“Prej 38 vitesh, dr. Silvana Çeliku shërben me profesionalizëm e përkushtim në Spitalin Onkologjik. Pedagoge e shumë brezave të studentëve të Mjekësisë dhe e vetmja kirurge grua e onko-gjinekologjisë, dr. Silvana drejton me përgjegjësi e punë të palodhur një prej shërbimeve më delikate, në përpjekjen e përditshme për të shpëtuar jetë.”
Kështu shkruan ministrja Ogerta Manastirliu për doktoreshën e njohur Silvana Çeliku, e cila prej gati 4 dekadash është në shërbim të qytetarëve. Ajo drejton Spitalin Onkologjik në QSUT, pavionin ku ka nisur punën për herë të parë menjëherë pas diplomimit në vitin 1984.
Është lindur në Tiranë ku ka kryer dhe studimet parauniversitare. Doktoreshë Silva, siç e thërrasin pacientët e Onkologjikut, është vlerësuar me medalje ari dhe duke pasur si model të atin me profesion mjek, zgjodhi të studiojë në Fakultetin e Mjekësisë dhe përfundoi me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 2004, Silvana Çeliku ka fituar titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore” me temën “Kanceri i Qafës së Mitrës në Shqipëri”, sintezë e një pune të gjatë 10 vjeçare. Shefja e Spitalit Onkologjik ka kryer specializime në disa nga klinikat më të rëndësishme në botë, në Gjermani, Poloni, Itali, Francë dhe Amerikë.