12.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Financimet e munguara të filmit nuk pengojnë kineastët shqiptarë të mbërrijnë në skena të rëndësishme botërore

    Nga Albana Muçaj

    Ka një industri që do të mund të ishte ambasadore e produkteve tona në botë apo e turizmit të brendshëm. Është kinematografia.

    Por, një industri që kërkon investime serioze nuk e ka pasur asnjëherë këtë përgjigje nga buxheti shqiptar. Kjo i bën akoma më të nderuar të gjithë ata kineastë shqiptarë që kanë arritur të çojnë produktet e tyre me tema të rëndësishme për Shqipërinë, kulturën dhe historinë tonë, në kompeticione ndërkombëtare. Pas forcës së parasë, në këto raste është pasioni për artin dhe kulturën, atdhedashuria dhe ëndrra për të lënë gjurmë në historinë e filmit.

    Që nga fillimi i tij si regjisor me një seri të jashtëzakonshme filmash të shkurtër avangardë, Bujar Alimani është vlerësuar në filmat e tij KATOI (The Kennel), GAS, BUSULLA (Busulla) dhe NJE HISTORY DASHURIE (Një histori dashurie), për imagjinatën e ndërthurur me realizimin e ashpër. E nominuar për çmimin Oscar tre herë, për Amnesty, Chromium dhe The delegation, vepra e tij është paraqitur në çdo festival të madh filmi në mbarë botën, përfshirë Sundance dhe Berlin. Ai ka marrë disa çmime në festivalet ndërkombëtare të filmit për filma të shkurtër. Puna e tij është prezantuar në disa nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë MoMa në NYC.

    Në një intervistë për Businessmag.al, z.Alimani kërkon më shumë vëmendje ndaj filmit shqiptar duke sjellë shembuj të praktikave të suksesshme në vende afër nesh, si Kroacia.

    Kinematografia shqiptare prej vitesh po vuan financimet e ulëta. Si është situata në kënvështrimin tuaj. Si jemi pozicionuar krahasuar me vende fqinje?

    Në Shqipëri, që kur është krijuar Qendra Kombëtare e Kinematografisë në 1996, një imitim i qendrave simotra në Europë, kryesisht asaj franceze, pasi u bë dhe aprovua në Parlamentin Shqiptar Ligji për Kinematografinë, është i vetmi institucion shteteror në Shqipëri që mbështet prodhimin e filmit. Ka pasur edhe RTSH herë pas here ndihmesa në këtë prodhim ose blerje të produkteve, por që kanë qenë ndihma minimale. Barra kryesore i ka rënë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Edhe pse imitoi Ligjin Francez në strukturën e politikës për mbështetjen e kinematografisë kombëtare, buxhetet për filmin ishin shumë të pakëta. E them këtë, jo pa patur parasysh situatën ekonomike të vendit, i cili ishte futur në një tranzicion plot vështirësi, por vetë imitimin, që në këtë rast duhet të ishte i kopsitur nga çdo anë, pra në raportet financiare të krahasimeve me ekonominë vendese. Sa prodhon Franca -sa i jep kinematografisë. Në këtë kontekst e them që ishte kopjuar në strukturë teorike, por nuk kishte asnjë lidhje me realizimin në praktikë të tij.

    Sa mendoni se e ka frenuar prodhimtarinë mungesa e financimit?

    Mungesa e financimeve ka penguar në vërshimin e produkteve filmike, të cilat sjellin për pasojë edhe cilësinë. Një prodhues filmi në Shqipëri matet mirë përpara se të fillojë një film. Asnjë krijues apo ekzekutues në prodhimin e një filmi në Shqiperi nuk merr kurrë pagesën normale për atë çfarë jep. Filmi në Shqipëri po mbahet akoma me pasionin e disa të marrëve që vazhdojnë akoma ta duan kinemanë.

    Edhe mes vështirësive ka një përpjekje të fortë tuajën dhe disa kolegëve tuaj për t’u prezantuar në kompeticionet më të mira. Si e keni realizuar këtë?

    Filmi është dashuri dhe si e tillë trajtohet nga krijuesit. Mendoni, kjo kinematografi e pakët në numra për shkak të mosfinancimeve, (një pjesë e projekteve nuk kalojnë në qendrën e filmit, sepse përpos të tjerave nuk ka fonde për të gjithë), pra kjo kinematografi, e cila të paktën një herë në dy vjet ka çuar në Festivalet më të mira në Botë produktet e saj, padyshim përbën fenomen për t’u studiuar dhe vlerësuar. Mendoni ekonomikisht: Qendra e Filmit e ka buxhetin vjetor 1 milion euro pothuaj. Kjo shumë konsiston, jo vetëm në prodhimin e filmit shqiptar, por edhe në mbështetjen për filmin dokumentar, filmin e shkurtër, filmin e animuar dhe veprimtaritë promovuese të kinematografisë, siç janë Festivalet e Filmit. Në dy vjet – 2 milionë euro për gjithçka që flitet e bëhet për kinematografinë. E megjithate një film i mirë shqiptar siç thashë, çdo dy vjet merr pjesë në festivalet më të mira në botë, aty ku një film i mirë gjerman, francez, spanjoll , britanik apo italian, pra, vetëm një film ka buxhetin e Shqipërisë për dy vjet- 2 milionë euro. Mendoni kur ky film shqiptar vlerësohet edhe me çmime. Çdo njeri që di pak matematikë do e nxirrte vetë përfundimin.

    Çfarë do t’u nevojitej autorëve/prodhuesve dhe kienastëve për të ecur përpara, për të qenë ambasadorë të Shqipërisë në Botë?

    Të vazhdojnë të bëjnë filma me çdo mënyrë. Nuk ka rrugë tjetër. Politika është shume larg nesh. Herë herë e kemi përballë. Nuk mendoj se ka sistem politik në botë në njëe vend demokratik që të jetë kaq indiferent dhe shpërfillës ndaj kinematografisë së vet, siç janë qeveritë shqiptare, të gjitha pa përjashtim që pas 1990.

    A mendoni se vendosja juaj në SHBA ju ka ndihmuar në karrierë? A do t’i kishit realizuar këto projekte nëse do të qëndronit në Shqipëri?

    Vendosja ose zhvendosja ime në SHBA ka ndryshuar disa koncepte bazë te unë në mënyrën e të bërit film. Unë jam kthyer vazhdimisht në Shqipëri për të bërë filma në gjuhën time. Amerika të përsos kuptimet që një autor duhet të vendosë kryesisht me kohën dhe mënyrën sesi gjen fondet. Në Amerikë vendosesh në një sistem konkurence, i cili në çdo sekond rrezikon të të nxjerrë jashtë tregut. Duhet të jesh gjithnjë kreativ. Kjo nuk ekziston në Shqipëri.

    Nga perceptimi juaj në prodhimin e filmit, a mund të na jepni shembuj të vendeve që kanë zhvilluar ekonominë e tyre fale industrisë së filmit? Turqia për shembull, njihet globalisht me telenovelat e saj. Turizmi i brendshëm dhe eksportet e produkteve jashtë po zhvillohen edhe për këtë arsye.

    Do të përmendja Greqinë me prodhime filmash me cilësore sesa shembulli që përmendët. Por, në vijim të shembullit tuaj ka hyrë në treg një shtet shumë i fortë –Kroacia Falë produkteve audiovizuale, ajo po tërheq investime të jashtëzakonshme ekonomike në vendin e vet. Këto shtete kanë ndërtuar pikërisht sistemin amerikan të investimeve të kthimit mbrapsht të një perqindje të madhe shpenzimesh nëse ato janë bërë në x vend apo shtet, qoftë kjo nëpërmjet bashkive, qoftë përmes shtetit të centralizuar.

    Cilat mendoni se janë ndërhyrjet konkrete që qeveria shqiptare dhe Ministria e Kulturës duhet të ndërmarrë për ta zhvilluar kinematografinë?

    Të rrisë buxhetin dhe të promovojë pa asnjë dallim militantizmi politik artistët, në bazë të vlerës së veprës që ata bëjnë.

    Çfarë do t’u sugjeronit artistëve të rinj shqiptarë, aktorë, regjizorë, etj për të ecur përpara?

    Sa më pak glamour. Sa me larg vezullimit dritëshkurtër të spektakleve televizive. Sa më shumë pika krahasimi me artin në botë. Sa më të vërtetë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit