13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Flora, shqiptarja që italianët e kërkuan për aktore, por që në Shqipëri s’e fusin në punë se është “xhuxhe”

    Flora Xhaferri, nuk është si gjithë të tjerët. Ajo është një vajzë shtatshkurtër dhe gati e vetmuar. Kur ishte në moshë më të re ëndërronte të bëhej aktore. Pëlqente filmin “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”.

    Tani kërkon të ketë një punë për mbijetesë, të punojë në  profilin që është diplomuar, sektorin e turizmit apo një punë tjetër dosido. Është 36 vjeçe dhe ka përfunduar studimet në Universitetin e Durrësit, për menaxhim-turizëm.

    “Ne kemi patur mbiemrin Lela deri para pak vitesh, thotë Flora. Por babai im vendosi ta ndryshonte mbiemrin në gjendjen civile. Për të trashëguar pronat e stërgjyshërve ai vendosi që familja jonë të trashëgojë mbiemrin e gjyshit, Xhaferri. Kjo është bërë me vendim gjykate”.

    Nënën dhe babain i ka humbur. Tani Flora është kthyer nga shkolla e lartë në fshatrat e Gurrës dhe jeton së bashku me vëllain. Ky i fundit herë pas here emigron drejt Greqisë për të siguruar mbijetesën e familjes, bashkëshortes, dy fëmijëve dhe motrës, Florës.

    Ajo thotë se shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në fshatin Gurrë e Madhe. “Kur isha në fillore nuk shkoja dot në këmbë te shkolla. Më çonin në krah herë nëna e herë babai. E mbylla me rezultate të mira. Në shkollë 8 vjecare nuk shkoja dot. Ishte larg dhe më duhej të ecja në këmbë. Në mot me shi e kisha të pamundur.

    Prindërit biseduam me një të afërm të familjes tonë në fshtatrat e Krujës që e kishte shkollën afër shtëpisë. Atje më mbanin në pëllëmbë të dorës por mërzitesha shumë për dy prindërit e mi”, rrëfen Flora Xhaferri, një personazh mjaft interesan për banorët e Matit.

    Më tej vendorët i mundësojnë sistemimin në konviktin e shkollës “Pjetër Budi” Burrel për të vijuar shkollën e mesme. Megjithëse e pamundur fizikisht çdo fundjavë ajo udhëtonte drejt vendlindjes dhe çdo të hënë rikthehej në bankat e shkollës, duke u përpjekur të arrijë rezultate të mira.

    “Në shkollën e lartë unë studiova për menaxhim-turizëm. Kam përfunduar bachelorin dhe masterin. Në tetor të këtij viti pres diplomën nga shkolla. Pres të gjej një vend pune dosido sepse kam hequr shumë vuajtje”, tregon Flora e emocionuar.

    “Me aq para sa marr nga pensioni i invaliditetit kam jetuar me vështirësi, kam ngrënë  kryesisht ushqime të thata, djathë, vezë, sallam, pasi e kam të pamundur të gatuaj,” -pohon vajza matjane.

    Flora me emocion shprehet se ka ndjerë bullizmin e moshatarëve të saj kur ishte në moshë më të re. “Kur isha në shkollë me mesme mërzitesha kur më thonin xhuxhe, ndërsa në shkollë të lartë ia kalova më mirë. Tani jam rritur dhe i mirëkuptoj të gjithë, edhe ata që më paragjykonin”, nënvizon Flora Xhaferri.

    Vajza matjane nuk fsheh pasionet e saj të rinisë. Ajo ka tentuar të bëhet aktore. Në moshë fare të re e kanë kërkuar italianët për aktore. “Unë nuk e mbaj mend atë moment, por kur kam qenë 5 a 6 vjeçe disa aktorë italianë që ndodheshin në Tiranë i kanë kërkuar babait tim, në një takim që ai ka patur rastësisht, të më lejonte mua të shkoja në Itali dhe të bëhesha aktore. Babai im e ka refuzuar këtë kërkesë sepse kishte frikë se mund të më birësonin dhe se unë nuk do të kthehesha më pranë familjes, pasi prindërit, vëllezërit dhe motrat më kanë patur dhe më kanë pikë të dobët”.

    Italianët i kishin ofruar babait të Florës, Idriz Xhaferri, një shumë të madhe liretash dhe një banesë në kryeqytet, Tiranë.

    “Tani që jam rritur dhe jam bindur se nuk do të kemi probleme edhe nëse emigroj në Itali nuk gjej mënyra për t’u lidhur me aktorët italianë që më kërkuan në vitin 1992. Fakti që të huajt kishin dëshirë të isha aktore, më krijuan bindjen se unë duhet të konkurroja për aktrim.

    Dy herë jam përpjekur të fitoj degën e aktrimit, por nuk munda. Profesorët thanë se nuk dija të luaja në vegla muzikore dhe kisha probleme me plastikën trupore. Nuk më ndihmoi askush se ndoshta mund të kisha nisur studimet për aktore” -thotë Flora, e cila nuk i fsheh dëshirat e saj për asnjë moment.

    Flora Xhaferri nuk kërkon lëmoshë. Ajo u lutet autoriteteve lokale dhe biznesmenëve të krijojnë mundësinë e një vendi pune, që edhe ajo të ndihet e barabartë me moshatarët e saj.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit