në Slloveni për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar ja ka refuzuar dorëheqjen dhe më pas ka komunikuar me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi duke e urdhëruar këtë të fundit që ta bindë Gledis Nanon që të mos largohet nga posti.
Në zbatim të porosisë së Kryeministrit, Bledi Çuçi ka thirrur në zyrë Gledis Nanon dhe takimi i zhvilluar në Ministrinë e Brendshme është shoqëruar me tone të larta e të ashpra mes tyre.
Ministri Bledi Çuçi prej muajsh kërkon që të ketë nën kontroll emërimet e reja dhe lëvizjet në radhët e Policisë së Shtetit. Njëri prej emërimeve që bllokohet nga Çuçi është ai i Drejtorit të Policisë së Durrësit, ndërsa përplasja e ministrit nuk është vetëm me Drejtorin Gledis Nano, por edhe me drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Voxnews.al mëson se viktimë e kësaj përplasjeje ishte edhe Tonin Vocaj. Ky i fundit është përplasur drejtpërdrejt me ministrin, pasi ky i fundit ka ndaluar arrestimin e një personi të shumëkërkuar.
Vocaj i ka shkruar Ramës në lidhje me këtë dhe më pas ka njoftuar largimin nga posti që mbante.
Por ikja e Nanos nuk është një ngjarje tronditëse për qeverinë. Burime pranë saj bëjnë të ditur për Vox News se ikja e Drejtorit do t’i faturonte atij dhe disa probleme që ka pasur rendi kohët e fundit, siç ishte ngjarja e Himarës, apo dhe zhdukja e Ervis Martinajt.
Për momentin, Gledis Nano mbetet ende në krye të Policisë së Shtetit, pavarësisht përplasjes së ashpër me ministrin Çuçi.
Në një reagim per Report Tv Nano u shpreh: “Nuk e kam dhënë dorëheqjen dhe nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga posti që mbaj që prej tetorit”.
Në varësi të rrjedhës së kësaj përplasjeje, nuk përjashtohet mundësia e dorëheqjes prej tij dhe vijimi i karrierës në një organizëm ndërkombëtar antiterror, në një post që as jepet dhe as paguhet nga Shqipëria, që do të thotë se as ka ndërhyrje të pushtetarëve shqiptarë, si në rastin e Bledi Çuçit.
Lufta e ftohtë mes tij dhe ministrit është në kulmin e vetë, të shohim deri ku do shkojë…



