Vendimi i marrë së fundmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pezullimin përkohësisht të vizave të emigrimit për 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria, ka sjellë një sërë reagimesh këtej, përtej Atlantikut.
Opozitarët, përmes deklaratave të tyre në rrjetet sociale i kanë kërkuar llogari publikisht kryeministrit Edi Rama për këtë vendim të marrë nga “partneri strategjik”.
Në një kohë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës thuhet se janë të konsoliduara dhe bashkëpunimi mes tyre sa vjen dhe është më i ngushtë, emri i Shqipërisë së fundmi në listën e zezë (jozyrtare) ka bërë që demokratët të drejtojnë gishtin nga Edi Rama.
“Vendimi i SHBA-së për të pezulluar vizat për Shqipërinë është një kambanë alarmi për realitetin ku ka përfunduar vendi me qeverisjen e Edi Ramës”, shkruan deputetja demokrate, Ina Zhupa, ndërkohë që kolegu i saj, Saimir Korreshi pyet publikisht kryeministrit se çfarë do u thotë mijëra shqiptarëve.
Reagimet:
Ina Zhupa: Vendimi i SHBA-së për të pezulluar vizat për Shqipërinë është një kambanë alarmi për realitetin ku ka përfunduar vendi me qeverisjen e Edi Ramës!
Për vite kemi dëgjuar slogane për “partneritet strategjik”, “imazh të përmirësuar” dhe “besueshmëri ndërkombëtare”, ndërsa sot vendi ynë renditet në të njëjtën kategori me shtete që njihen për izolim, paqëndrueshmëri dhe mungesë standardesh.
Kjo nuk është rastësi. Është pasojë e drejtpërdrejtë e një shteti të dobësuar nga lidhjet me narkotrafikun, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar dhe nga institucione që funksionojnë për interesa politike, jo për qytetarët.
Në fund, ata që dëmtohen janë qytetarët shqiptarë!
Ky është një hap prapa për Shqipërinë, jo sepse partnerët na kanë braktisur, por sepse qeverisja ka dështuar. Kjo qeveri e dështuar duhet larguar një orë e më parë për të mirën e vendit!
Saimir Korreshi: Ku eshte fshehur Edi Rama??
A ja ka treguar ndonje keshilltar deklaraten e Ambasades Amerikane??
Deri dje na derdelliste si gjeli ne maje te plehut, Ambasada, Amerika. Po tani ??
Si ka mundesi Babos tja bejne kete kur Babua po e çon perrrrrparaaa drejt gropes Shqiperine??
Po Shqipetareve qe do penalizohen per vizat çfare do u thuash o mjekerrcjap??
Shikoni Listën e publikuar nga ShBA, mbi pezullimin e vizave. Vende te pa zhvilluara, vende me korrupsion domethënës dhe vende që trafikojnë drogë. Nga Ballkani bie në sy, mungesa e Serbisë në listë !!??
Lista e plotë e vendeve përfshin Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.
Edith Harxhi: Miq kam vetëm disa pyetje për Z. KM. Si ishte ajo puna e Kinës?
Si përfundoi Shqipëria në këtë listë 70 e kusur shtetesh që u ngrien marrëdhëniet konsullore nga ana e ShBA-së? A e dini ju që marrëdhëniet konsullore me ShBA-në janë vendosur në kohën e qeverisë Vrioni madje atëherë është negociuar edhe heqja e vizave nga të dy shtetet? Marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore janë ndërprerë vetëm në kohën e Enver Hoxhës. Marre t’ju vijë! E tjetërsuat vendin më pro-amerikan në botë…Vend anëtar i NATO-s në atë listë. Tmerr! Ky është fundi juaj dhe jo i Shqipërisë dhe shqiptarëve… nuk i merrni dot me vete aty ku do të shkoni.
Ngrehu shqipe!



