Teksa administratori i ri i Bankers, kroati Andrija Kojaković është filmuar në histori rozë dhe udhëtime luksi, punonjësit e kompanisë dhe shoqërive nënkontraktore vijojnë protestat pasi nuk kanë marrë pagat.
Krahas resorteve dhe udhëtimeve erotike Kojaković ka rifilluar edhe aferat me manipulimin dhe fryrjen e shpenzimeve për të mos paguar taksa, devijimin e fitimeve përmes kontratave fiktive me kompani derivate.
Administratori i ri kroat që zëvëndësoi Hongping Xiao po bën rezistentë për të mos paguar gjobën prej 120 milionë euro, duke kërcënuar me largimin nga puna të 420 punonjës të Bankers dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore.
Për sa kohë Bankers administrohej nga Hongping Xiao, ky i fundit, sipas dosjes së SPAK, paguante televizionet për të mos transmetuar protestat. Xiao ishte më i kujdeshëm për censurimin dhe mbulimin me errësirë të protestave të punonjëve, ndërsa Kojaković duket se ka prioritet aferat rozë, pa harruar dallaveret financiare.
Kujtojmë se gjatë operimit në Shqipëri të ardhurat e kompanisë zhvatëse nga nafta janë rreth 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet (fiktive) rreth 7 miliardë euro). Përmes shpenzimeve fiktive janë përfituar edhe qindra milionë euro rimbursim TVSH-je. Jo vetëm janë devijuar fitimet dhe shmangur taksat, por kanë futur edhe duart në arkën e shtetit, përmes TVSH-së.
Kojaković etiketohet si një nga duart dhe sekserët e rrjetit gjysmë të fshehtë kinez, i cili operon me naftën në Ballkan. Faktet kanë treguar se rrjeti kinez i naftës operon ngushtë me ambasadat kineze në vendet përkatëse, por edhe me aktorë të rekrutuar vendas. (Për shembull: Ambasada Kineze në Tiranë jo vetëm është përfshirë drejtëpërdrejtë në pastrimin e parave të Bankers me aktivitete të fryra dhe fiktive, por ambasadorja kineze Pang Chunxue rrethoi Gjykatën e Apelit, gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, në përpjekje për të ushtruar presion për lirimin nga burgu të Hongping Xiao) – shkruan Prapaskena.
Kojaković, i cili po udhëheq punën e lënë në mes nga Hongping Xiao, duke kaluar paratë jashtë vendit me kompani fantazmë, ka qenë ambasador i Kroacisë në Kinë, kohë gjatë të cilës besohet se ka hyrë në lidhje me grupin kinez, i cili herë del në offshore, herë me prestanome si Hongping Xiao.
Kroati, i skeduar për lidhje me kompani të regjistruara në parasja fiskale, ka qenë pjesë dhe ka bashkëpunuar edhe me Shoqatën e Shkëmbimit me Jashtë të Kinës.
Andrija Kojaković, ka qenë drejtor ekzekutiv i kompanisë kroate të naftës INA-Industrije Nafte d.d, një derivat ruso-kinez, përfshirë në skandale financiare dhe mashtrim me pasoja të rënda, me vlerë qindra milionë euro.
Kompania e drejtuar nga Kojaković ka qenë objekt hetimesh dhe arrestimesh masive nga USKOK, një strukturë e ngjashme me SPAK-un në Shqipëri.
Aksioneri kryesor i kompanisë së naftës kroate INA, e skeduar për krime financiare, është kompania hungareze e naftës dhe gazit MOL me 49.08 % të aksioneve. MOL, që i bleu aksionet e INA për 500 milionë euro, është kanali i furnizimit të një pjese të Evropës me naftë ruse, ndërsa njihet për bashkëpunimin e ngushtë me CEZ-in e çekëve, të cilët finalizuan një aferë korruptive 500 milionë euro në Shqipëri, por edhe me OTP Bank, një tjetër tentakulë e oligarkëve të Putinit.
Kompania hungareze MOL, me aksionerë shumëkombësh, është përfshirë në kontrabandë masive nafte me komapnitë ruse dhe kineze, nëpërmjet tubacionit Druzhba. Në vitin 2019, u zbulua futja e 60 mijë ton naftë të ndotur, që ndalohej me ligj. MOL Group është konsideruar si një urë e rëndësishme mes Hungarisë nën drejtimin e Viktor Orban dhe linjës Rusi-Kinë, raport që është një shqetësim i vazhdueshëm i Perëndimit.
Andrija Kojaković është një nga fijet e këtij zgjatimi ruso-kinez në Ballkan. Kojaković është edhe pas Central European Oil Company, një kompani e përfshirë në pastrim parash, devijim fitimesh, lidhje me kompani në offshore dhe dallavere financiare. Ka dyshime të forta se Kojaković është dora që fshihet pas një karteli kompanish fantazmë, derivate të Bankersit, të përdorura nga kinezët për vjedhjen dhe njëkohësisht largimin e qindra milionë euro nga Shqipëria.
Caktimi i Kojaković si pasardhës i Hongping Xiao është i mirëmenduar dhe me synime të qarta; Maksimalizimin e plaçkës së fundit para largimit nga Shqipëria.
Teksa nga njëra anë Andrija Kojaković shprehet se është gati të t’i paguajë shtetit shqiptar gjobën 120 milionë euro të konfirmuar nga Arbitrazhi për shpenzimet e manipuluara dhe se ka vullnet të bashkëpunojë me drejtësinë për ‘gropën’ 6 miliardë euro, nga ana tjetër kroati i kinezëve vijon makinacionet kriminale të zhvandosjes së parave jashtë vendit, përmes kontratave fiktive.
Festa harbuese
Krahas vjedhjeve, Hongping Xiao-s i pëlqente edhe të argëtohej. Kinezi i Bankers njihej për festat harbuese, ku derdhej shampanja ‘lumë’, për udhëtimet në vende ekzotike me jaht dhe charter.
Ai shpenzonte qindra mijëra euro në vit për festa të ‘çmendura’.Shpenzimet i përfshinte tek kostot e kompanisë në funksion të skemës së mospagimit të taksave.
Hongping Xiao organizonte festa jashtë Shqipërisë, në kështjella dhe jahte, ku merrnin pjesë vajza me kriter deri në 25 vjeçe që përzgjidheshin nga një personazh i quajtur Turi i Bankersit, i cili tërhiqte çanta me para nga banka të nivelit të dytë. Vajzat, mes tyre edhe minorene, menaxhoheshin nga Turi, i cili u’a dërgonte ‘ustallarëve’ kinezë e shqiptarë përmes fluturimeve me charter.
Hongping Xiao përflitet edhe për histori me zonjat dhe zonjushat e Bankersit, disa nga të cilat paguheshin me mbi 10 mijë euro në muaj. Nga përgjimet e reflektuara në dosjen e prokurorisë, del në pah karakteri i Hongping Xiao. Ai i pyeste në telefon gratë dhe vajzat e Bankersit se çfarë kishin veshur.
Në 24 prill 2025, Hongping Xiao bisedon në telefon me zonjën Doina Goga, pjesë e departamentit ligjor të Bankers. Pasi bisedojnë për raportin me median, pazaret, për të mbuluar të vërtetën, Xiao e pyet zonjën Goga se çfarë ka veshur dhe nëse ka veshur fund.
Xiao akuzohet se kishte krijuar një skemë kriminale për largimin e parave të vjedhura, përmes disa kompanive fantazmë në emrin e shtetasve nga Kina dhe Kazakistani. Dhjetëra milionë euro dilnin nga Shqipëria përmes sistemit bankar.
Përmes kompanisë Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLPme zyra fiktive në Fier, Hongping Xiao, i cili besohet se është pronar vetëm në letra i Bankers, janë përvetësuar miliona euro gjoja duke paguar punonjës kinezë që nuk kanë ardhur fare në Shqipëri.
Përmes kompanisë PetroSolution me pronar formal Ramil Kimurov nga Kazakistani, janë larguar nga Shqipëria 17 milionë euro me faturime fiktive. Kompania ka vetëm 1 punonjës.
Përmes kompanisë Alb Talent Solution shpk, me pronar në letra Dauren Zhumabayev nga Kazakistani, janë larguar nga Shqipëria 15 milionë euro gjatë periudhës 2022-2025, me faturime fiktive.
Bankers Petroleum Albania ka hyrë edhe në raporte huadhënie me kompanitë e sajuara prej kupolës së saj, gjithnjë në funksion të fryrjes së shpenzimeve, devijimit të fitimit, përfitimit nga skema e TVSH-së dhe shmangia e taksave.
Faktori magjik “R”
Sipas marrëveshjes koncesionare mes qeverisë dhe Bankers Petroleum, kompania kanadeze do të shfrytëzojë vendburimin e Patos Marinzës pa pagar tatim fitim deri në momentin që ajo të rekuperonte plotësisht kostot e investuara, ose ndryshe i ashtuquajturi faktori r të dilte mbi 1.
Pasi të arrihej kjo vlerë, atëherë kompania do të paguante tatim fitimi në masën 50 për qind. Pra fitimi nga shfrytëzimi i naftës do të ndahej gjysmë për gjysmë me shtetin shqiptar.
Vetë Bankers kishte planifikuar që faktori R>1 të arrihej që në fund të vitit 2013 dhe rrjedhimisht kompania të niste pagesën e tatimit mbi fitimin në shtet, por kjo u shty tre herë.
“Pas shtyrjes në vitin 2013, në angazhimet e kontraktorit ishte parashikuar që faktori R>1 do të arrihej brenda vitit 2015, por në të vëretëtë kjo vlerë nuk është arritur as në vitin 2016,”-thuhej në një raport të KLSH-së të para disa viteve.
Megjithatë pas 2016, kaluan dhe 9 vjet të tjera. Por faktori r nuk u ngjit asnjëherë në vlerën 1, edhe pse Bankers ka fituar miliarda nga nafta. Kjo e bën këtë një nga rastet unikale, ku një vendburim i gatshëm nafte shfrytëzohet për plot 20 vjet nga një privat, pa paguar asnjë qindarkë tatim fitimi.
E vetmja taksë që Bankers paguan në shtet është renta minerare, e cila është sa 10 për qind e prodhimit bruto. Por shumë që kompania ka paguar për këtë taksë është shumë më e vogël se sa fitimi që ajo ka vetëdeklaruar në këto vite.
Vetëm dy vitet e fundit kompania ka regjistruar mbi 110 milionë euro fitime neto, ndërkohë që paratë nuk dihet se ku shkojnë.
Me shumë gjasa, rekordi i Bankers do të thellohet më tej. Kompania po shkon drejt përfundimit të koncesionit 25 vjeçar dhe me shifrat e raportuara së fundmi, ekziston rreziku që r të mbetet poshtë nivelit 1 deri në fund të koncesionit.
Kjo e bën Patos Marinzën, një nga pasuritë më të mëdha publike të shqiptarëve, ndoshta mallkimin më të madh të tyre. Sepse miliardat e fituara nga ajo pasuri u tretën me manovra bilancesh, fatura offshore, vjedhjet e menaxherëve dhe tek nënkontraktorët që deklaronin fitime marramendëse.



