13.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Edhe Berisha spiun i ish- Sigurimit? Përgjigja që i la pa fjalë deputetët e PD

    Ilir Meta po pranon gradualisht se ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar shokët e tij të klasës. Meta e përjetoi me nervozizëm dhe shpërtheu me një fjalor banal pas nismës ligjore të socialistëve për të larguar spiunët nga politika dhe Kuvendi. Por, figura të Partisë Demokratike kanë dyshime të forta se edhe Sali Berisha, aleati kryesor sot i Ilir Metës, ka qenë agjent i ish Sigurimit të Shtetit. Madje, deputetë dhe ish deputetë të PD-së, sot bashkëpunëtorë të Berishës, kanë kërkuar me këmbëngulje dosjen e pretenduar të Berishës si spiun i ish Sigurimit të Shtetit.

    Bëhet fjalë për deputetin Tritan Shehu dhe ish deputetin Genc Pollo, të cilët u përplasën me Berishën në vitin fund të vitit 1998, për drejtimin e PD-së. Konflikti u përshkallëzua në vitin 1999, kur Pollo tentoi të sfidonte Berishën për kreun e PD-së. Pollo u tërhoq në momentet e fundit, duke marrë me vete një mëri të madhe politike, e cila çoi në shkëputjen e një grupi deputetësh nga PD-ja, me në krye Pollon dhe Tritan Shehun, duke krijuar më pas një parti të re.

    Pas ndarjes, Genc Pollo u angazhua për të zbuluar një dosje të pretenduar të Sali Berishës si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Në emër të grupit të deputetëve të PD-së, Pollo shkoi një ditë në zyrën e Nazif Bezhanit, kryetar i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të larta, për lidhjet e tyre me ish-Sigurimin e Shtetit.

    Pollo i kërkoi Bezhanit t’i gjente dosjen e Berishës, i bindur se Berisha kishte qenë spiun. Nazif Bezhani i kishte kujtuar Pollos se një gjë e tillë nuk ia lejonte ligji. Duke marrë këtë përgjigje, Pollo e kërcënon Bezhanin se do ta denonconte publikisht se po mbronte bashkëpunëtorët e ish Sigurimit të Shtetit.

    Interesi i Pollos dhe i deputetëve të tjerë të PD-së, për dosjen e Berishës, reflektohet në një libër me kujtime të Nazif Bezhanit:

    “Një parti tjetër, e quajtur e djathtë, kërkoi verifikimin e figurës vetëm për dy nga anëtarët e kryesisë, me sa duket për shkaqe personale. Kryetari i kësaj partie e kishte bërë kërkesën me shkresë zyrtare dhe e pruri personalisht në zyrën time, duke më thënë se: “Kam dyshim se këta kanë qënë spiunë të Sigurimit, prandaj të lutem me i kontrollue me shumë kujdes”. Disa ditë pas ardhjes së kryetarit, më kërkuan takim dy të interesuarit. Ata më thanë se kryetari i tyre kishte qënë agjent i UDB-së dhe më lëshuan në tavolinë një libër, duke më thënë: ‘lexoje vetë, ka kaluar kufirin e Shqipërisë më se 10 herë për llogari të UDB-së”. Nuk u premtova asgjë. Mendova se kisha të bëja me një problem shumë të ndërlikuar, prandaj duhej të refuzoja me çdo mënyrë kërkesat e tyre. Në fakt, kisha të gjitha mundësitë për t’i refuzuar këto kërkesa, për shkak se ato ishin pa bazë ligjore. Dhe kështu u veprua.

    Por, një nga ngjarjet interesante ishte shkëputja e një fraksioni nga Partia Demokratike, me pretendimet e tyre kundër udhëheqjes së Partisë. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, i konsideruar kryetar provizor, erdhi në zyrën time dhe më kërkoi me këmbëngulje kontrollin e figurës së kryesisë së Partisë Demokratike, e në veçanti, të Sali Berishës dhe Pjetër Arbnorit. Ai më siguroi se të dy kanë qenë agjentë, por jo vetëm kaq. Kur unë kundërshtova për të marrë përsipër një verifikim të tillë, për shkak se nuk kishte bazë ligjore, i ashtuquajturi kryetar më kërcënoi se do t’i drejtohej për gjykim opinionit, nëpërmjet masmedias…

    -Më vjen keq për mungesën e kontrollit të vetvetes. Unë ju sqarova se ligji nuk parashikon kontroll të figurës për partitë politike. Atëherë, të veprojë kundër ligjit, këtë kërkoni ju?! Veç kësaj, më çudit edhe diçka tjetër, ju akuzoni zotin Pjetër që ka kaluar të gjithë jetën në burg, plot 28 vjet!

    -28 vjet agjent i Sigurimit të Shtetit!- u përgjigj i irrituar.

    -Absurditet!- iu përgjigja unë.

    E pashë keq me të, por e gjeta shpejt një rrugëzgjidhje:

    -Për mendimin tim, kërkesa që bëni do të kishte një motiv logjik, në rast se ju, si grup fraksionist, i drejtoni një kërkesë Komisioni me firmën e të gjithëve për kontrollin e figurës suaj, dhe, krahas kësaj, të kërkoni publikisht edhe kontrollin e figurës së anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, duke u bërë thirrje që edhe ata të ndjekin shembullin tuaj.
    Ky propozim i pëlqeu shumë kryetarit të grupit, i cili u duk më i qetë dhe më zgjati dorën, duke më thënë:

    -Keni të drejtë, kjo është rruga më e arsyeshme. Do të vij shpejt.

    Nuk kaluan as dy orë, kur kryetari i grupit kthehet me një listë në dorë, të firmosur nga shokët e tij. Unë po zbrisja shkallët e Ministrisë, për të shkuar në SHISH. Dhe, pikërisht në rrugë, më dorëzon letrën me firmat e 11 anëtarëve të grupit. E futa atë në xhep dhe u nisa, duke marrë me vete edhe një ndjenjë dyshimi për ta, që më bëri kurioz dhe më detyroi të bëj verifikimin në më pak se dy orë. Nga të 11 fraksionistët, dy prej tyre dilnin me njolla serioze. Më bëri përshtypje, veçanërisht, njëri prej tyre, që shoqëronte kryetarin, i cili mu duk më llafazan dhe më këmbëngulës për kontrollin e figurës së Kryesisë së Partisë Demokratike. Ai më tha se, “jo vetëm unë, por e gjithë familja jonë ka qënë e persekutuar nga regjimi i Enverit, ndërsa tani kërkojmë të na udhëheqin këlyshët e tij. Jo Zotëri, ne nuk mund ta lejojmë këtë!”. Dhe pikërisht, ky “trim” kishte një dosje shumë të madhe. Unë shënova në bllok pseudonimet e tyre: “trëndafili” dhe “sqepari” dhe vendosa të mos merresha me ta”.

    264 dosje për politikanët dhe zyrtarët e lartë

    Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka identifikuar 264 dosje për politikanë dhe ish-zyrtarë shqiptarë, bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Këto dosje janë krijuar nga veprimi dhe zbatimi i ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Bëhet fjalë për ligjin, në bazë të cilit u ngrit dhe funksionoi komisioni “Mezini” dhe pas tij komisioni ‘Bezhani’.

    Komisioni ‘Mezini’ pengoi kandidimin e disa figurave të opozitës së atëhershme, vendime këto që u cilësuan politike e ranë vite më vonë. Më pas komisioni “Bezhani” tentoi pastrimin e politikës shqiptare nga ish-spiunët, por edhe ky komisionin u bllokua më vonë po nga politika. Nga zbatimi i këtij ligji, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit thotë se ka identifikuar dhe administruar 264 dosje. Autoriteti ka identifikuar 6724 dosje dhe fashikuj nga fondi i të arratisurve, nga fondi i të huajve 12392 dosje dhe fashikuj si dhe 10733 dosje për bashkëpunëtorët. Janë identifikuar gjithashtu 459 dosje agjenturore, 842 regjistra të ndryshëm (agjenture përpunimi) si dhe 1 174 fashikuj të ndryshëm për vizitorët, turistët, të dënuarit dhe specialistët e huaj.(Shqiptarja.com)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit