13.3 C
Tirana
E enjte, 13 Mars, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    E vrau Sali Kulla

    Nga Edison Ypi

    U përhap gjithandej mbi mure dhe shtylla ky…

    Lajmërim

    Pa asnjë pikëllim të thellë apo të cekët njoftojmë me kënaqësinë më të madhe ngordhjen e ish të dashtunës tonë shndrruar në kufomë nga sëmundja e pashërueshme dhe e pashmangëshme e hajdutave dhe plehrave që merren me politikë, Morbus Halabakus:

    Vjeç 35

    Emri: Partia

    Mbiemri: Demokratike

    Dalë: Nga mitra e përgjakur e Sigurimit të Shtetit.

    Ati themelues: Ramiz Alia

    Mëma pagëzuese: Partia e Punës

    Atentatori që e ndoqi dhe e vrau: Sali Kulla

    Arsyeja pse e vrau: Nuk dinte të bënte gjë tjetër.

    Kumbari: Kadri Hazbiu.

    Mjeku që ja këputi kordonin ombelikal: Greku.

    Prifti që e pagëzoi: Sërbi

    Profesioni: E përdalme.

    Besimi: Pabesia.

    Skills: Gjuhë e drunjtë. Adhurim ndaj stalinizmit. Njohje e thellë e soc-realizmit të aplikuar sidomos në mënyrën si lëpihet këpuca e eprorit, si i plaset koka për muri vartësit, si bëhet pordha nga frika. Ndjekja e përpiktë e mësimeve të pavdekëshme të shokut kurvi.

    Origjina: Diktatura, dhuna, bolshevizmi, fukarallëku, rrahjet, burgjet, internimet, spiunllëku.

    Filozofia që e udhëhoqi: Materializmi i çfrenuar, klientelizmi, regjionalizmi, makiavelizmi, bizantinizmi.

    Mënyra si qeverisi: Si sekt terrorist më i zi, më i egër dhe më i qelbët se çdo pushtues, grusht bashkuar rreth vjedhjes, xhvatjes, rrenës, shpifjes, frikës, kërcënimit, rrahjes.

    Strategjia komunikative: Lobimi ndërkombëtar me avoketër të paguar me shifra astronomike me pare publike të vjedhura që s’e kanë idenë si e qysh janë shqiptarët, ku bie Skrapari e Puka e ku ndodhet Librazhdi e Leskoviku.

    Paraardhësja: Partia e Punës

    Pasardhësja: Vdekja, ngordhja, asgjësimi, kjo që i bëri Sali Kulla, që e përdhosi, e degjeneroi, e turpëroi, e vrau. e groposi, e varrosi, dhe sipër varrit i mbolli plepin.

    E ndyera në fjalë, sajesa arrificiale më budallaqe nën diellin, nuk cofi në 1 ditë.

    Në fillim u çartallos nga trutë e kokës. Iku nga fiqiri. S’dinte ç’bënte.

    Pastaj i iku syri, iu err vështrimi, ngatërronte njërin me tjetrin, besnikun me tradhëtarin, oportunistin me qëndrestarin, derisa në pak kohë u qorrua fare.

    Pak më vonë e lanë veshët, u shurdhua, le llafet, po edhe bomba t’i binte te këmbët, nuk e dëgjonte.

    Hundë për nuhatje, qellëz për shije, nuk pati kurrë.

    Ngaqë hëngri si kafshë çfarë i doli para dhe kafshoi gjithçka pa dallim, rraqe, hekurishta, sende të forta, dhëmbët i ranë herët.

    Nuk fluturoi, ç’ësht’ ajo fjalë, as nuk eci kurrë. Vetëm u zvarrit si gjarpër, këtu afër, këndej rrotull, këmbët që mezi e mbanin, nuk i përdori, i mbetën si atavizma.

    Varrimi i asaj që vrau Sali Kulla bëhet më 11 maj.

    Nisja e kortezhit do shoqërohet me muzikë gazmore nga “Shejtanbudallejt e Çmendur”, alias SHQUP-i.

    Në varrim të gjithë do mbajnë në duar nga një karton ku të shkruhet: Paç këmbën e mbarë o partia ime. Pas pak inshallah të ardhtë rradha ty o Sali Kulla.

    Muzika do jetë me pjesë të zgjedhura nga kori funebër i Ushtrisë së Kuqe.

    Ca kinezë ardhur enkas do lozin pjesë nga kryevepra operistike “Lindja është e Kuqe”.

    Banda e ushtrisë me dirigjent Beqir Ballukun ngritur enkas nga varri do luaj me daulle, trumpeta, fanfara, “Marshi i Barabajt”:

    Allalla, o rezil e katil, allalla,

    Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,

    Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,

    Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba.

    Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,

    Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,

    Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,

    Derbederr, ujk e derr: Hosanna, Barabba.

    Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,

    Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;

    O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba.

    Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,

    Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,

    Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,

    Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,

    Lehni laro, kaba: Hosanna, Barabba.

    Para zbritjes së kufomës në gropë, mijëra pjesmarrësit në funeral, pa dallim krahine dhe ideje, do e pështyjnë arkivolin sa tu thahet fyti.

    Epitafi mbi varr: E mundësoi Regani. E ruajtën të përndjekurit. E vrau Sali Kulla.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit