Florjan Binaj, në një interistë për Grida Dumën në Top Story, tregoi se pse kishte vendosur të kandidonte për Bashkinë e Tiranës.
Aktori dhe moderatori i njohur e tha hapur se kryedemokrati Sali Berisha dhe opozitarët e tjerë nuk zgjodhën asnjë kandidat dhe në këto kushte vendosi të provonte për të qenë përfaqësuesi i qytetarëve në nivel lokal.
I ftuar në “Top Story” të Grida Dumës, Binaj u shpreh:
“Dua ta filloj me një falënderim që unë u riktheva në këtë shtëpi që kam rilindur artistikisht. Që kur kam qenë fëmijë kam dashur të vendos drejtësi gjërave. Kam ngrënë edhe dru ndonjëherë. Angazhimi im ka qenë gjithmonë, edhe pse jo gjithmonë i dukshëm. Grupi im shoqëror dhe familja më thonin gjithmonë, se pse unë nuk e provoj”, tha fillimisht ai.
Më tej shtoi: “Kushtet e deshën që në këto ditë të merrja një vendim aspak të lehtë sepse mban shumë përgjegjësi. Prisja që rrethi im të thoshte: Ç’pate? Por në fakt të gjithë po më thonin që ishte gjëja e duhur në momentin e duhur. Sepse partitë opozitare hapën krahët në një farë mënyre sepse e lanë sheshin e valles bosh. Unë dola që të ndizja edhe tek të tjerë që të kishte sa më shumë opsione. Ka ardhur koha që qytetari të jetë për qytetarin”.
Më tej, Binaj dha dhe një deklaratë të fortë, ai tha se po kandidon si kandidat i pavarur dhe nuk do të dalë në takime me qytetarët me Sali Berishën dhe me asnjë nga liderët e tjerë opozitarë.
Binaj theksoi se nuk ka biseduar me Sali Berishën, por pohoi se do të pranojë ekipet e tyre për ta ndihmuar në fushatë, por theksoi se kandidon si i pavarur dhe kërkon votat e qytetarëve te Tiranës, si të djathtë, ashtu edhe të majtë.
“Unë nuk kam hyrë në garë për të përfaqësuar opozitën, por qytetarët e Tiranës. Nuk i ndaj sipas ngjyrave të partive, nëse ajri është i pastër është i pastër për të gjithë. Nëse ka trafik ka për të gjithë.
Edhe pasi jam zgjedhur nuk kam folur me Berishën me asnjë, nga opozita. Nuk u shpalla kandidat për të pritur më pas mbështetjen. Ka qenë Adriatik Lapaj ai i cili më ka marrë në telefon i pari, më tha shiko mos është kamera e fshehtë. Më pas më tha ne të mbështesim, më tha nëse jemi ne të vetit, me ju i thash. Më pas të nesërmen ka reaguar Sali Berisha, me mbështetjen e tij.
Unë nuk kam folur me Berishën ende. Nuk do të dal me asnjë kryetar në fushatë, as me Berishën.
Nuk do të shoqërohem në fushatë, i kam kërkuar të sjellin grupe pune, por me asnjë kryetar partie opozite. Edhe tek fleta e votimit do të jetë kandidat i pavarur, do e kërkojmë në KQZ këtë”, tha Binaj.