Një vrasje e trefishtë e tronditi mbarë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë mesditën e 1 marsit, kur një shtetas i identifikuar si Dan Hutra, 40 vjeç, i mori jetën gjakftohtësisht tre grave dhe plagosi tre të tjera.
Një arrati e mëpasshme prej gjashtë orësh, përfundoi me kapjen nga Policia e Shtetit dhe ajo çfarë ngjalli më shumë interes, ishte dëshmia e tij e parë pas kryerjes së vrasjeve të njëpasnjëshme.
Vetë ajo, edhe më rrëqethëse se krimi!
“Nuk jam i penduar. Doja t’i bëja ato krime, ndaj nuk pendohem”.
Këtë i ka thënë efektivëve të Policisë vrasësi i shumëfishtë me të shkuar të errët, i cili prej vitesh e kishte paralajmëruar krimin makabër që do të kryente herët ose vonë.
Madje, mbi rastin e ish-të fejuarës së tij, Elena Hysa, çështja shkon edhe një hap më tej, pasi kërcënimet i ka pasur të drejtpërdrejta dhe të qarta: Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju!
Kështu i ka thënë ai familjarëve të Hysës, pasi kjo e fundit i dha fund bashkëjetesës me Hutrën në qershor 2022, ku më pas vrasësi gjakftohtë u arrestua për dhunë në familje.
Vetë Hysa ka qenë denoncuesja, pas shumë kërcënimesh e dhunimesh që i ishin bërë dhe më 16 qershor, Hutrën e arrestojnë dhe ai lirohet nga burgu vetëm më 16 shkurt 2023.
Vetëm 14 ditë më pas, kryen krimin monstruoz në kryeqytet, duke vrarë, plagosur e prerë pa torua.
Mbi rastin e ish-bashkëjetueses, Elena Hysa, në mes futet edhe një shtatzëni, mbi të cilën Hutra e ka pranuar në fillim dhe e ka festuar me familjarët e të fejuarës.
Më pas, sjellja e tij ka qenë e çuditshme, duke pretenduar se fëmija nuk ishte i tiji dhe duke i kërkuar familjes Hysa t’i kthehen mbrapsht paratë e fejesës me vajzën e familjes (rreth 4 mijë euro).
Një pjesë të shumës ia ka kthyer babai i Hysës, por mbi shumën tjetër, kërcënimet kanë vazhduar, ku gjithçka duket si një skenar filmi i mirëshkruar.
“Nëse nuk mi jepni do ta bëj vendin gjak, nuk do mbaj kopilin tuaj, do flasin mediat botërore për mua”.
Frika qe e madhe te ish e fejuara e Hutrës dhe arsyeja ishte e konkretizuar, pasi ky i fundit, në vitin 2007, e kishte vrarë ish-bashkëshorten e tij.
Po ashtu, ai kishte raste të shumta të skeduara në Polici, për dhunë ndaj grave apo edhe përdhunime, të cilat me një drejtësi afunksionale, mbetën vetëm paralajmërimi i një kronike të zezë.
Sot, është e vërtetë se mediat po shkruajnë për të!