10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Edhe vdekja di të jetë e bukur!

    Nga Edmond Harizaj

    Jeta shfaqet ndonjëherë me gjithë fuqinë, bukurinë e pasionin e saj, pikërisht pasi ka mbaruar. Ndoshta ky ishte kumti që ka dashur të përcjellë, që prej varrezave të Ballshit, aty ku me një grusht ilaçesh i dha fund jetës Petrit Jaupaj, mbi varrin një vjeçar të së shoqes.

    Të mësuar me burra që vrasin gratë, që i dhunojnë e përshunojnë, sa pak vëmendje mori zemra e thyer e këtij burri 63 vjeç! Ndoshta nuk ishte në moshën e Romeos, e nuk po qante e vetvritej mbi varrin e Xhulietës; por a mundet vallë që dashuria të tërheqë vëmendjen vetëm për lidhje të flashkëta interesi televiziv e përfitues?!

    Sipas meje, Petriti, mësuesi i biokimisë duhet të ishte një javë rresht në faqet e para të mediave, në emisionet televizive. Jo për të lartësuar vdekjen, por për të himnizuar dashurinë. Për t’i dhënë kuptim, diçka që sot duket fallso, e shtirë dhe me shumë përdorime. Jam i sigurtë se ai nuk ka nevojë për mëshirë, as për justifikime, aq më pak për kritikat snobiste “u tregua i dobët”.

    Kush vallë e njihka kaq mirë zemrën e thyer dhe shpirtin e tij (apo kujtdo tjetër) sa për të gjykuar?! Ashtu si jam i sigurtë se fëmijët e tyre do të jenë të mrekullueshëm, pasi janë rritur në një ambient të mbushur me dashuri, përkujdesje e vëmendje.
    Ndoshta me vdekjen e tij, ai kërkon të na tërheqë vëmendjen për të marrë shembull jetën e tij.

    Prandaj ishte një vdekje e bukur. I lut kolegët gazetarë, fëmijët e Petritit, të afërmve të tij, të tregojnë, të tregojnë, të tregojnë jetën, dashurinë, marrëdhënien e këtij çifti të mrekullueshëm. Mes errësirës së historive brengosëse shqiptare, ku burrat i vrasin, i rrahin, i dhunojnë, i përdhunojnë e i shesin gratë, historia e Petritit dhe bashkëshortes së tij do të ishte si një rreze Dielli.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit