28.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Erion Veliaj kërkon sërish lirimin nga qelia! Kush është gjyqtarja shkodrane që do të vendosë për “fatin” e kryebashkiakut

    Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar një tjetër institucioni të drejtësisë. Përmes avokatëve të tij, qytetari i parë i Tiranës, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në qeli, ka kërkuar nga Gjykata e Lartë një masë më të lehtë sigurie.

    Burime për mediat bëjnë me dije se kjo seancë do të zhvillohet më 8 korrik në orën 12:00 dhe do të jetë gjyqtarja Albana Boksi ajo e cila do të vendosë për “fatin” e kryebashkiakut. Boksi do të jetë relatore në këtë rekurs, ndërsa Medi Bici dhe Sokol Binaj janë anëtarët e tjerë të trupit gjykues.

    Ndërkohë, ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbrojtja e Veliajt do të njihet me informacionet e grumbulluara përgjatë këtyre dy muajve. Veliaj ka firmosur deklaratë nga IEVP Durrës dhe nuk do të jetë vetë i pranishëm, por do të përfaqesohet nga avokati.

    Më  9 qershor gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi vendosi që të rrëzonte kërkesën e avokatëve të Veliajt, duke lënë në fuqi masën e “arrestit me burg”.

    Kujtojmë se Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

    Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.

    Edhe më herët, Pëllumbi ka lënë në qeli kryebashkiakun, pasi mori parasysh kërkesën e prokurorëve të posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado, të cilët kërkuan lënien në qeli të Erion Veliaj, pasi sipas tyre vë në rrezik procesin, duke pasur mundësi që të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.

    Gjyqtari dhe prokurorët i iu drejtuan faktit që Veliaj mund të përdorë pushtetin e tij për të ndikuar mbi vartësit e tij, për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme të cilat mund të shpërbejnë si burime prove, si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm, vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara organit procedues ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve.

    Ndër të tjera gjykata iu referua edhe sjelljes së funksionarit të lartë gjatë kohës që ka qenë në ambientet e paraburgimit të Durrësit, i cili ka kryer edhe telefonata nga numri i brendshëm i burgut. Dhe që, sipas këqyrjeve të mëpasshme të SPAK, konsiderohet si rrezik i ndryshimit ose prishjes së provave.

    Një tjetër arsye për të cilën gjyqtari Pëllumbi vendosi që të linte në qeli kryebashkiakun ka qenë rreziku që ky i fundit mund të largohet nga vendi.  Lidhur me dyshimet e arratisjes të të dyshuarit, Pëllumbi tha se mundësitë financiare të të hetuarit vlerësohen në harmoni me lëvizjet e tij të shumta, konfirmuar edhe nga sistemi TIMS, dhe për shkak të veprave për të cilat ai po hetohet, gjykata doli në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta.

    Gjithashtu u morën parasysh edhe kërcënimet që kryebashkiaku Veliaj u ka bërë prokurorëve të posaçëm , konkretisht Ols Dados.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit