Fitim Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer të vërtetat e tij lidhur me jetën kriminale të vëllait të tij si dhe për vrasjen e Talo Çelës.
Për “MaShqip” me Flamur Vezaj, Fitim Dumani ka akuzuar drejtpërdrejt vëllezërit Franc e Hajdar Çopja për vrasjen e Talo Çelës në vitin 2020 në Elbasan duke mohuar kategorikisht lidhjen e vëllait të tij me këtë ngjarje kriminale.
Gjithashtu i pajisur me statusin e të penduarit të drejtësisë dhe vetëm disa muaj më parë i liruar nga burgu, Fitim Dumani tregon se i vëllai Nuredini, nuk ka qenë asnjëherë “ushtar” i ndonjë organizate kriminale, por vetëm një vrasës me pagesë i kontaktuar nga eksponentë të krimit.
Në rrëfimin e tij, Fitim Dumani ka treguar për jetën e mëparshme të Nuredinit kur nuk ka qenë i përfshirë në botën e krimit si dhe ka rrëfyer episode kriminale të kryera në bashkëpunim me Talo Çelën.
Vrasjen e këtij të fundit, Fitim Dumani ia ka faturuar vëllezërve Franc e Hajdar Çopja. Ai tregon se Çela është ekzekutuar në lokalin e tyre me një plumb pas koke pasi nuk vrau Nuredin Dumanin.
“Ata e vranë Talo Çelën duke ngrënë bukë, pasi nuk vrau vëllain tim dhe nga frika se mos fliste nëse kapet nga policia. Është vrarë në Elbasan. E kanë vrarë në restorantin e vellezërve Çopja prapa kokës me tek plumb. Ruheshin që ai të mos fliste se ishte i fundit. Që të humbnin gjurmët e të mos dilnin në skenë. Ata mendonin se vëllai im nuk do flasë. Talon e hoqën nga puna. I dhanë dhuratën e fundit, demek merr hakun e vrite. Ai nuk e mori dhe normalisht e priste fundi”, thotë Fitim Dumani për zhdukjen e Talo Çelës.
I pyetur nga gazetari Vezaj për Nuredin Dumanin dhe përdorimin e lëndëve narkotike, Fitimi përgjigjet se Nuredini konsumonte lëndë narkotike vetëm kur bënte vrasje.
Flamur Vezaj: A është përdorues droge vëllai jot?
Fitim Dumani: Jo, ka pirë vetëm kur bënte vrasjet.
Ndër të tjera, Fitim Dumani shprehet se i vëllai është kthyer në i penduar të drejtësisë vetëm pasi u tradhëtua nga të gjithë shokët e tij dhe se tashmë nuk do të ndalet për t’i fundosur të gjithë.
Fitim Dumani nuk ka asnjë mesazh apo diçka për të thënë për familjarët e viktimave të Nuredinit, duke u shprehur se i vëllai ka kryer shumë vrasje. Ndër të tjera ai tregon se nuk ka frikë nga askush dhe se më shumë siguri gjen tek vetja e tij sesa tek shteti shqiptar.