Ish-humoristi i Portokallisë, Florian Binaj i cili ka spikatur me imitimin e Edi Ramës në karrierën e tij do të jetë kandidat i partisë më të madhe të opozitës për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Binaj ka një karrierë të gjatë në humor dhe në të shkuarën nuk e ka fshehur marrëdhënien e shkëlqyer që ka me Edi Ramën, me të cilin ka shkëmbyer lëvdata dhe elozhe publikisht.
Kështu, Binaj ka qenë kontraktuar nga Partia Socialiste në disa aktivitete për të bërë për të qeshur pushtetarët dhe në njërin prej tyre, madje është shprehur falenderues për Edi Ramën, të cilit i ka dedikuar suksesin që ka pasur në fillimet e tij në skenë.
“Para 9 vitesh kur unë hyra në Portokalli, ishte takimi i parë me krye e sotshëm të PS i cili më dha një mandarinë, e cila më solli shumë fat, prandaj unë sot i jap një portokall” ka deklaruar Binaj në aktivitetin e PS të zhvilluar disa vite më parë. VIDEO KETU
Edhe Rama nuk është kursyer në dhurata, madje ka hequr kollaren e tij dhe ia ka falur humoristit në shenjë mirënjohjeje, duke cituar Agron Llakajn që imiton Berishën me fjalët “ky e ka meritue”.
“Unë nuk e di kush është bërë më i famshëm nga tjetri, ky nga unë apo unë nga ky… por meqë më dha portokallin do t’ia heq këtë kravatën e lodhur do t’i jap kravatën time, se siç thotë Agron Llakaj “ky e ka meritue” shprehej Rama.
Edhe në vitet që pasuan humoristi i Portokallisë duket se e ka ruajtur respektin e ndërsjelltë me kryeministrin, i cili në 35 vjetorin e aktorit, i ka uruar publikisht ditëlindjen duke e quajtur një djalë “king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar”.
“Florjan Binaj është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!
Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët e udhëheqësit kur mërziten, e nganjëherë tërbohen nga vënia e tyre në lojë prej komedianëve e karikaturistëve, të cilët kur janë të zotë si Flori e si djemtë e vajzat e Portokallisë, si Sajmiri i Fiksit e i Stopit apo babai i të gjithë brezit të tyre, Agron Llakaj ose Bujar Kapexhiu i vizatimeve satirike, janë një lezet i madh për jetën publike dhe një burim energjish pozitive për konsumatorët e artit të tyre. Arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike çedukative të disave brenda atij lloji.
Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë”, ka shkruar kryeministri Rama në një postim në Facebook.