Ilir Meta ka folur në lidhje me çështjen në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e tij nga detyra. Meta deklaroi se e ka përfunduar misionin e tij që pas 25 prillit ndërsa shtoi se nuk ka asnjë problem nëse 24 korriku afrohet sot, pasi ai do kishte dashur të kishte përfunduar këtë detyrë që dje.
“Më vjen për të qeshur me këtë atmosferë që përpiqen të krijojnë sikur do ndodhë diçka e madhe për të hequr vëmendjen nga aferat. Dhe për të harruar rritjen e çmimeve që ndodhin kudo. Përballja ime është gjithmonë e hapur dhe transparente. Në respekt të qytetarëve çdo pyetje që më është bërë do i jap përgjigje publike. I ftoj qytetarët e Shkodrës të na ndjekin. Unë jam në krye të detyrës.
Unë nuk jam këtu për të shprehur asnjë shqetësim. Që pas 25 prillit e kam përfunduar misionin tim si president i republikës. Qëndroj për të respektuar Kushtetutën. Nëse 24 Korriku do jetë sot, unë do doja të isha dje. Nuk kam asnjë shqetësim për këtë çështje”, u shpreh Meta në Tv1 Channel në Shkodër.
Ai nënvizoi se është i pari president për shumë çështje të rëndësishme ku e kanë sjellë rrethanat gjatë kohës kur ka qenë në detyrë. Meta ironizoi komisionin hetimor të ngritur për të, duke shtuar se është hetuar pse ka respektuar kushtetutën.
“Do jem i pari president për shumë gjëra sepse kështu më qëlluan rrethanat. Sepse ishim një vend pa Gjykatë Kushtetuese dhe një përpjekje të papërgjegjshme dhe të karakterit mafioz nga ana e qeverisë për të kapur institucionet e drejtësisë. Besoj e keni ndjekur përkushtimin tim për të parandaluar atë gjendje të rëndë që nuk mund të ndodhë as në vendet afrikane. Unë qëllova president kur opozita dogji mandatet.
Një tjetër risi më kuptimin më negativ për demokracinë. Mbeta i vetëm përballë një parlamenti me 122 kartona sepse çdo gjë vepronte me komandë. Gjithmonë i ekspozuar nga komisione qesharake hetimore.
Jam hetuar për mbrojtjen e demokracisë. Për të mos përmendur zgjedhjet vendore që nuk ia shpjegon dot askujt në Europë. Nuk po mërzitem që jam dhe i pari që shkoj nga një parlament i shkarkuar pas 25 Prillit, në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi presidenti.