24.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Familja denoncon të zhdukur ish-zv.drejtorin e AKSHI-t, ja çfarë deklaronte Arben Ahmetaj për të: Është kërcënuar që të mbyllë gojën!

    Familjarët kanë denoncuar si person të humbur Daniel Shimën, ish-zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të AKSHI-t.

    Mësohet se kontaktin e fundit me familjen ish-zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit e ka pasur mesditën e kësaj të mërkure, teksa u ka pohuar se po e ndalonte policia.

    Më pas familja pasi është interesuar pranë uniformave blu kanë mësuar se familjari i tyre nuk është ndaluar nga policia dhe menjëherë ata kanë bërë denoncim në komisariatin numër 1 për zhdukjen e tij.

    Për këtë rast policia është duke hetuar në dy pista, e para ajo e rrëmbimit dhe e dyta ajo e inskenimit të zhdukjes.

    Policia po kryen sekuestrimin e kamerave të sigurisë në zonën ku dyshohet se ndodhej Shima, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

    Më herët, Shima është thirrur për t’u pyetur në SPAK në lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

    Emri i tij u përmend nga ish ministri Arben Ahmetaj, gjatë një interviste, kur pretendoi se Shima ishte kërcënuar “të mbyllte gojën” për një tender me vlerë disa miliona euro.

    “AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…”, deklaroi Ahmetaj një vit më parë.

    Ahmetaj foli atëherë për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

    Shima u shkarkua nga detyra ditën që në SPAK u thirr për t’u marrë në pyetje shefja e tij Mirlinda Karçanaj. Në pyetje nga SPAK lidhur me tenderat është marrë edhe vetë Shima.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit