Euglena Hyseni, një emigrante shqiptare në Itali, rrëfeu përvojën e saj në shtetin fqinj. Hyseni tha se pavarësisht fillimit të vështirë e sheh të ardhmen në Itali dhe jo në Shqipëri.
Ajo tha se në Shqipëri nuk i mbetej asgjë në fund të muajit. Hyseni e konsideroi si një “gjendje alarmante” sigurinë për të ardhmen në Shqipëri.
“Nuk mund ta quaj veten studente, kam mbaruar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Kam pasur eksperienca në Shqipëri në biznese private dhe media, por s’kam gjetur atë hapësirën, atë mundësinë për t’u rritur, për të arritur atje ku kam pasur ëndërr.
Kjo më ka shtyrë të emigroj drejt Italisë, një vend fqinj, por që realisht ka shumë ndryshime. Edhe Italia është prekur nga kriza financiare, por kur gjendesha në Shqipëri e shikoja veten më të prekur, por këtu kemi më shumë hapësira, më shumë liri. Në Shqipëri kam paguar për arsimin një tarifë prej 600 mijë lekësh, ndërsa këtu është vetëm 15 euro për vit.
Unë po vazhdoj të studioj sërish në Itali, për të perfeksionuar gjuhën, dhe për të gjetur hapësira për t’u futur në tregun e punës sërish. Në Shqipëri nuk ka asnjë lloj qendre që i mbështet të rinjtë, njerëzit, si nga ana ekonomike dhe financiare.
Këtu kudo gjen qendra caritas-i që të mundësojnë ushqime, veshje. Mund të shkosh në bashki të kërkosh një vendstrehimi. Momentalisht nuk ndihem shumë e sigurt këtu në Itali, sepse akoma s’e kam gjetur veten, hapësirën ku do korr të ardhurat e mia. Por më e sigurt e shoh veten këtu. Ku në Shqipëri të ngelej nga paga mujore asgjë. S’e kam asnjëherë në plan të kthehem.
E kuptoj që do jetë fillim i vështirë, por më mirë marr përsipër rrezikun e fillimit se sa të vazhdoj në Shqipëri, kur e di që ashtu siç do isha para 5 vitesh ashtu do jem edhe pas 5 vitesh. Siguria për të ardhmen në Shqipëri është një gjendje alarmante. Të gjithë nga familja ime jemi duke ikur” tha ajo.