Fituesja e “Big Brother”, Egla Ceno — prej vitesh aktore në Teatrin “Skampa” në Elbasan — ka njoftuar dorëheqjen e saj nga institucioni artistik. Shkak për largimin, sipas saj, është bërë ndërprerja e rrogës.
Në një reagim të bërë publik në rrjetet sociale, Ceno shprehet se paga i është pezulluar për shkak të pjesëmarrjes së saj në shfaqjen “Babai”, e cila u dha në Teatrin Kombëtar Eksperimental. Ajo ironizon situatën, duke deklaruar: “Keni dy muaj që më hiqni bebelinat e mamit, 550 mijë lekë të vjetra rrogë.”
Në mesazhin e saj, aktorja shprehet:
“Falenderim publik për Teatrin ‘Skampa’ për ‘bashkëpunimin’ që kam patur deri sot. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme; sidomos momenti kur u vendos të hiqej paga ime vetëm se mora pjesë në shfaqjen ‘Babai’ te Teatri Kombëtar Eksperimental (të paktën ky ishte preteksti që m’u komunikua). Një veprim ‘artistik’ me plot finesë, që flet shumë për mënyrën se si vlerësohet puna, artisti dhe njeriu.”
Ajo shton me ironi edhe për menaxhmentin e institucionit:
“Sa për dirigjencën? Bravo. E goditët me stil të vërtetë të lartë ‘vendimmarrjen kreative’. Kaq kam për dirigjencën! Zoti qoftë me ju.”
Më tej, Egla thekson se po largohet e qetë dhe e bindur për vlerat e saj:
“Vijoj përpara, më e fortë dhe më e qartë se kurrë për çfarë meritoj dhe çfarë nuk pranoj.”
Në fund, ajo shpreh mirënjohjen për publikun elbasanas:
“E dua pafundësisht Skampën dhe Elbasanin dhe jam vetëm mirënjohëse për dashurinë e publikut. Kjo është një histori drejtorllëku, por unë ‘luftën’ e kam me skenën, jo me drejtorllëkun. Prandaj, i mrekullueshmi Elbasan, të lutem prano dorëheqjen time. Ju kam në zemër.”



