Protesta e sotme ishte entuziaste dhe e suksesshme në raport me konfirmimin e Berishës si lideri i padiskutueshëm i PD, por e vogël, e zbehtë dhe e pashpresë, për të simbolizuar pakënaqësisë anti Ramë që ekziston në vend.
Përtej folësve që u ngjitën në tribunë me vargjet e Fishtës apo Ali Asllanit, përtej slloganeve ironike me “Burg Brother Vip” dhe shpalljes së fillimit të revolucionit demokratik, gjithçka i ngjau një deja vu-je.
Televizionet e lajmeve filluan që në mëngjes transmetimin e militantëve që niseshin nga rrethet, bulevardi u zaptua për dy- tre orë, në fund u hodhën disa shashka kuq e blu dhe pastaj të gjithë u larguan të qetë dhe të lumtur.
Pra, ndonëse kjo protestë është një konfirmim më shumë në vazhdën e atyre që e kanë vulosur lidershipin e Berishës mbi opozitën, ajo është tepër larg asaj që PD-ja na ka ofruar në të shkuarën. Si masivitet ajo nuk i afrohej mitingjeve madhështore nën siglën “Nano IK” në 2004, që sollën, një vit më pas, ndryshimin me votë të pushtetit.
Ndërsa për nga ashpërsia, forca dhe tregimi i dhëmbëve ajo as nuk krahasohej me atë që realizoi PD-ja e Bashës në 2019, e cila falë provokimit arriti të nxjerrë në pah, dhunën, arbitraritetin e policisë dhe përdorimin e shproporcionuar të gazit lotësjellës, që vizatonin më së miri fytyrën autoritare të regjimit.
Pra pyetja që shtrohet sot përpara iniciuesve të “revolucionit demokratik” është: ç’vlerë ka të vazhdohet me këto manifestime, që nga njëra anë konfirmojnë një qëllim të arritur, atë se kujt i takon selia, vula dhe sigla, por nga ana tjetër janë krejtësisht të pamjaftueshme për të tronditur regjimin?
Natyrisht, e artikuluar në mënyrë kaq të vrazhdë, pyetja mund të tingëllojë cinike, sepse kushdo që e njeh situatën reale në Shqipëri, e di se në klimën e terrorit të patronazhistëve dhe aktiv1stëve qytetarët e punësuar kanë frikë të shfaqen në krah të opozitës, se një pjesë e militantëve të Laçit dhe Mamurrastit, me të cilët Berisha mburrej dikur se mund të rrëzonte çdo qeveri, janë rekrutuar me kohë nga bandat e dorogës e krimit, të lidhura me pushtetin, se në atmosferën e propagandës së shfrenuar mediatike, e institucioneve të “pavarura” të vëna në shërbim dhe të milionave të hedhura për të mbajtur opozitën të përçarë, ngjizja e një uragani ndryshimesh dhe shprese është shumë e vështirë për të marrë formë.
Por, sërisht pyetja mbetet pezull: çmund të bëjë opozita në këto kushte?
Njëra rrugë, më me risk, por më afat shkurtër, është ajo e sjelljes si një pakicë radikale. Duke i tejkaluar caqet e protestave të ligjshme, duke flirtuar me prishjen e paqes së rreme, ajo mund të prodhojë efektin psikologjik të një pushteti që nuk është i pa sfidueshëm. Kështu, nga njëra anë, do të trimëroheshin ata që e urrejnë këtë regjim kleptokratësh, por janë të tulatur ta demostrojnë ndjenjën e tyre me zë të lartë, ndërsa nga ana tjetër, do të krijonte përshtypjen e përgjithshme se kjo klikë që mendon vetëm për të grabitur, nuk është më në gjëndje të garantojë as siguri.
Rruga tjetër është më afatgjatë dhe kërkon shumë më tepër sakrificë dhe moral. Ajo do duhej të synonte mbledhjen e gjithë kundërshtarëve të regjimit rreth kësaj opozite, e cila, nga ana e saj, duhej të bëhej streha e njerëzve të vyrtytshëm e të besueshëm, përmes bashkimit fillestar të tërë faktorëve, që do të shërbente më pas si premisë për zgjerimin e radhëve përtej militantëve. Por ky projekt duket tepër idealist dhe i mundimshëm për njerëz që kanë objektiva imediatë.
Prandaj, si rrezultat i kësaj, PD dhe PL nuk po bëjnë as njërën as tjetërën. Ata po e shmangin radikalizmin duke u shtirur si një shumicë e rreme, duke qenë të pa aftë në këtë mënyrë, të mos ngjallin, as fikë dhe as shpresë.
11 shkurti ishte produkti më i dukshëm i kësaj kontradikte. Prandaj ata që ishin mbledhur në bulevard, erdhën, panë dhe u larguan të qetë dhe të lumtur duke i’u gëzuar vetëm fitores së luftës brenda llojit.