16.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Prill, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Edi Rama premtoi një super anije luftarake, Flota detare e Shqipërisë do të marrë në dorëzim një korvetë italiane

    “Flota detare e Republikës së Shqipërisë, siç thashë do të ketë një super anije së shpejti dhe do të bëhet me tre anije luftarake të reja”.

    Kështu zbuloi të shtunën, kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa rendiste arritjet në sektorin e Mbrojtjes.

    Anija do të jetë e tipit korvetë, nga klasi Cassiopea i marinës ushtarake italiane, ka mësuar Albanian Post, ndërsa dorëzimi i saj do të bëhet në ditët në vijim.

    Këto lloj anijesh janë më të vogla se destroyers-at (shkatërruesit) ose fregatat, por janë të pajisura për detyra të ndryshme detare, të tilla si mbrojtja ose mbikëqyrja bregdetare.

    Klasi Cassiopea është një seri prej katër anijesh patrullimi të marinës ushtarake italiane.

    Ato u ndërtuan në fund të viteve 1980 sipas standardeve civile dhe janë të dizajnuara për patrullim në zona të sigurta.

    Në fillim të viteve 1980, marina italiane zhvilloi dy klasa korvetash për të zëvendësuar anijet e vjetra.

    Klasi Minerva ishin anije plotësisht luftarake për të shërbyer si shoqërues bregdetar dhe të pajisura me sensorë dhe armatime moderne.

    Nga ana tjetër, klasi Cassiopea ishin anije patrullimi më të thjeshta në det të hapur, të destinuara për të zëvendësuar korvetat e vjetra të klasit Albatros.

    Për shkak të procedurave të mirëmbajtjes të kryera së fundi nga autoritetet italiane, anija do të mund të jetë tërësisht e përdorshme edhe për 10-15 vitet e ardhshme”, zbulon një zyrtar i lartë i mbrojtjes për AP-në.

    Armatimi kryesor i anijeve të këtij klasi është një armë e vetme Oto-Melara 76/62 Allargato, me sisteme të kontrollit të armëve dhe zjarrit që përdoren nga fregatat e çmontuara të klasit Rizzo/Bergamini.

    Anijet janë të pajisura gjithashtu me një kuvertë fluturimi dhe hangar të palosshëm për të akomoduar një helikopter.

    Siç ka mësuar Albanian Post, dorëzimi i anijes do të bëhet me një ceremoni, ku pritet të marrë pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

    Korveta pritet të dorëzohet nën shoqërinë e krenarisë së marinës italiane, Amerigo Vespucci, e cila është një ndër anijet më të bukura që lundron anembanë botës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit