5.5 C
Tirana
E enjte, 7 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Emigranti shqiptar: Një mesazh për të rinjtë që vijnë me gomone në Angli!

    Rezart Hoxha ka 26 vjet që jeton në Londër. Ai iku në një periudhë të vështirë për Shqipërinë, në 1997-ën. Tani ka një biznes të vetin në Londër, ku punon si elektricist. Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në “Shqip” në Dritare TV, Rezarti tregon se nuk ishte aspak e lehtë për të që të arrinte këtu ku është sot. Kam bërë shumë sakrifica thotë Rezarti, punoja ditën që të shkollohesha natën.

    “Unë erdha në Londër në fund të marsit të ‘97-ës. Unë jam njohur me Anglinë që kur punoja në Greqi në ‘95-ën. Kur punoja në hotele në Greqi njoha ca anglezë dhe mora kontaktet e tyre. Anglia e ‘97-ës, nuk është kjo që shikojmë sot. Mentaliteti kundër të huajve ka pësuar ndryshime. Unë kam hapur një biznes normal këtu në Angli. Kam nisur punë si punëtor i thjeshtë. Kam bërë shumë sakrifica për të ecur para në jetë. Sakrificë legale, duke punuar natën që të bënim lekë që të shkonim në shkollë ditën.” tha Rezarti.

    Për Rezartin, shqiptarët që mbushin shtëpitë e barit, nuk janë ata që përfaqësojnë shqiptarët e vërtetë. Ne jemi më shumë se sa shqiptarët e barit, tha Rezarti.

    “Kur dëgjoj sot që shqiptarët kanë mbushur shtëpitë e barit, është katastrofike. 99% e shqiptarëve që kanë biznese këtu në Angli i kanë legale, biznese që punësojnë të huaj, por edhe anglezë e shqiptarë. Shtëpitë e barit nuk na përfaqësojnë neve. Ata që vijnë tani në Angli, nuk vijnë për punë, por për të punuar në shtëpi bari, deri sa t’i kapin dhe t’i kthejnë mbrapsht.

    Shqiptarët që kanë ardhur para shumë vitesh, janë njerëz që kursejnë, investojnë, nuk harxhojnë lekë kot. Ne jemi 200 mijë shqiptarë në Angli, ata që merren me shtëpi bari janë 1000, një pjesë shumë e vogël. Por janë këta që po krijojnë mendimin negativ për shqiptarët.

    Para një muaji isha në një kurs për teknikët e inxhinierët elektrikë e të ndërtimit dhe pashë që mësuesi ishte shqiptar i Kosovës, 85% e klasës ishin shqiptarë. Ky është evoluimi i çunave shqiptarë, jo ata të shtëpive të barit. Pse nuk merren këto fakte pozitive dhe t’i kundërpeshojnë, por mediat marrin ato negative për shqiptarët.”, u shpreh Rezarti.

    Në fund ai dha një mesazh për djemtë e rinj që duan të shkojnë në Londër.

    “Unë punoj si elektricist në Londër, kam dhe dy-tre punëtorë. Tani që është një periudhë e qetë, unë bëj edhe kurse që nuk i bëj dot gjatë vitit për t’u rritur profesionalisht. Unë kam lidhje me shumë biznese legjitime. Sa herë që vijnë çuna të rinj mundohemi t’i ndihmojmë. Shumë prej tyre vijnë me minus në Angli. Për ata që vijnë me gomone kam një mesazh. Për të ardhur në Angli mund të gjesh shumë mënyra. Por nëse nuk ke një biznes, një shkollë, nuk ke suport, këtu je në ajër.

    Është shumë e shtrenjtë jetesa. Nuk të intereson jeta këtu. Ti mund të bësh 2 mijë paund në muaj, por të duhen 2500 që të jetosh. Pra del me minus këtu. Është shumë e vështirë. Po patë zanat, edhe të vish legalisht, mund të gjesh punë kollaj. Nëse je 18 vjeç, shko shkollohu, investo në vete, edukohu, merr një zanat minimal. Po nuk patë një zanat, një aftësi do ta kesh shumë të vështirë, kudo që të shkosh”, u shpreh emigranti.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit