25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Edhe një herë për kal-vrasësin Selfo, indinjimet nga Dukati dhe pse media duhet të jetë zëri i kuajve të lirë

    Nga Adriatik Doçi

    Shumë reagime kam pasur në rrjet për vrasjen e kuajve në Llogara. Me mijëra janë prekur për kafshët e pafajshme. Disa janë prekur pse mbiemri i Selfos identifikohet si fis, apo pse fshati Dukat barazohet me Selfon. Një syresh apo sylesh që mban mbiemrin e Selfos, më tund online pasaportën greke, e më kërcënon se do më gremisë në gjyq. Disa të tjerë thonë se janë nisur me sopata për në Tiranë për të hequr njollën nga mbiemri.

    Për dashamirësit e kuajve dhe dashamirët e Selfos kam pak shpjegim.

    Inspektori i rrugores, 26-vjeçari Klajdi Mustaj, polic shembullor, sot u dekorua. Ai u lartësua nga rrjeti sepse me heroizëm të pashoq nxori nga flakët e një aksidenti automobilistik në “Qafën e Koshovicës” tre njerëz të aksidentuar.

    Në Vlorë, pak ditë më parë, goditja e kamarierit 18-vjeçar, kryqëzoi me emër e  mbiemër oficerin e karrierës Ardian Isufi, i cili u “rrah” rëndë nga 9 vetë ditën e ngjarjes dhe më shumë u rrah më pas, nga rrjeti me 10 milionë shqiptarë.

    E njëjta ndodhi edhe me kal-vrasësin Selfo Merkohitoj. Doli lajmi, më pas autori me fytyrë, emër dhe mbiemër, pasi policia e identifikoi si të dyshuar për zhdukjen e 4 kuajve dhe plagosjen e disa të tjerëve në “Qafën e Llogarasë”. Rrjeti e kryqëzoi Selfon, sidomos kur i pa edhe surratin, sepse vrau kafshën më të pafajshme në botë, kalin.

    A është e drejtë të kryqëzohet në rrjet Selfo Merkohitoj?

    Nëse Selfo vërtetohet me prova fajtor, dënohet me gjobë, ose burgim 3 deri 6 muaj. Këtë thotë Kodi Penal në nenin 207/c për vrasjen e kafshës, nen i ri i bërë nga baballarët e reformës në drejtësi në vitin 2019. Thuhet se njërit prej tyre i vranë qenin dhe nga hidhërimi “sulmoi” komshiun me nen të ri në Kodin Penal.

    Drejtësia jonë nuk po dënon krimet e bëra nga njerëz me viktima njerëz e jo më kafshë, aq më pak kuaj. Selfo ka vrarë 4 kuaj, plagosur 3, me çetën e tij nëpër male, ka asgjësuar me dhjetëra kafshë të tjera. Është bërë tmerri i gjedhëve, bletëve e kuajve. Edhe çakejtë e maleve e kanë frikë Selfon. Një diktator në mbretërinë e Llogarasë.

    Ç’duhet bërë me “Sejfot” atëherë? Duhen pritur hetimet, drejtësia?!

    Një kushëri me të njëjtin mbiemër e dënonte Sejfon, por kërkonte të mos përmendej mbiemri i tij. As fshati. Me të drejtë, Merkohitaj apo Merkohitoj, ka shumë… ashtu si Meta, Berisha, Hoxha.

    Por kjo nuk e cenon një njeri dinjitar që mban atë mbiemër. As fshatrat nga e kanë prejardhjen. Viçitoli, Skrapari, Gjirokastra apo Dukati kanë nxjerrë njerëz të nderuar, kanë njerëz të nderuar, por kanë në “pyllin” e tyre edhe Sejfot, që në një rast vret njerëz e në tjetrin kuaj; në një rast vjedh njerëzit, e në tjetrin kuajt. Ndaj dhe kushërinjtë e Selfo kal-vrasësit bëjnë mirë të dënojnë publikisht Selfo Merkohitajn e t’a detyrojnë të tregojë të vërtetën në mexhlisin e Dukatit e të mos merakosen se u doli mbiemri në media. Ata duhet ta detyrojnë Sejfon t’i përgjigjet pyetjes: Pse i vrave kuajt e pafajshëm?

    E për sa kohë nuk del live Sejfo të na shpjegojë vetë për krimin kafshëror, do jemi ne të medias që do u japim gojë kuajve që as dinë të flasin, as të pyesin e as të shkruajnë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit