Ndërsa Tirana përgatitet të presë finalen e UEFA Conference League më 25 maj, ekspertët e turizmit thonë se hotelet e qytetit po rrisin çmimet për të përmbushur kërkesën në rritje.
Nga Fjori Sinoruka
Ndërsa Tirana përgatitet për eventin ndoshta më të rëndësishëm të futbollit që ka pritur ndonjëherë, më 25 maj, çmimet e hoteleve për tifozët që kanë rezervuar vende në tribuna janë rritur në mënyrë të parashikueshme.
Atë ditë, stadiumi i rikonstruktuar rishtazi i Tiranës Air Albania do të presë finalen e UEFA Conference League mes ekipit italian AS Roma dhe skuadrës holandeze Feyenoord.
Qeveria e ka shpallur 25 majin pushim. Ministri i brendshëm Bledi Çuçi tha: “Kemi pasur një interesim aq të madh për finalen, saqë po marrim masa që ta bëjmë festë për të gjithë”.
Ai shtoi: “Ne presim një fluks mysafirësh, dhe jo vetëm nga Italia dhe Holanda”.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, më 6 maj tha se ishin bërë të gjitha përgatitjet për “organizimin perfekt” të eventit.
“Jam i bindur se do t’ia kaloni shumë mirë në vendin, i cili mikpritjen e ka në traditat e tij”, tha Duka në një mesazh për fansat.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se për finalen pritet të mbërrijnë në Tiranë rreth 40 deri në 100 mijë persona.
“Kostoja e sjelljes së 40,000 deri në 100,000 njerëzve në Tiranë është në fakt një përqindje shumë e vogël e pagesës që ata do të lënë në qytetin tonë.”
Prandaj, ne ofrojmë transport falas me autobus nga Rinasi në Tiranë”, tha ai.
Me fluksin e njerëzve që pritet të vijnë në Tiranë, industria e mikpritjes e ka parë këtë si një lloj mundësie.
Çmimet për hotelet dhe airbnbs në faqen e akomodimit Booking.com janë shumë më të larta se zakonisht gjatë dy netëve në Tiranë nga data 23 deri më 25 maj.
Një apartament për dy ditë, që ndodhet 1.2 milje nga qendra e qytetit, për shembull, kushton rreth 422 euro. Një javë më vonë do të kushtonte pothuajse tre herë më pak, rreth 120 euro.
Ekspertët thonë se çmimet më të larta pasqyrojnë balancën e ndryshuar midis kërkesës dhe ofertës.
Stadiumi Arena Kombëtare ka një kapacitet prej rreth 21,000 vendesh.
Qyteti do të jetë kryesisht pa automjete për ndeshjen, përveç autoambulancave, si dhe shumica e institucioneve kryesore do të jenë të mbyllura.
Kur klubi i tij i ëndrrave AS Roma u kualifikua në finale, Shqipdoni nga Prishtina ra dakord me shtatë shokët e tij që të shkonte në Tiranë dhe të bënin tifo për klubin e tyre.
Deri më tani, ata nuk kanë pasur kurrë një mundësi për të parë idhujt e tyre drejtpërdrejt nga tribuna. Ardhja e tyre në Tiranë ishte si një dhuratë e madhe.
Por ajo që dëgjoi nga miqtë e interesuar për të qëndruar në Tiranë për ndeshjen e zhgënjeu. “Miqtë që provuan të rezervonin hotele thanë se çmimet ishin çmendur dhe ishin shumë të shtrenjta në krahasim me ato që janë zakonisht”, tha Shqipdoni për BIRN.
Ai tha se nëse klubi i tij i preferuar fiton finalen, ai do t’i bashkohet festimeve në Tiranë për aq kohë sa zgjasin, por më pas do të shkojë në shtëpinë e tij, rreth 300 kilometra larg në Kosovë.
“Unë dhe miqtë e mi vendosëm të mos rezervojmë hotel, kështu që kur të përfundojë finalja, do të kthehemi në Prishtinë”, tha ai.
Zak Topuzi, ekspert i turizmit me qendër në Tiranë, konfirmoi se çmimet e akomodimit janë më të larta se zakonisht në Tiranë – dhe arsyeja kryesore është se qytetit i mungon kapaciteti për të pritur të gjithë tifozët e pritur të futbollit.
“Kur ke ngjarje të rëndësishme si ndeshja e 25 majit, kur kërkesa për akomodim është disa herë më e madhe se kapaciteti, një rritje çmimi është e natyrshme”, tha ai për BIRN.
“Por kur çmimet janë 150 deri në 200 për qind më të larta, kjo bëhet shqetësuese dhe ndikon në imazhin e vendit”, shtoi Topuzi.
Ai tha se dëmi do të vërehet në të ardhme përmes komenteve negative nga njerëzit në internet dhe në publik. “Efekti do të zgjasë për shumë vite dhe hotelet në fund do të humbasin”, paralajmëroi ai.
“Po abuzohet me çmimet; një bujtinë që deri dje e shiste një krevat 10 euro, kur katër-pesë veta flenë në dhomë me banjë të përbashkët në fund të korridorit, po mundohet ta shesë për 800 apo edhe 1500 euro, gjë që nuk është normale”, shtoi ai.
Një tjetër aspekt problematik i rritjes dramatike të çmimeve, sipas ekspertëve, është se prenotimet e mëparshme po anulohen nga hotelierët për t’i shitur këto dhoma sërish me çmime më të larta.
Autoriteti i Konkurrencës, i cili monitoron tregun në Shqipëri dhe mund të ndërhyjë për të ruajtur konkurrencën e ndershme, më 10 maj tha se po monitoronte çmimet në hotelet dhe objektet e tjera të akomodimit në Tiranë.
“Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime akomodimi, si dhe nga terreni, ne kemi identifikuar çmime shumë të larta për datat 23-25 maj krahasuar me periudhat e tjera të vitit”, theksohet në të.
Autoriteti i Konkurrencës u bëri thirrje kompanive që ofrojnë akomodim në hotele dhe objekte të ngjashme të ofrojnë çmime të arsyeshme – dhe të mos anulojnë prenotimet e hershme për t’i rishitur ato në minutën e fundit për çmime më të larta.
Ai paralajmëroi se kompanitë mund të gjobiten nëse do të mbanin çmime të padrejta. “Shkelësit e ligjit mund të gjobiten deri në 10 për qind të xhiros së vitit të kaluar financiar”, thuhet në të.
Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, nga ana tjetër, për rritjet e çmimeve fajëson “algoritmet” e vetë faqeve të rezervimeve dhe mohon se ka pasur shumë spekulime me çmimet.
“Çmimet nuk rriten nga pronarët e hoteleve. Në momentin që futrni në aplikacione si Booking, Expedia ose Edreams, çmimi ndryshon në bazë të algoritmit”, këmbënguli ai.