7.5 C
Tirana
E premte, 19 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Fitorja më e madhe e betejës dy-vjeçare, ulja në një tryezë me Bledi Çuçin (dhe një reagim nervoz i Ramës)

    Edhe pse prej dy vitesh flasin për revolucione, rrëzim të Edi Ramës dhe qeveri teknike, duket se këta kanë vuajtur që t’i ftojë Edi Rama në takime.

    Kjo është zbuluar nga vetë numri dy i Rithemelimit, Flamur Noka.

    Ai e konsideron si fitoren më të madhe, faktin që janë ulur në tryezë me socialistët dhe që këta të fundit i kanë njohur si palë.

    “Ne sot jemi pranuar si palë dhe si realitet politik, siç e tha ambasadori i BE!

    Aksioni ynë pati sukses sepse ju imponuam qeverisë dhe tani do merremi me terrenin.

    Ata pranuan që ne jemi PD, pranuan kryetarin e grupit tonë.

    E rëndësishme është që sot, nga një grup që nuk na njihte askush dhe nuk na ftonte askush, ne jemi opozita e vërtëtë sot, pas bashkimit dhe protestës së 20 shkurtit.

    Pra kjo është fitorja më e madhe. Shqiptarët sot e dinë kush është opozita”, tha Flamur Noka në mbledhjen e Rithemelimit.

    Pra për dy vjet, gjithë beteja ka qenë që të ulen në një tryeze me Bledi Çuçin.

    Reagon Rama:

    Për negociatat me Rithemelimin ka reaguar edhe vetë Edi Rama, por me një gjuhë nervoze.

    “Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize!

    Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!

    Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston?

    Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim.

    Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?!

    Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë.

    Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh”, shkruan Rama.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit