Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ndodhet në Nju Jork, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë qëndrimit atje, ajo ka marrë pjesë edhe në një takim të Nismës Adriatiko-Joniane.
Teksa ndan pamjet nga takimi, ajo thotë se me homologët dhe partnerët rajonal ka theksuar nevojën e një bashkëpunimi të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës, si nevojë strategjike për integrimin e vendit në BE.
“Përgjatë mëngjesit të sotëm të punës në Nju Jork me homologë dhe partnerë të Nismës Adriatiko-Joniane, theksova se bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës është nevojë strategjike për përshpejtimin e integrimit në BE të rajonit tonë”, shkruan shefja e diplomacisë shqiptare.
Mes fotografive, dallohet dhe një shtrëngim duarsh me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, i cili njihet për aktivitetin e tij në Kosovë, kryesisht përpjekje për të krijuar tensione në Veri.
Ky shtrëngim duarsh me Elisa Spiropalin ka “trazuar” Beogradin zyrtar, ndërsa vetë shefi i diplomacisë serbe nuk ka preferuar të ndajë fotografinë me ministren e Jashtme të Shqipërisë, ndoshta dhe për të mos i dhënë shkak opinionit publik në vendin e tij.
“Duke e nisur #UNGA80 të këtij viti me pjesëmarrjen në Mëngjesin Joformal të Punës, i cili do të mbahet në kuadër të Ministrave të Punëve të Jashtme të Iniciativës Adriatiko-Joniane, i organizuar nga kolegu im Timco Mucunski”, shkruan ndër rreshta kryediplomati serb.



