17.5 C
Tirana
E hënë, 16 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Erion Braçe “shpërthen” ndaj ministres së Financave: Kur do i ndihmoni të varfërit, se mbetët duke u dhënë para vetëm pasanikëve?

    Deputeti socialist Erion Braçe i ka kërkuar llogari ministres së Financave në lidhje me paketën anti-krizë të parashikuar nga qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve.

    Ai u shpreh se prej dy muajsh bujqit nuk marrin asnjë gramë naftë falas duke theksuar se nëse ata nuk punojnë tani në pranverën e ardhshme nuk do të ketë prodhim.

    “Investimet me financimin tuaj janë në nivelin më të ulët të mundshëm sa i takon realizimit. Ka ndonjë problem me këto? Pyetja tjetër që kam, ju thoni që do të vijoni zgjatjen e mbështetjes sociale me 6.1 miliardë lekë. Kjo zgjatja kur fillon? Sepse qershori, korriku, gushti iku. Dhe bëhet fjalë për shtresat më vulnerabël të ekonomisë.

    Ato janë goditur më shumë se kushdo tjetër nga rritja e çmimeve që këto muaj vazhdon të mbetet e lartë. Rritja e çmimeve ka dhënë një goditje të papërballueshme për këtë kategori. Kur do të fillojë zgjatja?

    Çfarë do marrin? Do të jetë e njëjta paketë apo do ketë diçka ndryshe? Pyetja tjetër që kam është se keni marrë disa vendime qeverie lidhur me bujqësinë. U caktua edhe një fond për vijimin e mbështetjes me naftë falas për bujqit. Prej dy muajsh ata nuk marrin asnjë gramë naftë falas. Punët janë tani se kanë korrjen dhe plugimin.

    Nëse nuk punojnë këto muaj harrojeni pranverën e vitit tjetër. Më vjen ta theksoj se në ato tabelat e rritjes ekonomike bujqësia vijon të jetë në shifra të ndryshme nga sektorët e tjerë. Pyetja e fundit që kam është si e parashikoni ju inflacionin për muajt që vijnë dhe çfarë impakti do të ketë te çmimet e prodhimit.

    Përveç ndërtimit ne nuk ndërhyjmë askund tjetër. Si e planifikoni, si e parashikoni inflacionin mbi ndikimin që do të ketë mbi prodhimin dhe mbi të gjithë masën e rrogëtarëve. Qoftë ata të shtetit, qoftë edhe ata të privatit?”, deklaroi ai.

    Braçe theksoi se kjo situatë nuk duhet marrë si shaka ndërsa kërkoi që ata që shpenzojnë energjinë elektrike për luks duhet të paguajnë me çmim tjetër në raport me pensionistët.

    “Parë edhe në luftën që po zgjat, energjia duhet të jetë sfida kryesore në sasi dhe kosto. Kemi detyrim të garantojmë energjinë elektrike edhe për prodhimin sepse përndryshe do të ketë impakt mbi prodhimin. Duhet llogaritur çdo qindarkë. Duhet një plan kursimi që ende nuk është i qartë. Ndonjëherë e marrin me shaka dhe fillojnë e qeshin.

    Të kursesh në këtë periudhë nuk është tallje. Është jetike. Qeveria duhet të shpallë një plan kursimi për institucionet publike. Zgjoheni në 5 të mëngjesit dhe shikoni se çfarë ndriçon në këtë qytet kot. Kush e do energjinë elektrike për luks duhet ta paguajë me çmim tjetër nga pensionistët. Kjo historia që e themi dhe nuk veprojmë, nuk shkon më.

    E dyta që kam është paketa sociale. Më shqetëson pa fund kjo gjë. Është shteti ai që duhet t’i mbajë ato kategori sociale. Akti normative është bërë në korrik dhe sot jemi në 6 shtator. Paketa e dalë nga këtu duhet të kishte dalë. Imagjinoni një çift pensionistësh që marrin të dy bashkë 22-23 mijë lekë. Këta njerëz i kanë sytë nga kjo paketa. Askund tjetër”, tha ai.

    Nga ana tjetër ministrja e u shpreh se paketa anti-krizë do të bëhet publike brenda pak ditësh. Ajo theksoi se nga 53.4 mld lekë rritje ekonomike në 6 muajt e parë të vitit, 20 mld janë përftuar për shkak të rritjes së çmimeve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit