Qytetari Eri Pashaj ka dhënë një model të rrallë ndershmërie, duke dorëzuar në Policinë e Aeroportit të Rinasit shumën prej 2.8 milionë lekësh që kishte gjetur.
Mjeku i mirënjohur Tritan Kalo e ka ndarë këtë histori në rrjete sociale, duke vlerësuar gjestin si një “akt fisnik dhe shembull i vërtetë qytetarie”.
Në një shoqëri ku shpesh dominon mosbesimi dhe individualizmi, veprime të tilla tregojnë se ndershmëria nuk ka humbur. Shpresa për një shoqëri më të drejtë mbetet gjallë.
“Fatmirësisht e njoh mirë Erin në Tiranë prej shumë vitesh sepse jemi afër me shtëpi, por mbi të gjitha se jeta e solli që vëllau i tij i madh Dritani, është sot dhëndri i sime mbese këtu në Victoria, B.C, Canada. GENI i fisnikërisë do të mbizotërojë dhe do të shfaqet në çdo rrethanë të jetës” – shkruan doktor Kalo dhe shton:
“2.8 milionë lekë janë jo pak për një punonjës familjar në Shqipëri. PARAJA nuk ka lumturuar askënd në jetë po me atë forcë, si dhe po me atë peshë që e lumturon atë fisnikëria dhe ndershmëria.
SOT ekranet tona si dhe faqet e shtypit të shkruar duhej të ishin mbushur me këtë lajm. Në mes të BABËZISË për para, pasuri e prona të pa merituara dhe të pa fituara me djersën e punës së ndershme, GJESTI i Eri Pashajt i të mbeturit fisnik, shpalos qartazi forcën e karakterit të një trashëgimie familjare të ngërthyer ndër gene prej shekujsh.
Të lumtë i dashur Eri dhe kënaqësi që të njoh prej shumë kohësh”.



