Një ditë pasi shpalli publikisht kandidaturën, aktivistja Evi Kokalari ka sfiduar publikisht Sali Berishën për kreun e Partisë Demokratike, zgjedhje të cilat do të mbahen në 23 maj të këtij viti.
Në një shënim të gjatë në Facebook, Evi Kokalari shkruan se ka integritetin e duhur për t’u përballur me Sali Berishën për kreun e PD-së. Kokalari shkruan se këto ditë, do të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për t’u futur në garë për të drejtuar demokratët.
Po ashtu aktivistja ka hedhur akuza të forta ndaj kreun të FRPD-së, Besart Xhaferri, se është i “pafytyrë” dhe se “që jep mend për këtë parti ndërkohë që është futur pa asnjë meritokraci në Këshillin Kombëtar, kryesi dhe parlament”.
Më tej, Kokalari shkruan se PD ka nevojë për rehabilitim, e cila sipas saj do të çojë në rrëzimin e Ramës nga qeveria.
“Vetëm me pikat më lart, them se jam në mënyrë absolute personi i duhur jo vetëm për një rehabilitim total të PD-së, por edhe për heqjen e Edi Ramës brenda një deri në dy vjet nga marrja e PD-së dhe, si pasojë, për një rehabilitim total të qeverisë dhe parlamentit, në mënyrë që të kemi një shtet funksional, pa korrupsion, që punon për popullin dhe jo anasjelltas”, thekson ajo në postimin e saj.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit:
Në 24 orët e fundit kam pasur shumë kërkesa për intervista dhe e kuptoj që hyrja në garë, sidomos kundër Berishës, përbën lajm.
Për momentin nuk dua të bëj intervista në Shqipëri, edhe pse një apo dy prej jush i kam konsideruar dhe ndoshta do të ulemi në të ardhmen.
Por, në kundërpërgjigje të komenteve tuaja se e kam të nevojshme platformën dhe duhet të filloj të kem audiencë, më lejoni t’ju them se JO – nuk kam nevojë për platformë mediatike, për më tepër që shumë nga ju deformoni fjalën që them. Qëllim keni vetëm klikimet dhe jo realitetin. Më shumë kohë kam kaluar duke ju dërguar mesazhe pas intervistave, duke ju kërkuar të më citoni për atë çfarë kam thënë, sesa vetë minutazhi i harxhuar gjatë intervistës.
Nuk jemi më në 2021, kur isha super naive dhe nuk njihja askënd nga ju. Sot njoh, pa frikë, 80% të atyre që kanë emisione politike dhe shumicën e analistëve nëpër studio, atë shumicë që lë shumë për të dëshiruar.
Për ata që nuk e dinë, intervista e fundit që kam dhënë në Shqipëri ka qenë ditën e zgjedhjeve në Amerikë, (Nëntor 2024) kur fitoi Trump, dhe kam refuzuar çdo intervistë më pas.
Sot, qëllimi im është kualifikimi në garë dhe kërkesa zyrtare do t’i shkojë Sali Berishas këto ditë nga avokatë amerikanë. Çdo intervistë e dhënë momentalisht është konsumim i tepërt.
Në momentin e kualifikimit, Berisha duhet të dalë publikisht në media me mua bashkë për të pasur debate në të njëjtin nivel si në SHBA, me gazetarë profesionalë që bëjnë pyetje reale që u interesojnë demokratëve që kanë të drejtën e votës.
Është e vështirë të mendosh se demokratët e PD-së së Rithemelimit nuk e dinë pasionin tim dhe sinqeritetin tim për ta nxjerrë atë parti nga llumi dhe moçali dhe për ta çuar atë në fitore. Në fakt, ai pasion dhe sinqeritet mblodhi aq shumë mbështetje gjatë foltoreve, dhe Berisha me atë abuzoi më vonë.
Maj–Gusht 2022, lufta ime publike u bë pikërisht për të mbrojtur votën e demokratëve të Rithemelimit, që u vodh haptazi, bashkë me meritokracinë që Berisha, në krahun tim në podiume, ua premtoi, duke futur dhe primaret.
Sali Berisha nuk e mbajti fjalën!!
Unë po – edhe pse e dija që do t’ju vinin kundër meje, siç ndodhi, sërish fola, bëra luftë dhe betejë e vetme! Ky është fakt që askush nuk e mohon dot, sepse është i raportuar masivisht nga media.
Sot kemi njerëz të pafytyrë si kreu i FRPD-së, që jep mend për këtë parti ndërkohë që është futur pa asnjë meritokraci në Këshillin Kombëtar, kryesi dhe parlament. Kujt i duhen këto lloj karakteresh?
Kush nga ju e ka harruar atë luftë që kam bërë pikërisht kundër manipulimeve të zgjedhjeve të FRPD-së, të Këshillit Kombëtar dhe të Kryesisë, dhe këtë të fundit e manipuloi dhe Albana Vokshi, që niste lista emrash me SMS se kë duhej të votonin gratë?
Statuti i PD-së kërkon integritet absolut për kryetarin e saj dhe as Berisha dhe askush tjetër që mund të pretendojë këtë post nuk matet dot me integritetin tim.
Integriteti, karakteri dhe patriotizmi tregohen me fakte dhe AKTE, jo me fjalë koti si të Berishës nëpër foltore apo intervista në TV.
Atyre analistëve dhe elementëve të PD-së që japin mend nëpër studiot televizive se nuk bëhet politika nga jashtë – keni të drejtë, nga jashtë nuk bëhet, por bëhet vetëm nga Ëashington, DC, ku kam kaluar pjesën më të madhe të kohës.
Ju kam thënë më parë: pastrimi politik në Shqipëri nuk bëhet nga terreni, sepse vota, sidomos e atyre që janë pjesë e strukturave të PD-së, manipulohet gjithë kohën. E njëjta gjë vlen edhe për zgjedhjet parlamentare dhe Edi Ramën.
Lufta bëhet nga Ëashington, DC dhe nëse dikush nga ju mund të ketë këllqe, por edhe mundësitë për ta arritur këtë, bujrum – hidhuni. Por mend se ku duhet të jem mos jepni, sepse nuk jeni në zotërim të kapacitetit të duhur për të analizuar se si dhe nga ku e bëj unë betejën.
Nuk dua të lë mënjanë ata analistë studiosh që deri në Tiranë kanë udhëtuar dhe japin mend se si funksionon DASH në Ëashington DC dhe se kjo e fundit s’do merret me votat në Shqipëri. Realisht, kjo tregon injorancë të thellë për sa i përket mënyrës se si llogjikoni, perceptoni se si funksionon SHBA, DASH apo DOJ. Ndoshta, minimalisht, lexoni mjaftueshëm që të analizoni se si funksionojnë administratat Amerikane. Por ju mirëkuptoj, sepse po të kishit aq mënd për analiza, do kishit analizuar së pari veten dhe ju garantoj që do kishit refuzuar të shkonit nëpër studio, sepse do donit të ruanit dinjitetin tuaj.
Sigurisht që ai $10 milionshi i Berishës për LaCivitën dhe Continential Strategies e ka vështirësuar punën, por kuptoni që Berisha ka blerë konsulentët dhe jo Presidentit Trump.
E kam thënë shpesh: llum më të qelbur se konsulentët politikë në Amerikë nuk ka, sepse për ta, çdo gjë drejtohet nga lekët dhe jo nga parimet. Këtu futen të gjithë me radhë, lobistët të parët.
Punën e ka vështirësuar edhe Edi Rama duke i falur Shqipërinë Ivanka Trump apo Jared Kushner, dhe sërish jam e vetmja që po e luftoj. Si? Këtë nuk mund ta bëj publike momentalisht, por kuptoni që SHBA ka akoma ligje, Kongres, FBI dhe media të pavarura, dhe së shpejti, ndoshta brenda marsit, do dëgjoni “bomba” që do ekspozojnë korrupsionin e Jared, Ivankës, kllounit të Kryeministrisë dhe disa të tjerëve.
Vetëm me pikat më lart, them se jam në mënyrë absolute personi i duhur jo vetëm për një rehabilitim total të PD-së, por edhe për heqjen e Edi Ramës brenda një deri në dy vjet nga marrja e PD-së dhe, si pasojë, për një rehabilitim total të qeverisë dhe parlamentit, në mënyrë që të kemi një shtet funksional, pa korrupsion, që punon për popullin dhe jo anasjelltas.
Sazani do të mbetet pronë e shqiptarëve dhe sikur Kushner të nisë punën për ndërtim. Kur njerëzit tanë të kenë takat, do ta ndërtojnë atë vet siç duhet.
Korrupsioni interatlantik do marr fund së shpejti. Kjo është në interes të vet Amerikës, kështu që nuk jemi vetëm në këtë betejë.
Dhe dy fjalë për ata që mendojnë se po më ndihmojnë duke më shpjeguar se kush është Berisha, si funksionon PD-ja dhe si nuk do të më lejojë të futem në garë apo të fitoj – dhe meqë kërkoni të dal nga loja pa hyrë mirë, dhe meqenëse e konsideroni veten aq të mençur (dhe ju lexoj të gjithëve, sepse çdo informacion ndihmon në një formë apo një tjetër), më duhet t’ju pyes: a ka ndonjë mundësi që në proces e sipër të mos ofendoni inteligjencën time? Ku e dini ju që unë pikërisht atë dua – manipulimet dhe fallcifikimet e Berishës në kurrizin tim?
Kur luftën e bën vetëm, e vetmja mënyrë për të fituar është një strategji e fortë. Lufta nuk bëhet me 1000 që thjesht hedhin gurë në ajër apo i vënë flakën Kryeministrisë, sikur të ishte pronë e Kristaq Ramës dhe jo e popullit, dhe pastaj kujtojnë se do fitojnë betejat me Edi Ramën.
Lufta fitohet vetëm me një strategji të mirë dhe të sofistikuar, dhe Berishës gjithnjë strategu i ka munguar.



