16.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Festivali nuk e frenon dot ‘projektin e degradimit’ tonë kulturor!

    Nga Aranit Muraçi

    Festivali i Këngës në RTSH mund të jetë shëmbëlltyrë e degradimit tonë kulturor. Degradimi nuk ka të bëjë me organizimin e festivalit që sapo u mbyll dhe as me fituesen e garës së këtij edicioni. Këngëtarë që përçojnë vlera artistike si Besa Kokëdhima, e cila do të përfaqësojë vitin që vjen Shqipërinë në Eurosong, me pjesëmarrjen e tyre në garë i bëjnë nder Festivalit, si ndër të paktët elementë pozitivë që i kanë mbetur përgjatë degradimit.

    Degradimi ka kohë që ka nisur dhe problemi është se ai nuk po ndalet. Një i tillë nuk është ndërkombëtar, por tipik shqiptar.

    Projekti i degradimit vazhdon pa u ndalur, sikur të tjerët duan të thonë se ne shqiptarët e kemi vërtetuar historikisht se nuk arrijmë dot të ndërtojmë dhe të mbajmë me forcat tona institucione të shëndosha shtetërore, kulturore, arsimore etj. Dhe kur i ndërtojmë i vëmë zjarrin dhe i shkatërrojmë me ‘duart tona’, në emër të çmendurisë kolektive pa mbajtur askush përgjegjësi individuale, siç vepruam në ‘97, vit para dhe pas të cilit nisi në fakt degradimi i Festivalit të Këngës dhe i gjithçkaje me vlerë përmes një projekti, financuar dhe frymëzuar nga të ligët, duke përdorët të marrët.

    Kur e dimë fare mirë dhe të gjithë e kuptojmë degradimin që s’po ndalet, pyetja që shtrohet është se si duhet vepruar në vend të ‘tymit dhe flakëve’ që nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shërbejnë edhe më tepër projektit të çmendur të degradimit!

    Kur nisi, kush e frymëzon, e financon dhe e zbaton projektin e degradimit tonë kombëtar dhe pse nuk ndalet një i tillë?

    Degradimi ka kohë që ka nisur dhe ka vijuar paralelisht ndaj gjithçkaje me vlerë që u ngrit për dekada përmes punës, e motivuar politikisht gjoja në emër të modernes dhe kundër së kaluarës sonë të errët komuniste.

    Festivali në RTSh po e vërteton më së miri se pas giithçkaje që ngrihet dhe funksionon në trojet tona duket sikur fshihet një “dorë e fshehtë”, e cila e shkatërron. Nëse nuk mundeshin dot që ta përmirësonin më tej atë që shkonte dhe funksiononte mjaft mirë dhe që u ngrit me shumë mundime në 40 vjet, si ia dolën për të realizuar të kundërtën në 20 vjet dhe kush ishin projektuesit?

    Festivali i Këngës në RTSH u ngrit si një imitim i San Remos dhe u shndërrua shumë shpejt në aktivitetin mbarëkombëtar kulturor dhe artistik më të rëndësishëm të vitit. Është një provë që tregon se çdo gjë që e ngritën aq bukur, pastër dhe pa gabime profesionistët dhe njerëzit e palodhur të fushës, me kalimin e viteve e rrëzuan dhe e shembën matrapazët, sekserët, tregtarët, mediokrit.

    Duhen respektuar adhuruesit e tallavasë, ‘hip hop’-istat, ‘rap’-istat, apo të çdo lloj rryme tjetër muzikore, qoftë edhe asaj “Made in Albania” të viteve të fundit në ritmet “bjeri ti biem” , ‘muzikë’ që këndohet dhe kërcehet krahas tymosjes nëpër bare dhe lokale plot zhurmë, por pa tekst dhe melodi. Mirëpo ata të cilët paguhen për të mbrojtur vlerat kulturore, traditën dhe interesat e kombit shqiptar, duhet të përgjigjen pse ra kaq shpejt Festivali i Këngës në RTSH dhe nuk bie “San Remo”?

    Nëse e duam vërtet festivalin dhe kulturën, pse të mos kërkojmë më parë, të kuptojmë e të frenojmë atë që po e quajmë projekti të shkatërrimit!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit